Tre muaj punë për 70 metra rrugë
Pesë milionë lekë të reja dhe 40 ditë nuk kanë mjaftuar për të rikonstruktuar segmentin e rrugës "Vangjel Pandi" në qendër të qytetit të Sarandës. Mosrealizimi i investimit në afat dhe në cilësi ka qenë objekt edhe i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe bashkiakët e Sarandës thanë se do të bëhet penalizimi i firmës. Një fragment rruge, diçka më shumë se 70 metra, ka nisur të rikonstruktohet për të tretën herë brenda pak vitesh. Ai gjendet në qendër të qytetit të Sarandës, që nga njëra anë kufizohet nga muri rrethues i sinagogës e bazilikës së Sarandës dhe nga ana tjetër ka shatërvanin e qytetit. Investimi i fundit në të ka nisur nga firma "B&G" qysh më 30 dhjetor të vitit 2008, por nuk ka përfunduar ende, duke lënë të kalojnë edhe 90 ditë të tjera pas afatit të shpallur, që ka qenë 10 dhjetori.