E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësit rusë në Ballkan, Shqipëria nuk përfiton nga projektet energjetike

Pas ”Gazprom”-it e “Nabuko”-s, në listë dhe “Rrjedha jugore”. Projektet ndalen deri në Serbi dhe anashkalojnë Shqipërinë

Vendi ynë, megjithëse pretendon të kthehet në një “superfuqi” të prodhimit të energjisë në rajonin e Ballkanit, nga era, uji, dielli, qymyri e deri tek energjia nukleare, ka mbetur jashtë rrugëkalimeve të naftës dhe gazit. Këto të fundit janë momentalisht dhe dy shtyllat energjetike që furnizojnë vendet e Bashkimit Europian, që janë dhe konsumatoret më të mëdha energjetike sot për sot në botë. Mbetja e Shqipërisë jashtë megaprojekteve të rrugëkalimeve të naftës dhe sidomos gazit, bën që të gjitha projektet e tjera energjetike të shihen me dyshim, pasi dhe ngritja e termocentraleve moderne që do të prodhojnë energji jo vetëm për vendin tonë, por edhe për shitje drejt tregut të BE-së, duhet që patjetër të furnizohen me naftë ose me gaz. Por edhe pse gjurmët e gazsjellësve më kryesorë të botës kalojnë fare pranë vendit tonë, shmangia e Shqipërisë deri tani nga këto projekte, sipas ekspertëve të fushës, e lë në dyshim të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Deri tani si më të privilegjuara mund të konsiderohen shtete si Serbia, Greqia, Bullgaria, madje edhe Maqedonia, të cilat janë vënë në hartën e gjurmëve të këtyre gazsjellësve. Në fund të vitit të kaluar, në Moskë, Rusia dhe Serbia, në prani të presidentëve përkatës, Dimitri Medvedev dhe Boris Tadiç, nënshkruan tri marrëveshje të rëndësishme: një për ndërtimin e gazsjellësit “Juzhni tok” (Rrjedha jugore), një tjetër për shitjen e 51 për qind të aksioneve të NIS-it (Industrisë së Naftës të Serbisë), kompanisë së madhe ruse “Gaspromnjeft” dhe një të tretë, që ishte memorandum për përfundimin e ndërtimit të depos së madhe të gazit “Banatski dvor” në Serbi. Arritjes së këtyre marrëveshjeve iu bë një reklamë e madhe, sidomos nga ana e Serbisë.

Leverdia e projekteve

Ndryshe nga Shqipëria, që momentalisht është jashtë çdo harte zhvillimi, me ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha jugore” Serbia ka shansin të zgjidhë në një periudhë afatgjatë çështjen e stabilitetit energjetik dhe të bëhet, sikurse synon, një nyje energjetike gazi në Ballkan. Sipas projekteve, është parashikuar që furnizimi me gaz i Serbisë përmes gazsjellësit “Rrjedha jugore”, që do ta marrë fillimin e tij nga qyteti rus Novorosijsk dhe do të kalojë poshtë Detit të Zi, përmes Bullgarisë, të nisë e pakta mbas pesë vjetësh dhe e shumta deri më 31 dhjetor të vitit 2015. Studimi i fisibilitetit, të cilin gjatë kohës së përcaktuar tashmë, duhet ta bëjnë “Gazprom-i” rus dhe “ENI” italian, por në bashkëpunim edhe me vendet nëpër të cilat do të kalojë gazsjellësi, pritet të përcaktojë itinerarin e saktë, kapacitetin përkatës dhe leverdinë financiare të projektit. Ekspertë të ndryshëm të fushës energjetike, para nënshkrimit të marrëveshjeve të lartpërmendura, shprehën mendimin se Rusia nuk e kishte marrë me seriozitet projektin e mësipërm, pasi ajo, në kushtet e krizës financiare globale, dëshironte të blinte kohën. Kështu që Serbia, e cila edhe në momentin e tanishëm varet 100 për qind nga importi i gazit rus, e ka të qartë se do ta blejë gazin me të njëjtin çmim që e blejnë edhe vendet e tjera importuese të tij. Kurse çmimi i gazit, sikurse edhe dihet, do të përcaktohet në varësi të lëvizjes së çmimeve të naftës bruto dhe derivateve (nënprodukteve) të naftës në tregun botëror.

Përfitimi për Serbinë

Serbia, si vend transit nëpër të cilin do të kalojë gazsjellësi në fjalë, do të mund të fitojë çdo vit përafërsisht 200 deri në 250 milionë dollarë vetëm si taksë transiti. Se sa do të jetë kjo shifër saktësisht, kjo do të varet, në radhë të parë, nga sasia e gazit që do të mbërrijë, përmes gazsjellësit, në Serbi, sasi që sidoqoftë, do të jetë shumë herë më e madhe se sa shpenzon aktualisht Serbia. Tani për tani vlerësohet që kjo shifër, pra sasia e gazit që do të mbërrijë në Serbi, të arrijë deri në 15-20 miliardë metra kub gaz, shifër të cilën shumëkush e sheh, pak a shumë reale, duke pasur parasysh se deri në Bullgari, përmes gazsjellësit, do të mbërrijnë 30 miliardë metra kub, ndërkohë që kjo e fundit nuk ka nevojë për më shumë se 4 (katër) miliardë metra kub, dhe kështu 26 miliardë metra kub të mbetur do t’i ndajnë mes tyre Serbia dhe Greqia, duke pasur parasysh se nevojat e kësaj të fundit janë shumë më të vogla sesa ato të Serbisë, kështu që nuk është jorealiste që në Serbi të mbërrijnë më shumë se 15 miliardë metra kub gaz.

“Rrjedha jugore”, shtrirja me dy degëzime shmang Shqipërinë

Gazsjellësi “Rrjedha jugore” parashikohet që të ketë dy degë: e para do të kalojë në veriperëndim, përgjatë Gadishullit Ballkanik, me qëllim që me gaz të furnizohen jo vetëm vendet e rajonit, por edhe veriu i Italisë dhe jugu i Gjermanisë. Kurse dega tjetër e saj parashikohet të kalojë përmes Bullgarisë e Greqisë dhe nëpër fundin e detit Adriatik, deri në jug të Italisë. Por në të dyja rastet gjurma e këtij gazsjellësi nuk parashikohet të kalojë nëpër territorin e vendit tonë, qoftë edhe transit. Nga Serbia njëra degë parashikohet të kalojë drejt Republikës së Bosnjë Hercegovinës, me qëllim që gazsjellësi të vazhdojë më tej në drejtim të Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Hungarisë, Austrisë deri në Baumgarten, që është qendra më e madhe e grumbullimit të gazit në Europë. “Gazprom”-i ka planifikuar që i gjithë gazi për të cilin ka nevojë Serbia, t’i shkojë kësaj të fundit përmes “Rrjedhës jugore”, që do të thotë se, kur të përfundojë gazsjellësi në fjalë, Serbia nuk do të marrë më gaz përmes Hungarisë, kështu që ajo do të mundë t’i shmanget pagesës së taksave transite, që në fakt, janë disa herë më të larta sesa paguajnë vendet e tjera. Çmimi në tregun botëror të gazit është 2-5 dollarë për 1000 metër kub gaz, por Hungaria ia llogarit Serbisë në atë mënyrë që ajo të paguajë 35 dollarë. “Rrjedha jugore” do ta ketë gjatësinë e kalimit të saj nëpër Serbi afro 500 km.

“Rrjedha jugore”, konkurrente me “Nabuko”-n, që kalon nga Turqia

Pavarësisht se “Gasprom”-i, që do të furnizojë me gaz rus një pjesë të konsiderueshme të Europës, në mos pjesën më të madhe të saj, as përafërsisht, sikurse thonë një numër jo i vogël ekspertësh, nuk do të ofrojë sigurinë që ofron “Nabuko”, gazsjellësi konkurrent i “Rrjedhës jugore”. Gazsjellësi rus do ta vendosë “Gasprom”-in në pozita monopoli, që e tregoi fakti ku edhe Franca, krahas disa vendeve të tjera anëtare të BE-së, e paracaktoi projektin e “Gasprom”-it, duke pasur synim që edhe ajo të furnizohet me gaz rus. Aktualisht Rusia eksporton 50 për qind të gazit të saj në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që, sikurse thuhet, kjo përqindje po rritet gjithnjë e më shumë për shkak të nevojave në rritje të këtyre vendeve. Në këto kushte, të paktën, në pamje të parë, nuk shihet ndonjë shqetësim ose nervozizëm te rusët lidhur me mundësinë që gazsjellësi “Nabuko”, të cilin e mbështesin SHBA-të, të konkurrojë “Rrjedhën jugore”. Ata thonë se “çdokush ka të drejtë të ndërtojë gazsjellës dhe është e drejta e çdokujt të zgjedhë gazin që dëshiron”. Problemi i “Nabuko”-s, në fakt, qëndron edhe te fakti se në Turqi, nga ku gazsjellësi duhet të vazhdojë më tej për në Europë, nuk ka gaz në sasi të mjaftueshme, ndërsa ajo është vetëm vend transit i kalimit të tij. Ekspertët thonë se “Nabuko” do të mundë të siguronte sasi të mjaftueshme gazi në rast se në të do të derdhej jo vetëm gazi nga Azerbajxhani, por edhe nga vendet e Azisë Qendrore.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›