E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për lojërat e fatit, rregullat e reja se ku mund të hapet një biznes i tillë

Qeveria përcakton largësinë midis bizneseve të tilla. Vendndodhja e tyre duhet të jetë larg institucioneve publike

Ervin Koçi

Qeveria ka përcaktuar rregulla të qarta në ligjin e ri “Për lojërat e fatit” edhe sa i përket hapjes së një biznesi të tillë. Ligji i ri ua njeh të drejtën e hapjes së këtyre lloj aktiviteteve të gjitha subjekteve dhe bizneseve të licencuara nga Ministria e Financave, por aty përcaktohen edhe kriteret se si duhet të rregullohen këto lloj biznesesh. Në udhëzimin e ri të hartuar nga Ministria e Financave, përcaktohet qartë vendosja e subjekteve të lojërave të fatit, distanca nga njëri-tjetri, lloji i reklamës që ata duhet të bëjnë, si dhe distanca që këto biznese duhet të mbajnë me institucionet publike dhe ato fetare. Specialistët e Financave kanë propozuar edhe disa rregulla të tjera për këto lloj subjektesh, të cilat e konsiderojnë aktivitetin e lojërave të fatit njësoj si duhanin. Në këtë mënyrë, ashtu si në spotet publicitare për paketat e duhanit, që detyrimisht duhet të shkruhet “Duhani dëmton rëndë shëndetin”, i njëjti shembull duhet të ndiqet edhe nga pronarët e kazinove dhe lojërave të fatit. Sipas këtij udhëzimi, në mjediset ku zhvillohet aktiviteti i lojërave të fatit duhet të ekspozohet gjithmonë një tabelë e dukshme paralajmëruese për lojtarët, me këtë përmbajtje: “Marrja pjesë në lojërat e fatit mund të ndikojë negativisht në gjendjen ekonomike të lojtarit”.

Distanca nga institucionet

Vendndodhja e lojërave të fatit dhe distanca mes tyre dhe subjekteve apo institucioneve me karakter socialo-kulturor apo fetar, përcaktohet qartë në ligjin e ri “Për lojërat e fatit”. Sipas udhëzimit të Financave, hyrja në mjediset ku zhvillohen lojëra fati ose reklamimi i vendosur jashtë ambienteve të tyre duhet të jetë jo më afër se 40 metra nga godinat e institucioneve arsimore, shëndetësore ose fetare apo dhe hyrja për në këto institucione, me kusht që këto institucione të jenë përballë mjediseve ku zhvillohen lojëra fati dhe të ekspozuara (që shihen lirshëm pa pengesa) ndaj tyre. Subjektet duhet të jenë jo më afër se 15 metra nga hyrja për në institucionet arsimore, shëndetësore ose fetare në rastet kur reklama apo hyrja për në mjediset e ku luhen lojëra fati ndodhen në të njëjtën rrugë që të çon në hyrjen e institucioneve të mësipërme. Gjithashtu, subjektet e lojërave të fatit nuk mund të hapen dhe nuk licencohen as në rastet kur ndodhen në të njëjtën rrugë që të çon në institucionet socialo-kulturore, arsimore apo fetare në rast se rruga (për këmbësorë ose automjete) që të çon drejt këtyre institucioneve është e vetme.

Pagesa e taksave

Përsa u takon kazinove elektronike, ligji parashikon se duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Kapitali themeltar i saj duhet të jetë jo më i vogël se 10 milionë lekë dhe të paguajë çdo vit një taksë prej 1 milion lekësh. Ky ndryshim në ligj ka favorizuar kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta të duan në sallonet e tyre, me kusht që të paguajnë taksat speciale. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë. Një ndryshim në këtë ligj është bërë për lotaritë kombëtare. Aty është parashikuar që licenca për lotari të tipit “Keno” ose “Bingo” të jepet vetëm një dhe ajo të ketë një periudhë 10-vjeçare. E njëjta periudhë është parashikuar edhe për kazinotë e mëdha. Por personi që fiton të drejtën për një kazino të madhe duhet të paguajë menjëherë 1 miliard lekë nëse ndodhet në Tiranë dhe 300 milionë nëse ndodhet në zona turistike. Kapitali themeltar i shoqërisë nuk mund të jetë më i vogël se 1.2 miliardë lekë, përveç 1 miliardëve që duhet të paguhen në shtet. Vendet ku mund të hapen kazinotë përzgjidhen vetëm nga Këshilli i Ministrave dhe një person nuk mund të hapë më shumë se një kazino. Bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe, nga ana tjetër, duhet t’u paguajë lojtarëve jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.

Pagesa e taksave, pronarët e kazinove duhet të paguajnë pa nisur aktivitetin

Sipas ligjit, të gjitha ato subjekte që do të kenë një sallë "Kazino elektronike" do të duhet të paguajnë që në ditën e hapjes së aktivitetit 4 milionë lekë parapagim në shtet. Për çdo makinë elektronike që do të jetë brenda sallës, do të duhet t'i japin shtetit, sipas detyrimeve të reja ligjore, 200 mijë lekë. Për 10 makina minimalisht, çdo biznesmen, që sot ka një sallë "Kazino elektronike", duhet të japë në buxhetin e shtetit 600 mijë lekë në muaj. Por e kundërta ndodh me ata që kanë "Video-lotari" apo, thënë ndryshe, “VLT”. Sipas përcaktimit të ligjit, në pikën 18 të Nenit 4, "Video-lotaritë janë lotari që luhen nëpërmjet video-terminaleve, të lidhura me një sistem rrjetesh elektronike, ku rezultati i lojës mbështetet në shansin e prodhuar nga serveri, bazuar në gjenerimin e numrave të rastësishëm". Ndërsa përcaktimi për makinat “slot” në pikën 24 të po këtij neni thuhet: "Makinë loje, nëpërmjet së cilës vetëm një lojtar mund të lejohet të luajë, në të njëjtën kohë, e cila ka një mekanizëm gjenerues të numrave të rastësishëm, të instaluar në makinë, që përcakton rezultatin e lojës". Për VLT (që është vetëm një licencë) ligji, në Nenin 44, pika 5.4, parashikon se "Organizatori i lojërave, të përfshira në licencën për lotari kombëtare, paguan tatim për lojërat e fatit 10 për qind mbi fitimin e realizuar". Pra, nëse fitimi i firmës do të jetë 600 mijë lekë, për shtetin do të paguhen vetëm 60 mijë lekë.

1 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›