E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadoi paraburgimi, Pinari e Delijorgji kërkojnë liri

Avokatët e të dy pandehurve pretenduan se ndaj klientëve të tyre ka përfunduar paraburgimi, që nga dorëzimi i dosjes në gjykatë


Prokuroria kërkon rrëzimin e kërkesës me pretendimin se ka pasur pezullime të herë pas hereshme afatesh


TIRANË- Të pandehurit Mihal Delijorgji e Ylli Pinari, të akuzuar si "arkitektët" e fabrikës së "ferrit" në Gërdec, ku si pasojë e shpërthimit të 15 marsit 2008 vdiqën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën, i kërkuan dje gjykatës së Shkallës së Parë lirimin nga burgu.


Kjo kërkesë sipas avokatëve, bëhej pasi klientët e tyre kanë përmbushur afatin 12- mujor të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale në lidhje me kohëzgjatjen e paraburgimit gjatë fazës së gjykimit të dosjes penale, për veprat të cilat ata akuzohen.


Fillimisht, avokati Maksim Haxhia, që mbron të pandehurin Mihal Delijorgji, iu drejtuar treshes gjykuese të çështjes me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Kjo kërkesë, sipas Haxhisë, bazohet në nenin 263 të K.Pr.Penale, që parashikon afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit.


"Që me 14 mars 2009, kur Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi aktet hetimore në Gjykatën e Lartë dhe deri më tani nuk ka një vendim ndaj klientit që unë përfaqësoj. Kështu që bazuar në nenin 263/ 2 të K.Pr.Penale, që parashikon afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit, kërkoj lirimin e menjëhershëm të Mihal Delijorgjit. Ky lirim vjen bazuar në nenin e sipërcituar për shkak se që prej 14 muajve që nga dita e dorëzimit të dosjes në gjykatë, ndaj klientit tim nuk ka një vendim të saj- tha Haxhia.


"Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dhënë vendimi i dënimit në shkallë të parë: dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm"-thuhet në nenin 263/2, të Kodit të Procedurës Penale të cilin citoi Haxhia. Pas kërkesës së avokatit Haxhia, para trupit gjykues, përsëriti të njëjtin argument edhe mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ylli Pinari, avokat Bashkim Asllani.


Kërkesat e dy të pandehurve u kundërshtuan nga prokurorët e çështjes, të cilët në përfundim të arsyetimit të tyre ligjor kërkuan nga Gjykata rrëzimin e kërkesës.
"Dosja penale ndaj 28 të pandehurve, mes tyre edhe shtetasit Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, është dorëzuar pranë kësaj gjykate më 11 qershor 2009.


Që nga ajo datë e deri më tani janë bërë 12 muaj, por, të pandehurve në shumë seanca gjyqësore iu janë pezulluar këto afate për shkak të mungesës së paarsyeshme të avokatëve mbrojtës në seanca gjyqësore.


Gjithashtu nuk mund të njihet data e dorëzimit të dosjes ajo e dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë. Me këtë argument, prokuroria kërkoi rrëzimin e kërkesës së avokatëve,- tha një nga katër prokurorët e çështjes.


Pas këtyre pretendimeve të palëve, kryesuesi i trupës gjykuese, Ridvan Hado, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për dy ditë për të numëruar afatet e paraburgimit për të pandehurit. Pritet që në seancën e ditës së mërkurë Gjykata të shprehet në lidhje me kërkesat e avokatëve të pandehurve Delijorgji e Pinari.


Dëshmitarët, mungon sërish miku i familjes së kryeministrit


Seanca e djeshme gjyqësore, përveç kërkesave për lirimin e dy të pandehurve, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, vazhdoi edhe me pyetjen e shtatë dëshmitarëve të radhës të akuzës.


Mes tyre, ishin dy familjarë të dy viktimave që kanë humbur jetën nga shpërthimi 15 marsit 2008, Festime Ase dhe Selvie Hamolli. Më pas u dëgjuan rrëfimet e dy dëshmitarëve, Selim Aliu dhe Glodian Gërdeci, të cilët që nga ajo ditë kanë mbetur invalidë nga plagët e marra.


Më pas u dëgjua dëshmia e Rigon Durda, i ati i Roxhers Durdës ky i fundit si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur, i cili paditi ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Lartë, padi e cila më pas u pushua.


Juristi i Ministrisë së Financave, Ergys Qirici, dhe këngëtari Naim Faruku, që në momentin e shpërthimit po këndonte në një dasmë në lokalin në afërsi të vendit të shpërthimit. Të gjithë këta dëshmitarë provuan faktin e shpërthimit të fabrikës së demontimit dhe pasojat e sjella tek ata. Ndërkohë, edhe në seancën e djeshme gjyqësore, nuk u paraqit dëshmitari i thirrur nga akuza, shtetasi Rrahman Selmanllari, i njohur si miku i djalit të kryeministrit Sali Berisha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›