E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Parlamentar miraton vendimin për heqjen e TVSH-së në arsim

Nga Rajmonda Lajthia 

Tiranë, 19 janar NOA - Komisioni Parlamentar i
Ekonomisë miratoi vendimin politik të kryeministrit, Sali Berisha, për të hequr
tatimin mbi vlerën e shtuar për arsimin privat e publikë.

Deputetët demokratë miratuan unanimisht
ndryshim në ligjin për TVSH-në, duke i dhënë këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje
më të madhe financiare.

Vendimi hyn në fuqi në vitin tjetër akademik,
tetor 2010.

Sipas deputetit Florion Mima, ky vendim është
pjesë e programit elektoral të partisë demokratike, që tani po konkretizohet
nga kjo maxhorancë.  

Heqja e TVSH-së për arsim do të thotë që çdo
shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20 % më pak. Në disa
prej universiteteve private ky vendim nuk pritet të ndjehet, pasi TVSH-ja ishte
një barrë për drejtuesit e institucionit dhe nuk reflektohej tek studenti.
Sipas dekanes së UET-së Luljeta Minxhozi, kjo masë do të japë efekte tek
pagesat e librave apo kurseve shkollore, të cilat  pritet të bëhen edhe më
të lira.  

Në fund të vitit  2009 kryeministri
Berisha njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do ti bënte një dhuratë
sektorit të arsimit,  por ai hasi në kundërshtime të ministrit të Financave,
sipas të cilit nuk ishte kohë dhuratash.  

Por në fakt ky paralajmërim u konkretizua.

Heqja e TVSH-së  për arsim privatë është
një masë e cila jep ndikim në buxhetin e shtetit. Ndaj një vendim i tillë duket
jo shumë i përshtatshëm në këtë vit kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi
serioze.

r.l/NOA 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›