E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Tiranë, 113 familje kërcënohen nga gjakmarrja

Gjin Marku: “Gratë zënë punë me emra të rremë dhe djemtë e rritur i dërgojnë drejt Jugut”. Kryetari i Komitetit të Pajtimit Kombëtar tregon mënyrën e jetesës në fshehtësi të këtyre familjeve

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjakmarrja nuk është fenomen i përhapur vetëm në veri të vendit. Dhjetëra familje jetojnë çdo ditë me frikën e hasmit edhe në kryeqytet. Edhe pse me sakrificën për të bërë një jetë ndryshe, shumë prej familjeve që janë në gjak kanë preferuar të zbresin në kryeqytet për të “mbijetuar”. Kryetari i Komitetit të Pajtimit Kombëtar, Gjin Marku, pohon për gazetën “Albania” se vetëm në kryeqytet janë 113 familje që kërcënohen çdo ditë nga gjakmarrja. Në një intervistë, ai shpjegon mënyrën e re të jetesës së këtyre familjeve, punët që arrijnë të sigurojnë gratë dhe largimin e djemve të rritur drejt qyteteve të Jugut, duke humbur kështu gjurmët e ndonjë gjakmarrjeje të radhës.

A ka në kryeqytet familje të ngujuara?
Po, ka familje të ngujuara në Tiranë. Numri i familjeve të kërcënuara nga gjakmarrja në kryeqytet është 113. Nga këto, 98 janë të ngujuara dhe e ndërrojnë herë pas here banesën, ndërsa 15 kanë besë të përkohshme. Këto 98 familje janë kontigjenti më i rrezikuar, sepse janë të kërcënuara në çdo çast, ndërsa në konflikte e përplasje për shkaqe pronash janë një numër shumë i madh. Vetëm në qytetin e Tiranës janë 2500 familje në një situatë të tillë konfliktuale. Familjet e ngujuara janë kryesisht nga veriu. Ato kanë mbetur të ngujuara sepse nuk kanë gjetur mundësinë e largimit nga Shqipëria. Shumica e familjeve që kanë qenë në hasmëri ose në konflikte të mprehta janë larguar nga Shqipëria. Atyre u sigurohet e drejta e azilit në vendet perëndimore sapo të deklarojnë se kanë rrezik dhe se kanë çështjen të arkivuar në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar. Për familjet që kërkojnë azil kërkohet informacion nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar nëpërmjet ambasadave ose vetë komisioneve që lidhen menjëherë me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar. Kur çështja në komisionet e azilit zvarritet apo refuzohet, emigrantët kanë të drejtën ta çojnë kërkesën në gjykatë, ku ne jemi prezent deri në shkallët më të larta. Fatmirësisht, drejtësia e këtyre vendeve, krejtësisht e pavarur, kur komisioni shtetëror e ka refuzuar kërkesën e emigrantit për azil, ka marrë për bazë dëshminë e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar.

Si arrijnë të jetojnë në kryeqytet?
Familjet në hasmëri i drejtohen metropolit në Tiranë e Durrës jo vetëm për t’iu shmangur rrezikut, por edhe për të gjetur një mundësi për mbijetesë. Largimi nga vendi i konfliktit e ul sadopak tensionin e palës së dëmtuar. Mbas kësaj lëvizjeje fillojnë dhe tratativat për të çuar njerëz për besë apo pajtim. Mbasi vendosen në metropol, gratë mund të marrin përsipër të punojnë në treg dhe fëmijët mund të shkojnë edhe në shkollë nëse janë në zona ku nuk kanë shumë të njohur nga krahina e tyre. Në metropol, edhe burrat apo djemtë, duke dalë me kujdes në orët më të sigurta, gjejnë mundësi për punë, veçanërisht në ndërtim, si punëtorë krahu. Disa familje në hasmëri që vendosen ne Tiranë e Durrës nëse nuk gjejnë për shumë vite mundësinë e largimit jashtë, u drejtohen të afërmëve që kanë në Shqipëri apo emigracion për të kontribuar sadopak. Ka shumë prej këtyre familjeve që detyrohen të mos qëndrojnë të gjithë në një vend apo banesë. Kur fëmijët janë djem të rritur, ata mund të shkojnë të banojnë në një qytet tjetër të jugut apo në Shqipërinë e Mesme derisa të nxjerrin lekët për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, ndërsa kur janë vajza ato e ndihmojnë familjen duke punuar e duke u shkolluar njëherësh.

Marrin ndihmë ekonomike nga shteti këto familje?
Shteti nuk ka mundësi t’i regjistrojë të gjitha familjet që hyjnë në hasmëri dhe që kanë nevojë për asistencë sociale, sepse nuk e ka të bazuar as në ligj. Konfliktet janë private dhe e vetmja mundësi janë përpjekjet e policisë për të larguar familjet nga njëra-tjetra ose për të mbrojtur atë familje që është më shumë e rrezikuar në kushtet e flagrancës së ngjarjeve. Ne jemi për ditë me këtë punë dhe nuk mundemi të fajësojmë organet shtetërore apo policinë për kaosin që shkaktojnë ligjvënësit dhe varfërinë që e mbjellin politikat e këqija. Administrata dhe policia janë të pafajshme. Faji është te politika, te lidershipi i saj, që e kanë sjellë dhe vazhdojnë ta mbjellin këtë gjendje në Shqipëri. Politika jonë nuk ka pasur as ka mision për zhvillimin e përparimin e shoqërisë shqiptare. Misioni i saj është krejtësisht në favor të interesave të operatorëve të mafias e të tregut që e duan varfërinë, që e duan krizën sa më gjatë që të gjejnë fuqi të lirë punëtore e të blejnë sa më lirë burimet e pasurisë së vendit. Edhe rendi nuk i intereson klasës sonë politike si dhe operatorëve të saj të huaj në treg. Reformat, për të cilat ata flasin, janë deformim i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës. Në të gjitha vendet e ndryshme të botës, ku klasa politike bëhet pjesë e lojës së mafias, vendi mbetet i varfër.
A ka pasur raste kur atyre u është rrezikuar jeta?
Jeta e familjeve në hasmëri është vazhdimisht e rrezikuar, qoftë edhe tek ato qindra e mijëra të tjera që kanë konflikte të ndryshme dhe ende nuk i kanë sheshuar. Në fshatra, pjesa më e madhe e familjeve janë në marrëdhënie konfliktuale për çështjen e tokës. Legalizimet e ndërtimeve informale kanë hapur telashe të tjera. Trafikimi i femrave brenda dhe jashtë vendit mbulon konflikte e hasmëri të padukshme.
Gjykatat nuk japin sa duhet drejtësi. Besimi te shteti është në nivelin më të ulët.

A ka dijeni policia e kryeqytetit për ekzistencën e këtyre familjeve me probleme hasmërie?
Policia e shtetit shqiptar, edhe pse përballet me kushte shumë të vështira të ekonomisë së tregut në këtë periudhë tranzicioni, ka qenë në lartësinë e duhur të kryerjes së detyrave. Mund të them pa frikë se 40 – 60 % e konflikteve të mprehta janë kontrolluar e parandaluar nga policia dhe misionarët e pajtimit ,duke eliminuar aq shumë krime kundër jetës sa asnjë polici tjetër në botë s’do mund ta realizonte në këto kushte si policia jonë. Por ata janë vetë familjarë e të varfër, si shumica e qytetarëve, ndaj edhe i kuptojnë situatat dhe i përkushtohen detyrës në kësi rastesh duke e kryer me profesionalizëm atë, pa shkaktuar telashe apo lënë probleme të tjera nga mbrapa. Nuk mund të përbaltësh punën e mijëra punonjësve të ndërgjegjshëm të policisë që sakrifikojnë gjithçka për të kryer sa më mirë detyrën. Ne që jemi në kontakt të përhershëm e dimë sesa e vështirë është puna e tyre dhe e njohim realisht kontributin e tyre, veçanërisht ndaj procesit të pajtimit e parandalimit të vrasjeve. Por policia nuk mund të sigurojë për çdo familje një agjent që të ruajë e të evidentojë konfliktet që lindin për shkak të mentalitetit, kulturës së ulët të qytetarëve apo politikës së keqe. Është politikëbërja ajo që duhet të stabilizojë gjendjen ekonomike e sociale të një vendi, të ngrejë nivelin kulturor e të ndërtojë shtetin e së drejtës pa shkaktuar përplasje, kaos, krim e korrupsion. Nëpërmjet ligjeve që shpik në parlament për interesat e saj e që bien krejtësisht në kundërshtim me interesat e qytetarëve, politika jonë do të vazhdojë të mbetet një e keqe shumë e rëndë mbi këtë vend.

113
Është numri i familjeve të kërcënuara nga gjakmarrja në kryeqytet
98
Nga këto familje janë të ngujuara dhe e ndërrojnë herë pas here banesën
15
Janë familjet që kanë probleme me gjakmarrjen, por që kanë besë të përkohshme

1 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›