E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Do aplikohen titujt e karrierës. Më shumë kualifikim për arsimtarët Mësuesit, shtesën maksimale në pagë 9 vjet më herët

Mësuesit mund ta arrijnë 9 vjet më herët shkallën maksimale të karrierës së tyre. Këtë synon reforma e re në arsim.

Ekspertët e MASH po konsultojnë të gjitha variantet për draftin final, i cili pritet të kthehet më tej në një vendim të mirëfilltë. Në thelb gjithçka konsiston në marrjen e titujve të karrierës. Me anë të tyre do të bëhet jo vetëm diferenca në pagë, por edhe në kualifikim. Mësuesit do të vendosin vetë nëse do të aplikojnë për një titull karriere dhe kur. “Nëse drafti vihet në zbatim, mësuesi do të ketë mundësi që të arrijë shkallën e karrierës nga 25 vjet, në të paktën 16 vjet”, detajojnë ekspertët. Sipas tyre, ky ndryshim e bën itinerarin e karrierës të standardit tipik ndërkombëtar, intensifikon investimin trajnues për një periudhë moshe më të favorshme për zhvillim të shpejtë profesional. “Në këtë mënyrë arrijmë që pjekuria profesionale për mësuesit të zgjasë më shumë nga 24-49 vjeç aktualisht të ulet në 24-40 vjeç”, thonë specialistët e MASH. Ndërkaq, kalimi nga një titull karriere në atë pasues, do të shoqërohet me një shtesë korresponduese page, e bazuar në meritat profesionale. Këto merita përkthehen në pjesëmarrje, në trajnime, sigurim kreditesh. Një peshë të madhe do të zënë masterat që do të ndjekin mësuesit si dhe gjuhet e huaja. Numri i pikëve do të fitohet nga njohuritë teorike, aftësitë praktike për të dhënë mësim dhe arritjet e nxënësve. Për të marrë titullin e karrierës sipas draftit mësuesit duhet të testohen, ndërsa vlerësimi do të jetë me kredite. Ndryshe nga tani, shkallët e karrierës së një mësuesi nuk do të jenë me numra, por me tituj që do të sigurohen përmes provimeve. “mësues fillestar”, “mësues i licencuar”, “mësues specialist” dhe “Mësues mjeshtër”, janë titujt që përcaktohen në draftin politik të hartuar nga MASH. “Secila shkallë përshkruhet nga lista e vetë standardeve. Titulli i karrierës është për një lëndë dhe për një grupmoshë të nxënësve. Një mësues mund të aplikojë për titull karriere për më shumë se një lëndë, ose për më shumë se një grupmoshë nxënësish (që mund të jenë të arsimit të mesëm, të ulët dhe për atë të mesëm të lartë), ose për specializime të posaçme”, nënvizojnë hartuesit e draftit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›