Ekspertët: Rritja e gjobave nuk sjell ulje aksidentesh

Sadiku thotë se gjobat tashmë janë shumë të larta. Sa për "të fortët" ata s'duan t'ia dinë për gjobat
ELBASAN - Inxhinier Ismail Sadiku me 45 vjet përvojë ka marrë pjesë në skena të panumërta aksidentesh dhe njeh mirë gjithçka në këtë fushë duke qenë ndër ekspertët më të specializuar. Pasi ka ndjekur diskutimet për ndryshimin e Kodit Rrugor për rritjen e gjobave, ai shprehet kundër tyre.
"Kam ndjekur me vëmendje diskutimin më të fundit dhe propozimet për ndryshime në Kod për gjobat. Këto masa justifikohen si një shtrëngim për uljen e numrit të aksidenteve.
Rritja e numrit të aksidenteve nuk vjen kurrsesi se mungojnë masat me gjobë. Ato edhe ashtu siç janë, konsiderohen të larta për një punonjës të thjeshtë që automjetin e ka mjet pune. Kurse "të fortët" e mjeteve luksoze nuk duan t'ia dinë për gjobat e larta.
Sipas një instituti studimesh në Francë, është arritur në përfundimin se një gjobë e vendosur rrit së tepërmi mundësinë për aksident, më shumë se kur gjatë rrugës drejtuesi është duke folur në telefon, ndez cigare apo kërkon stacionet e radios. Ndërkohë, një tjetër studim ka konkluduar se rreziku për aksidente është 4 herë më i madh tek personat e divorcuar (për të mos llogaritur hallet e problemet e shumta që kanë shqiptarët).
Veç të tjerash, tek ne aksidentet i shkakton më shumë ideja që kanë shumë drejtues mjetesh, pronarë rrugësh ose kombësorë se shkelja e tyre nuk do të evidentohet. Kjo ide lind nga mungesa e aftësisë kontrolluese dhe parandaluese të organeve që duhet ta bëjnë këtë punë. Rritja e kësaj aftësie është ajo që duhet të shqetësojë shtetin. Këtu përfshihen disa momente që duhet të merren në konsideratë.
Qarkullimi kërkon punonjës specialistë të mirëfilltë, të paguar mirë dhe të pajisur me mjete të kohës të domosdoshme për organizimin e qarkullimit dhe sinjalistikës, të kenë të drejtë të bllokojnë rrugët kur është dëmtuar ose nuk ekziston sinjalistika, të kenë të drejtë të gjobisin pronarin e rrugës përkatëse kur ajo nuk plotëson kushtet e lëvizjes.
Të gjobiten edhe kalimtarët
Sadiku shprehet se në shumë raste, veç aksidenteve që sjell përdorimi i alkoolit apo drogave të tjera, të cilat çojnë në tejkalim shpejtësie dhe humbje kontrolli të mjetit, shumë aksidente vijnë nga prerja e rrugës së mjetit nga këmbësori, vepër që parashikohet nga neni 188 i Kodit Rrugor.
"Për ta zbatuar nenin 188 nuk ka asnjë masë parandaluese veç viktimizimit të personit që bëri shkeljen, - shprehet eksperti. - Gjithashtu shikojmë që në shumë raste njerëzit që janë specializuar për qarkullimin, lëvizin duke u vendosur në pozicione të tjera, ndërsa në vend të tyre vihen të tjerë që duan shumë kohë të specializohen".
Ai thekson se "një nga masat më të rëndësishme që duhen marrë në situatën ku jemi, sidomos për të evituar korrupsionin për gjobat, është ngritja e një gjykate të shkeljeve të kodit rrugor ose përcaktimi i një strukture që do të ndjekë problematikat respektive të vendosë duke dëgjuar të dyja palët kur ka ankesa".
Sadiku thotë se shteti duhet të edukojë dhe informojë publikun përmes mediave lidhur me aksidentet në rrugë dhe evitimin e tyre. "Mendoj se masat e mësipërme dhe shumë të tjera (që të gjitha dihen) do të çojnë në minimizim të aksidenteve, dhe jo rritja e gjobave të cilat edhe ashtu siç janë, konsiderohen shumë të rënda për xhepat e shqiptarëve", përmbyll eksperti Ismail Sadiku.