Në pranga pengmarrësit e të riut
Dashamir Biçaku
Dy persona të dyshuar si autorë të rrëmbimit dhe heqjes së padrejtë të lirisë së një personi u arrestuan dje nga Komisariati nr.4 dhe Njësia e Kërkimit të Drejtorisë së Policisë të kryeqytetit. Gentian Luga, 23 vjeç dhe Bilbil Krasniqi, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë janë ndaluar nga policia, pasi ishin shpallur në kërkim që prej muajit maj të vitit të kaluar, kur dyshohet se kanë marrë peng, 21-vjeçarin Festim Gici. Personat e arrestuar dyshohet nga policia se e kanë dërguar në Dajt të dëmtuarin, ku e kanë mbajtur për rreth një orë. Shkak për ngjarjen mësohet se është bërë një konflikt për hesape të pashlyera mes palëve. Pas rreth tre muajsh hetime, policia ka identifikuar dhe më pas ka shpallur në kërkim si të dyshuar tre persona, dy prej të cilëve ishin Gentian Luga dhe Bilbil Krasniqi. Të dy janë kapur në fshatin Paskuqan në një banesë ndërsa më pas janë dërguar në ambientet e Komisariatit nr.4, ku edhe u është komunikuar arresti, në bazë të vendimit të gjykatës të muajit maj të këtij viti. Sipas këtij vendimi, që caktonte masën e arrestit me burg, personat akuzoheshin për heqje të padrejtë të lirisë ndaj 21-vjeçarit Gici. Më parë, policia kishte ndaluar në cilësinë e personit të dyshuar në këtë ngjarje edhe Gramoz Selmanin 23 vjeç.
Heqja e lirisë
Në fund të muajit shkurt 2008, Gentian Luga dhe Bilbil Krasniqi, banues në kryeqytet janë konfliktuar për një sasi të konsiderueshme parash me 20-vjeçarin. Ky nuk po ua kthente paratë të akuzuarve, edhe pse afati kishte kaluar disa ditë. Paratë mendohet se janë pjesë e një rrjeti të shitjes së drogës, ndërsa për këtë policia i kishte si të dyshuar për shitje droge. Por për shkak të parave borxh, Krasniqi dhe Luga, kanë kërkuar kthimin e borxhit. Mosbindja e palës tjetër sipas burimeve të policisë ka irrituar tre personat e tjerë, të cilët e kanë marrë në një automjet 20-vjeçarin. Personi është dërguar në Dajt, ku fillimisht i është pohuar se duhej të sqaroheshin, ndërsa më pas ai është mbajtur në një zonë malore duke u keqtrajtuar. Sipas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari në polici ai është mbajtur atje për rreth një orë, ndërsa më pas është lënë i lirë. Pas lirimit, 20-vjeçari ka denoncuar personat, të cilët janë shpallur në kërkim.