Kompania kërcënon me tërheqje investimesh “Stream Oil”: Akuzat e PS po na dëmtojnë në tregun ndërkombëtar
Presidenti i kompanisë “Stream Oil” tha dje se kompania e tij po akuzohet në mënyrë të padrejtë, duke i shkaktuar një dëm të madh kredibilitetit të saj. Sotirios Kapotas, president i kësaj kompanie, i cili mbërriti dje në Tiranë në kulmin e akuzave ndaj aksionerit të “Stream Oil”, Arian Tartari kërkoi ndërprerjen e akuzave ndaj kompanisë së tij. “Stream” nuk mund të tolerojë që të kritikohet në mënyrë fyese, denigruese e të pandershme, të lejojë informacione të pasakta dhe keqdashëse rreth kompanisë. Duke parë sulmet publike të kohëve të fundit të bëra në adresë të kompanisë sonë, kemi informuar autoritetet kanadeze dhe kemi kërkuar që ato të ndërmarrim hapat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e investitorëve tanë. Ne shpresojmë që para çdo hapi legal, ose ndonjë veprimi tjetër, burimet përkatëse do të tërheqin deklaratat keqdashëse dhe faktet e pavërteta rreth kompanisë sonë, pasi çdo informacion është publik për çdokënd, në çdo kohë në Bursën e Kanadasë”, u shpreh dje Kapotas. Ai kërkoi ndërprerjen e akuzave, duke kërcënuar me tërheqjen e investimit dhe humbjen e vendeve të punës. “Përfshirja e autoriteteve të Qeverisë Kanadeze, që do të mund të çonte edhe në veprime legale, gjë që do të rrezikonte trendin pozitiv të investimeve, apo të çonte në mosdëshirën e investitorëve për të vazhduar të investojnë në Shqipëri, duke sjellë impakt dramatik jo aq për kompaninë në vetvete se sa për ekonominë Shqiptare”, u shpreh Kapotas. Ai kërkoi ndërhyrjen e krerëve të politikës. “Shpresoj gjithashtu që si Shkëlqesia e tij Kryeministri, ashtu edhe lideri i opozitës të ndërmarrin hapat e nevojshme për të ndaluar këto akuza të pambështetura kundër kompanisë sonë e që mund të ketë impakt negativ në tregun ndërkombëtar, duke sjellë jo vetëm humbje financiare, por edhe humbjen e qindra vendeve të punës të ‘Stream’ në Shqipëri”, deklaroi presidenti i kompanisë kanadeze.
Ai u shpreh në përfundim se, “Stream” është një kompani publike, nuk ka asnjë afiliacion politik dhe se do të vazhdojë të rrisë reputacionin e kompanisë, duke punuar në mënyrë korrekte e transparente.