E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pragu i ri për Kuvend, nga 4% deri në 20%

Pragu zgjedhor për të hyrë në Kuvend ka irrituar sërish partitë e vogla, të cilat kanë zbërthyer nismën e socialistëve, duke e cilësuar atë një "ferr" i vërtetë. Debati kryesor në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve është bërë në lidhje me përcaktimin e pragut zgjedhor, i cili duke u bazuar në sistemin që propozon PD-ja dhe PS-ja, sistem proporcional rajonal lë të kuptohet se pragu do të jetë i ndryshueshëm dhe jo një i tërë në të gjithë Republikën. Nëse miratohet sistemi i ri zgjedhor, atëherë pragu për të hyrë në Kuvend nuk do të jetë i njëjtë në të gjitha qarqet e vendit, duke nisur nga më i ulëti që është në Tiranë në 4%, deri në pragun 20%, që i përket qarkut të Gjirokastrës. Ky përcaktim i pragut në bazë të qarqeve është kundërshtuar nga partitë e vogla në Komisionin Parlamentar të Ligjeve duke theksuar se dy partitë e mëdha po vënë në gijotinë partitë e vogla. Deputeti i LSI-së, Spratak Braho, gjatë diskutimit të tij, është shprehur se ky propozim i dy partive të mëdha nuk mund të pranohet. Sipas tij, "edhe me proporcional të përzier me mazhoritar, edhe me proporcional të pastër ne mbetemi në këto nivele. Këtyre partive të tjera u bie gijotina, dy diktatorët e rinj të majtë dhe të djathtë Berishë dhe Ramë, po përpiqen të shkatërrojnë partitë e tjera". Në bazë të disa përllogaritjeve, deputeti i LSI-së, Braho, ka dhënë disa shifra rreth të cilave vërtitet pragu në qarqe të ndryshme, sipas të cilit janë shifra të cilat nuk kapen nga partitë e tjera. "Në Qarkun e Beratit, pragu është 12%, në Qarkun e Durrësit, pragu është 9%, në Qarkun e Dibrës, pragu është 14%, në Qarkun e Fierit, pragu është 6%, në Qarkun e Gjirokastrës, pragu është 20%, në Qarkun e Korçës, pragu është 8%, në Qarkun e Kukësit pragu zgjedhor është 25%, në Qarkun e Lezhës pragu është 14%, në Qarkun e Shkodrës, kufiri për hyrjen në Kuvend është 8%, në Qarkun e Vlorës, ky prag është 9% dhe vetëm në Qarkun e Tiranës është 4%", është shprehur Braho. Qëndrimi i deputetit të LSI-së është mbështetur edhe nga aleatët e tjerë të vegjël të majtë dhe të djathtë. Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, është shprehur se "jemi kundër këtij propozimi, sepse ndarja në qarqe cakton pragje të pamundura të realizohen nga partitë politike". Kryetari i PBDL-së, Arian Starova, deklaroi se "kjo është e papranuar, që partitë në momente të caktuara të ngrenë një gijotinë politike dhe të gjitha partitë e tjera nuk vlejnë asgjë. Kjo nuk shkon. Mendoj se sistemi aktual me pak korrigjime është sistemi më i mirë". Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin e Ligjeve, Frrok Gjini, ka deklaruar që "ky ligj të përmirësohet dhe të eliminohet Dushku", gjithashtu, ai i ka bërë thirrje Kryeministrit që të distancohet nga qëndrimet e socialistëve. Por pretendimi i partive të vogla nuk është marrë parasysh nga dy partitë e mëdha: PD e PS, të cilat unike në qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje, kanë theksuar se kjo është formula më e mirë për të shmangur "Dushkun". Deputeti socialist, Fatmir Xhafa, është shprehur, se sistemi më i përshtatshëm në kushtet e vendit tonë duhet të jetë sistemi proporcional rajonal, pra në zona zgjedhore shumemërore".

Pragu nëpër qarqe

Berat 12%

Durrës 9%

Dibër 14%

Fier 6%

Gjirokastër 20%

Korçë 8%

Kukës 25%

Lezhë 14%

Shkodër 8%

Vlorë 9%

Tiranë 4%



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›