E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Të sigurohen "legalizimet"

Gjendja euforike me shpërndarjen e lejeve të legalizimeve rrezikon të pësojë lëkundje, në rast se nuk vlerësohet teknikisht i gjithë procesi. Janë evidentuar rreth 350 mijë objekte informale, të ngritura pa leje, të ndërtuara pa standard, që jo vetëm nuk garantojnë cilësinë e objektit në rast vërtetimi hipotekar, por nuk japin siguri në rast katastrofash natyrore ose teknologjike. Kjo mund të konsiderohet njëra anë e procesit të legalizimeve, por ana tjetër paraqet disa pengesa në drejtim të zbatimit të sigurimit të detyrueshëm për objektet e ngritura pa marrë miratimin e sigurisë teknik (sikundër ndodh me pallatet). Ekspertë të ALUIZNI-t, Ministrisë së Financave dhe tregut të sigurimeve, ndahen në disa drejtime, që në fund hasen në një variant të vetëm: sigurim të objekteve të legalizuara, për të shmangur kostot, aksidentet dhe pengesën për kredi.

ALUIZNI

Në zyrat e ALUIZNI-t janë të paktën rreth 350 mijë ndërtesa për legalizim. Koha kur u caktua edhe afati përfundimtar brenda të cilit ndërtimet pa leje do të shqyrtoheshin për legalizim

shënoi edhe kulmin e ndërtimeve pa leje. Ndërtesat njëkatëshe, nxituan të bëhen shumëkatëshe, njëri pjesëtar i familjes, nxitoi që të strehojë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Aq shumë shpërtheu dukuria e ndërtimit pa leje në këtë periudhë kohore sa lindën edhe 3-4 fabrika të reja prodhimi tullash, të cilat tashmë me rënien e fluksit të ndërtimit kanë mbetur pa punë ose punojnë me gjysmë kapaciteti, duke shitur me çmim thuajse sa kostoja e produktit. Shumëfishimi i ndërtimeve pa leje sigurisht është shoqëruar me krijimin e rreziqeve dhe premisave për ngjarje të rënda karshi të tjerëve. Deri tani ka përfunduar dosja e plotë për të paktën 120 mijë ndërtime pa leje, që do të thotë se në bazë të grafikut, shpërndarja e lejeve të legalizimit nga ALUIZNI mbyllet në mesin e muajit prill. Në dokumentet përkatëse mungon kriteri i sigurimit të objektit, duke lejuar certifikimin e një ndërtimi të pagarantuar. "Ne kemi zbatuar vetëm ligjin. Nuk na u kërkua që të shtonim edhe sigurimin për objektin. Në kushtet e vendosura në ligj, lejohet plotësimi i dokumentit për shtesat e pallateve. Pra, vetëm për këtë kategori ALUIZNI kërkoi oponencën teknike, pra sigurinë e pallatit dhe kontratën me kompaninë e sigurimit", thotë për "Shqip", Ferdinand Shehu. Sipas tij, nëse në ligjin e miratuar nga qeveria do të futeshin edhe objektet dy-tre katesh, nuk do të kishte problem të zbatohej nga ALUIZNI. "Mendoj se nuk mund të detyrojmë familjet me objekte të vogla që të sigurojnë patjetër objektin, si kusht për dhënien e lejes së legalizimit. Megjithatë, kjo është politikë e qeverisë dhe nuk do të kishte problem për ta zbatuar", thotë Shehu, duke shtuar se, "cilësia e objekteve të vogla nuk ka ndonjë dallim nga pallatet, edhe pse këto të fundit janë ndërtuar në bazë të rregullave tekniko-ligjore".

Ekspertët

"Sigurimi i detyrueshëm vetëm për objektet informale do të krijonte një garanci për banorët, duke penguar aksidentet dhe katastrofat për shkaqe natyrore", shprehet për gazetën një ekspert i territorit. Çështja që shtrohet nga ekspertët e pasurive të paluajtshme është nëse duhet kryer ky legalizim po qe se nuk merren masat për të garantuar kompensime dhe dëmshpërblime kundrejt të tretëve në raste fatkeqësish?! "Një projektvendim që e bën sigurimin e detyrueshëm të ndërtesave që presin të legalizohen pjesë të dosjes së tyre është në tavolinën e qeverisë që pret të shqyrtohet", shprehet një burim i sigurt pranë qeverisë. Edhe Ministria e Financave e pranon nën zë projektin e ri, por nuk jep detaje se kur do të zbatohet. Sipas një eksperti në fushën e tregut të sigurimeve, "ata banorë që duan të legalizojnë banesat e tyre duhet të kontribuojnë me një shumë të caktuar edhe për problemet që mund të ekspozohen nesër, pikërisht nga ndërtimet pa leje që këto kanë bërë". Në fakt, sipas ligjit ekzistues, parashikohet "deklarata personale që merr përsipër përgjegjësinë për çdo pasojë që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës". Sipas këtij ligji, shteti nuk është përgjegjës për kompensimin ose dëmshpërblimin në raste fatkeqësish si pasojë e faktorëve që ndikojnë në qëndrueshmërinë e objektit. Nëpërmjet ndryshimeve përkatëse ligjore, synohet të përmirësohen efektet negative financiare që mund t‘iu shkaktohen palëve të treta në raste fatkeqësish, të cilat, duke qenë shpeshherë në shifra të mëdha është e pamundur të përballohet nga shteti. E vetmja "humbje" e pakthyeshme në këtë rast për subjektet që aplikojnë për legalizim është primi i sigurimit, por që po të krahasohet me shumën e dëmit apo me shumën e fondeve rezervë për të përballuar fatkeqësitë është fare e vogël. "Arsyet që e bëjnë të domosdoshme sigurimin e detyrueshëm të ndërtimeve pa leje dhe të arsyeshëm një pretendim të tillë janë të shumta, mirëpo nëse ka vetëm një faktor kundër ky lidhet vetëm me kalkulimin politik që bëhet rëndom në raste të tilla", thekson një përfaqësues nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.

Nga njëra anë, procesi i legalizimit ka nisur dhe po stimulohet në radhë të parë prej faktit se zgjedhjet janë në prag, nga ana tjetër mund të ngurrohet pikërisht për arsye elektorale. Mirëpo legalizimi është një proces, që nëse nuk bëhet në mënyrë të kompletuar, mund të bëhet shkak i përhershëm për probleme të mëtejshme në të ardhmen.

Berisha:

Ka kosto të lartë

I gjendur në një panel gazetarësh, në debat Kryeministri Berisha pranoi problemin e sigurisë së dobët që paraqesin ndërtimet pa leje që po marrin legalizimin nga ALUIZNI. "Por nuk mund ta vendosë një gjë të tillë, pasi shkakton kosto shtesë për familjen", tha Berisha rreth mundësisë për vendosjen e sigurimit të detyrueshëm.

Detyrimi

Sigurim për bankat

"Shtëpitë i sigurojnë vetëm ata që detyrohen të marrin një kredi dhe e vendosin atë si kolateral. Janë bankat që ua vendosin si kusht. Të tjerët që kryejnë sigurimin e shtëpisë vullnetarisht janë më të rrallë. Kryesisht për këta të fundit bëhet fjalë për shtëpi të mëdha dhe vila të kushtueshme", shprehet një drejtues banke në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›