E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Turizmi në Shqipëri pa strategji, rrezikohet mbledhja e të ardhurave

Mbajtja e çmimeve aspak konkurruese rrezikon largimin e turistëve

Ervin KOÇI

Sezoni turistik në vend rrezikon të kthehet në një regres të vërtetë për të gjithë operatorët turistik vendas si pasojë e mungesës së në strategjie të posaçme dhe mungesës së turistëve. Ky është mendimi që vjen prej ekspertëve të ekonomisë, të cilët e shikojnë me shqetësim mungesën e fluksit të pritshëm të turistëve si pasojë e krizës ekonomike. Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, sezoni turistik në vend rrezikon që këtë vit të jetë një dështim i vërtetë, kjo për shkak se atij i mundon strategjia që duhet të hartohej dhe të zbatohej në këtë kohë krize. “Midis operatorëve turistikë dhe shtetit shqiptar mungon komunikimi dhe strategjia e përbashkët për mbështetjen e këtij sektori gjatë kë tij viti të vështirë”, - ka deklaruar eksperti Preçi. Sipas tij, në një kohë që të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për shpëtimin e sektorit të turizmit gjatë kësaj vere ku kriza po godet edhe këtë sektor, në vendin tonë çdo gjë i është lënë rastësisë. “Në të gjitha vendet e rajonit që kanë të zhvilluar sektorin e turizmit, si Kroacia, Mali i Zi, Greqia dhe Turqia, qeveritë përkatëse u kanë bërë thirrje pronarëve dhe operatorëve turistik që të mbajnë të ulëta çmimet në një kohë që kanë marrë edhe masa lehtësuese për ti ndihmuar ata”, - thotë eksperti Preçi. Ai shton më tej se “e kundërta ka ndodhur në Shqipëri, ku nga vëzhgimet është parë se operatorët turistik që kanë në pronësi hotele, plazhe private dhe të tjera shërbime turistike, jo vetëm që nuk i kanë ulur ato, por i kanë të njëjta me të një viti më parë, por nuk përjashtohet as tendenca për rritje”. Sipas Preçit, në se në muajin gusht do të shtohet pak fluksi i pushuesve, mund të përballemi dhe me faktin e rritjes provizore të çmimeve nga operatorët që kërkojnë të përfitojnë. Por kjo gjë sipas tij, do të largonte sërish turistët dhe kryesisht grupet më potenciale që janë ata nga Kosova dhe Maqedonia, që mund të zgjedhin Malin e Zi ose Kroacinë për pushime.

Mungesa e strategjisë

Ndryshe nga sa kishte premtuar një vit më parë, qeveria nuk realizojë këtë verë uljen e taksave për operatorët turistikë dhe sektorin e hotelerisë në vend. Edhe pse strategjia e zhvillimit të turizmit, e miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikonte rishikim të sistemit të taksave të turizmit, këtë vit ato çka i janë shtuar këtij sektori janë taksat dhe gjobat. Kështu, pasi të nisë nga verifikimet në terren, Ministria e Turizmit dhe ajo e Financave duket se do të ngopin me gjoba të gjithë ata operatorë që këtë verë nuk do të plotësojnë standardet e kërkuara, ose nuk do të kenë kryer investimet e duhura. Në këtë strategji theksohet se “sistemi i taksave të turizmit nuk po mbledh mjaft taksa të përgjithshme që kanë lidhje me çmimet dhe shërbimet e shtrenjta që operatorët mbajnë gjatë vitit, por që nuk i deklarojnë ato”. Më tej thuhet se “hotelet i mbajnë çmimet e shërbimeve dhe dhomave të larta edhe gjatë kohës kur mbyllet sezoni turistik, por që nuk e deklarojnë këtë me justifikimin se gjatë kësaj kohe nuk kanë vizitorë”. Për pasojë, qeveria ka parashikuar një mori gjobash dhe sanksionesh të reja për të gjithë ata operatorë që nuk realizojnë ndryshimin e çmimeve të shërbimit sipas stinëve, por dhe që nuk plotësojnë standardet e kërkuara nga ministritë e linjës. Nga këto taksa nuk do të shpëtojnë as kompanitë e udhëtimeve dhe agjencitë turistike shqiptare që kanë lidhje me shtetet dhe kompanitë turistike të huaja. Por, nga ana tjetër, nga operatorët turistikë, taksat për turizmin cilësohen shumë të larta dhe të përqendruara kryesisht në hotele, duke pasur ndikime në uljen e numrit të turistëve.

Kriza në turizëm

Sezoni turistik në vend nuk mund ta fsheh krizën që e ka mbërthyer ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë. Edhe pse u premtua nga Ministria e Turizmit se, viti 2009 do të regjistronte dyfishin e sasisë së turistëve që kishin ardhur një vit më parë, deri tani sipas statistikave zyrtare numri është shumë herë më i ulët, në një kohë që turistët më të shpeshtë janë vetëm ata transit ose me qëndrim njëditorë. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2009 (6-mujori) është rreth 951.495 persona. Këtu përfshihen vizitorët e huaj më rreth 522.197 nga të cilët 13.384 janë vizitorë ditorë (vijnë dhe ikin brenda një dite, ose eskursionistë), ndërsa 508.813 janë vizitorë me net-qëndrimi ose turistë, edhe pse rijnë jo më shumë se një natë. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 429.298 persona. Periudha janar- qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje me vetëm 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008), ndërkohë që kjo rritje në krahasim me vitin 2005 është 2.4 herë më shumë. Me rrugë tokësore kanë hyrë 71 për qind e vizitorëve, 19 për qind me rrugë ajrore dhe 10 për qind me rrugë detare. Sipas qëllimit të udhëtimit për periudhën janar-prill raporti në përqindje (%) është 82 për qind për pushime, 5 për qind për biznes, 3 për qind vizitorë ditorë dhe 10 për qind të tjerë. Për këtë periudhë numrin më të madh të turistëve e zënë europianët me 92 për qind, më pas amerikanë, aziatikët dhe të tjerë me respektivisht 5, 2 dhe 1 për qind.

Shkurt////////////////////////////
Autoriteti i Konkurrencës gati gjobat për kompanitë monopol

Autoriteti i Konkurrencës ka planifikuar një diskutim me grupet e interesit për një rregullore të re për gjobat ndaj bizneseve. Dje janë diskutuar ndryshimet e propozuara në ligjin Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe projekt rregulloret mbi gjobat dhe mbi marrëveshjet e rëndësisë së vogël. Për herë të parë në vendin tonë nga ky autoritet do të monitorohet prodhimi vendas i karburanteve. Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo. Sipas saj, një gjë e tillë do të bëhet pasi ky treg ka mungesë konkurrence dhe ndaj duhet realizuar një studim i plotë për të treguar se ku çalon ecuria e tij në këto kushte. Një vit më parë është hartuar një hetim i mëparshëm i cili ka treguar se marrëveshjet mes kompanive që tregtojnë karburante me shumicë ka shmangur konkurrencën dhe për pasojë çmimet janë të larta. Kompanitë e shumicës janë akuzuar nga disa drejtime se po mbajnë të lartë çmimin e naftës në tregun e brendshëm dhe kjo bën që çmimi i tyre të mos luhatet, në një kohë kur në tregjet e huaja ai bie. Sipas kryetares Lati, miratimi i shpejtë i rregulloreve, "Për Gjobat dhe Lehtësimin prej tyre" dhe "Për Marrëveshjet me Rëndësi të Vogël (De minimis)", do të ndikojë në përmirësimin e zbatimit të politikës së konkurrencës. Sipas saj, përmirësimi i legjislacionit synon realizimin e konkurrencës me anë të rregullave për funksionimin e ndërmarrjeve, institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konkurrencës dhe përgjegjësitë e tyre. Gjatë këtij takimi, përfaqësues të biznesit dhe institucioneve përgjegjëse, vunë theksin në rëndësinë që merr zbatimi i ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës" për të luftuar lulëzimin e praktikave monopoliste që rrjedhin nga praktikat anti-konkurruese të subjekteve që operojnë në treg.

“JAB Resources” studion mundësinë e ngritjes së një uzine ferrokromi në Shqipëri

Kompania e burimeve minerale “JAB Resources Limited” është duke planifikuar zgjerimin e aktivitetit të saj mbi kromin në Shqipëri, pas marrjes së dy lejeve të reja të zbulimit të dhëna nga Ministria e Ekonomisë. Drejtori Ekzekutiv i “JAB Resources”, Rob Murdoch sugjeroi që dy lejet e reja të eksplorimit, të cilat mbulojnë zonën e Tropojës së bashku me lejen ekzistuese për zonën e Kalimashit mund të pajisin kompaninë me një potencial të madh burimesh kromi, çka dhe i japin mundësi kompanisë të fillojë planifikimin e realizimit të një projekti afat gjatë dhe frutdhënës në Shqipërinë veri-lindore. “JAB” filloi kërkimet për krom në vitin 2008 dhe pas një studimi të suksesshëm fizibiliteti, së fundmi ka aplikuar për lejen e parë minerare të shfrytëzimit të kromit, sipërfaqe e cila është brenda lejes së zbulimit 1125 në Kalimash. Pas marrjes së lejes së shfrytëzimit, “JAB” planifikon fillimin e ndërtimit të menjëhershëm të një kariere moderne dhe fabrikës së pasurimit, që do të jetë edhe faza e parë e projektit. Ngrija e një uzine ferrokromi do ti japë mundësinë “JAB Resources” të përmirësojë koncentratin e prodhuar nga fabrika e pasurimit me përmbajte nga 40% Cr2O3 në 60% metal kromi gjë që rrit në mënyrë të konsiderueshme vlerën në euros të vjelur nga eksporti Shqiptar. “JAB” e konsideron ndërtimin e kësaj uzine ferrokromi mbështetur në teknologjinë më të avancuar të njohur sot si “Direct Current Electric Arc Ferrochrome Smelter”, e aftë për të përdorur koncentrat kromi që kompania do ta prodhonte nga fabrika e pasurimit, pa qenë nevoja që të briketohet, çka do të ishte shumë e kushtueshme. Sipas Murdoch, nëse testi paraprak do të demonstronte se një uzine ferrokromi do të mund të ndërtohet në Shqipëri, kjo do të thotë se vlera do të ishte më e lartë ndërkohë që punësimi dhe shkëmbimi i valutës do të shtohej shumë më tepër sesa të eksportohej vetëm si koncentrat .

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›