E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Nëna e re vdiq nga tromboza

 

“Trombo emboli pulmonar” ka qenë diagnoza e përcaktuar në skedën e vdekjes nga mjekët e Sarandës dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore të Tiranës, si shkaku i vdekjes në maternitet.
Sipas tyre, 25-vjeçarja Enkeleda Osmani nga fshati Xarrë i Sarandës ka humbur jetën pikërisht prej këtij shkaku. Por, ende nuk dihet nëse tromboza është provokuar nga neglizhenca e mjekëve të maternitetit apo përkeqësimi i gjendjes së nënës së re si pasojë e operacionit dhe këmbës së thyer. Kjo ka mbetur për t’u zbardhur nga përfundimi, që mjekët ligjorë të Tiranës do të japin disa ditë më vonë dhe nga hetimi i Prokurorisë së Sarandës. Drejtori i Shëndetit Publik të Sarandës, Arben Vogli, pohoi dje se dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të ardhur nga Tirana pasditen e së dielës kanë bërë autopsinë e 25-vjeçares dhe do të duhet një afat kohor për të hedhur dritë shkencërisht pas ekspertizës së bërë prej tyre mbi shkakun, që ka shpënë tek diagnoza tashmë e përcaktuar “Trombo emboli pulmonar”. Nëna e tre fëmijëve ndërroi jetë në mënyrë të papritur 8 ditë pas lindjes me operacion të djalit të saj. “Në datën 26 dhjetor, - pohon drejtori Vogli, - në mjediset e spitalit të Sarandës do të bëhet nga ana ligjore analiza e vdekjes së 25-vjeçares. Një grup mjekësh specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë do të vijnë për të hetuar nga afër punën e mjekëve të Sarandës në rastin konkret dhe për të parë gjithë rrjedhën për ecurinë klinike të pacientes, që nga momenti i shtrimit në spital deri në ditën e vdekjes së saj. Specialistët do të shohin gjithë mjekimet që i janë bërë asaj për të përcaktuar qartë, se kur duhej treguar kujdesi për 25-vjeçaren, që erdhi në maternitetin e Sarandës me dy fraktura në këmbë, para apo pas lindjes”. Sipas prokurorit të Rrethit Gjyqësor të Sarandës, Alfred Agolli mësohet se ka nisur ditën e djeshme procedimi penal për mjekët e maternitetit të Sarandës, ende të papërcaktuar me emra konkretë për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal. Kallëzimin në policinë e Sarandës dhe Prokurorinë e Rrethit për vdekjen e 25-vjeçares Enkeleda Osmani e ka bërë bashkëshorti i saj Dritan Osmani, rreth 7 orë pas ngjarjes. Burimet nga prokuroria thanë gjithashtu, se kanë nisur hetimet për rastin dhe pasi të vijnë edhe aktet ligjore të ekspertizës së kryer nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore do të vazhdojë ndjekja procedurale.

Mjekja në gjyq për vdekjen

TIRANE – Një tjetër proces mbi vdekjen e një nëne pas lindjes së fëmijës po zhvillohet në Gjykatës e Sarandës. Ai për humbjen e jetës së 32-vjeçares Mimoza Bregasi nga fshati Berdenesh. Prokuroria e Sarandës e nisi hetimin në bazë të kallëzimit të bërë nga bashkëshorti i viktimës Festim Bregasi në 4 maj të vitit 2006, duke akuzuar mjekët për neglizhencë karshi mbajtjes nën kontroll të së shoqes. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se shkaku i vdekjes së Mimoza Bregasit ka qenë “shoku hemorragjik”. Në këto kushte është marrë e pandehur duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale “mjekim i pakujdesshëm” parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal shtetasja Xhezarina Bozho, mjeke gjinekologe që ka pasur në ndjekje shtetasen Mimoza Bregasi. Për rrjedhojë në 13 tetor të këtij viti ka nisur gjykimi në ngarkim të kësaj mjekeje. Janë kryer disa seanca gjyqësore dhe në atë të datës 24 dhjetor do të merren provat e kërkuara nga prokurori, të cilat fillojnë nga pyetja me cilësinë e dëshmitarit të familjarëve të viktimës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›