Norvegji, Berisha: Investitorët, interes të investojnë në Shqipëri

Kryeministri Berisha ka deklaruar se ka një interesim të madh të kompanive të shumta norvegjeze për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë. Në një prononcim për mediat, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Shqipëri- Norvegji, kryeministri Berisha theksoi se e cilësoi si shumë të sukesshëm këtë Ëorkshop ndërsa shtoi se shumë nga kompanitë kanë treguar një interes të madh për kaskadat e Matit, lumenjve të Librazhdit, por edhe për kaskada të tjera.
“Norvegjia është lideri i Evropës në energjinë ujore, është lider në botë në ndërtimin e hidrocentraleve në të katër anët e planetit. Ndërmarrja kryesore e tyre energjetike është me investimin e saj në Shqipëri, në projektin më të madh të Shqipërisë, aktualisht edhe të Evropës, Kaskadën e Devollit. Interesi ynë i madh është që kompani të tjera norvegjeze të marrin pjesë në ndërtimin e hidrocentraleve në vendin tonë, me të cilat Shqipëria është e vendosur të ecë drejt një të ardhmeje jeshile, drejt një zhvillimi jeshil të saj” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se në takim u diskutua për ndërtimin e rrugës së re që lidh rrethin e Gramshit ndërsa theksoi se I ka garantuar investitorë që qeveria miraton së shpejt projektplanin e ndërtimit të kësaj rruge në KKRRSH dhe se është e vendosur që menjëherë të fillojnë punimet, në mënyrë që qytetarët e Gramshit të kenë një rrugë të re panoramike, ndër më të bukurat, buzë liqenit.
“Ishte një interes shumë i madh i kompanive norvegjeze, por e vërteta është se këto interesa tashmë janë ekzistuese në Shqipëri, pasi janë një seri lumenjsh në të cilat shumë kompani norvegjeze po funksionojnë. E rëndësishme është se aty kishte dhe shumë bankierë mjaft të interesuar për të financuar këto projekte” ka përfunduar Berisha.