E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e fundit në rajon për kompjuterë

Shqipëria është përmirësuar disa herë me veten në drejtim të teknologjisë së informacionit mes viteve 2002 dhe 2007, por në total, mbetet ende në fund të listës mes vendeve të raportuara në Indeksin Botëror të Zhvillimit Teknologjik që u publikua së fundmi.

Shqipëria renditet në vend të 85 sipas vlerësimit të fundit, duke zënë vendin e fundit në rajon. Të gjitha vendet e tjera fqinje janë dukshëm më lart se ne. Maqedonia renditet e 65-ta, Bullgaria e 46-ta, Bosnja e 58-ta etj. Shqipëria ka fituar shumë pak vende në krahasim me vitin 2002, por pjesa tjetër e botës është zhvilluar shumë më shpejt në këtë drejtim duke na lënë prapa. Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit është një zyrë e OKB-së që rregullon numeracionin telefonik ndërkombëtar dhe çështje të tjera. Ai raporton çdo vit mbi ecurinë e vendeve anëtare të OKB-së në këtë fushë. Në krye të listës këtë vit qëndrojnë vendet nordike, ku Suedia është kampion në të gjitha drejtimet. Raporti i ri u publikua më 6 mars.

Shifrat

Shqipëria ka 18.5 për qind të popullatës lundruese në internet, sipas të dhënave të vitit 2007, ndërkohë që pesë vite më parë kishte vetëm 0.34 për qind të popullatës. Rreth 9.5 për qind e familjeve shqiptare kanë nga një kompjuter, ndërsa 75 për qind e popullatës zotëron një celular. Tregu i internetit me mbi 400 mijë vizitorë po konkurron edhe tregun e televizioneve në Shqipëri, ndërkohë që tashmë ka mposhtur prej kohësh tregun e gazetave fizike.

Megjithatë, ekspertët thonë se shqiptarët janë më së shumti thjesht konsumatorë në botën e internetit. Faqet që publikojnë rezultatet e basteve sportive konkurrojnë për nga numri i vizitorëve faqet e postës elektronike.

Pavarësisht se fqinjët tanë si Maqedonia, Bullgaria apo Kroacia janë më para se ne, të gjitha hyjnë në listën e vendeve të prapambetura në këtë fushë, sipas ITU.

Një vend konsumator

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit në Shqipëri ka ecur me ritme marramendëse gjatë viteve të fundit, por megjithatë, vendi nuk është bërë më konkurrues në treg ndërkombëtar. Produktet shqiptare në botën e internetit kufizohen tek informacioni që përhapin gazetat, ndërsa shumë pak kompani ofrojnë shërbime të kësaj fushe dhe pothuajse të gjitha në tregun vendës.

Interneti lindi njëzet vite më parë si një platformë ku do të shpërndaheshin dokumentet shkencore mes universiteteve të ndryshme. Por shpejt u kthye në një teknologji që mund të hapë rrugën drejt një lloji të ri modeli zhvillimor. Sipas "The Economist", interneti mund të bëhet modeli post-kapitalist i zhvillimit.

Në Shqipëri, konsumohen mesatarisht rreth 80 milionë dollarë pajisje telekomunikimi sipas disa kompanive që veprojnë në këtë treg. Gjatë viteve të fundit, qeveria ka kryer programe të shumta për zëvendësimin e metodave të vjetra me teknologjinë e informacionit, ndërsa një program qeveritar për të pajisur shkollat me kompjuterë dhe me internet duket se nuk e ka përmirësuar shumë renditjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare në këtë fushë.

Statistikat

* Shqipëria renditet në vend të 85 në botë në përdorimin e teknologjisë së informacionit

* 18.5 për qind e popullatës, rreth 400 mijë shqiptarë, kanë akses në internet

* 9.5 për qind e familjeve ose 76 mijë kanë një kompjuter. 8.7 për qind e familjeve kanë lidhje interneti

* Shqipëria është jashtë renditjeje për sa i përket përdorimit të internetit përmes valëve të celularit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›