E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Të mbështeten shoqëritë bujqësore

TIRANE- Ekspertët e shohin me optimizëm ngritjen e shoqërive bujqësore në vend si alternativa që do të organizojë bujqësinë në një stad të ri zhvillimi.

Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) Enver Ferizaj u shpreh se, prej vitesh janë ndërmarrë iniciativa për krijimin e këtyre organizimeve të fermerëve në formë kooperativash, por nuk kanë funksionuar pasi mungonte baza ligjore dhe informacioni i nevojshëm për të sensibilizuar fermerët për kooperimin bujqësor.

Gjithësesi shprehet ekspertë të bujqësisë, një pengesë për ngritjen e shoqërive bujqësore, vlerësohet përfshirja e kooperativave në sistemin fiskal.

Sipas tyre, kjo kategori duhet të përjashtohet totalisht nga taksat, pasi nëse fermerëve u duhet të paguajnë taksa, ata janë të prirur të zgjedhin daljen në treg të vetëm.
"Krijimi i kooperativave në vend do të thotë prodhime të kontrolluara dhe cilësore, si dhe dalje në treg me një kosto më të ulët"-thonë ato, duke nënvizuar se edhe qytetari i thjeshtë ka përfitim të dyfishtë nëse fermerët bashkohen në shoqëri bujqësore, pasi konsumon produkte më të sigurta dhe i blen ato me çmime më të ulëta.

Nga ana tjetër, buxheti i shtetit nuk parashikon asnjë fond për të financuar krijimin e shoqërive bujqësore. Ndërkaq, ekspertë të opozitës shprehën skeptikë për efektivitetin e ligjit për formimin e shoqërive bujqësore. Sipas tyre, për sa kohë nuk ka financim nga buxheti i shtetit, atëherë ligji nuk pritet të ketë asnjë efekt. Në përgjigje të këtij arguneti, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë sigurojnë se, projektligji nxit krijimin e shoqërive bujqësore, pasi vetëm në këtë mënyrë fermerët do të përfitonin, subvencione shtetërore, fonde nga Bashkimi Europian apo dhe lehtësi fiskale. Pra, nëse ndërmerren iniciativa për fermerët, përparësi do të kenë shoqëritë bujqësore dhe jo fermerët si individë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›