Ekspertët: Shpërthimi ne Gerdec nga saldimi
Ekspertët zbardhin shkaqet që sollën shpërthimin e tragjedisë së Gërdecit. Edhe pse nuk mungojnë pistat e tjera, jo vetëm aksidentale, por edhe veprim i qëllimshëm, mbledhja e dëshmive nga prokurorët që gjendeshin në repartin e Gërdecit ditën e 15 marsit ka sjellë fakte të tjera, që u shtohen dyshimeve mbi arsye që çuan në shpërthimin e fuqishëm të tre javëve më parë. Sipas burimeve të konfirmuara, bazuar në deklaratat e punëtorëve që kanë treguar çfarë kanë parë në momentet e fundit para se të ndodhte katastrofa, thuhet se një shkëndijë e shkaktuar gjatë saldimit, pak metra larg sektorit ku mbahej baruti, është arsyeja kryesore që u vuri flakë materialeve e mandej solli shpërthimin e municioneve. Megjithëse këto deklarata u janë bashkuar dosjeve tashmë voluminoze, pritet që secili nga grupet që po ekzaminojnë në kratere, të sjellin detaje të reja për të dhënë një version përfundimtar. Ndërsa hetimet po vazhdojnë ende me mbledhje deklaratash, marrje në pyetje, si edhe sekuestrim dokumentesh, burimet sqarojnë se janë siguruar gjithashtu edhe dokumente që flasin për furnizimin e repartit të Gërdecit nga 26 depo në rrethe. Përkatësisht reparti i çmontimit të Gërdecit mblidhte sasira të konsiderueshme municionesh për t‘i çmontuar nga Kukësi, Kruja, Tirana, Elbasani, Korça, Mati, Përmeti dhe Shkodra. Për shkak të hetimeve tepër sekrete, grupi hetimor e konsideron informacionin të klasifikuar dhe pasi dosja u mor në dorë në Prokurorinë e Përgjithshme, fare pak persona që kanë dijeni janë pyetur në organin qendror; shumica e tyre është përballur me grupin hetimor në zyrat e policisë.