LSI: Procesi i ankimeve në Kolegjin Zgjedhor të jetë ligjor dhe i shpejtë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur qëndrimin dhe deklaratën e Ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian lidhje me veprimtarinë e Kolegjit zgjedhor. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së Edmond Haxhinasto tha se LSI-ja gjithmonë ka kërkuar që institucionet pjesëmarrëse në procesin zgjedhor të kryejnë detyrat e tyre funksionale kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga presionet politike. Haxhinasto tha se LSI-ja inkurajon zhvillimin e një procesi ligjor e të shpejtë për vlerësimin e ankesave dhe për shpalljen përfundimtare të rezultatit zgjedhor. “LSI tashmë ka deklaruar publikisht se të gjithë institucionet pjesëmarrës në procesin zgjedhor duhet të kryejnë detyrat e tyre funksionale kushtetuese e ligjore në mënyrë të pavarur, të pandikuar nga presionet politike të cilitdo kah qofshin ato. Ne inkurajojmë një proces ligjor e të shpejte për vlerësimin e ankesave dhe për shpalljen përfundimtare të rezultatit zgjedhor. Sigurisht që ky lloj inkurajimi, ashtu si edhe qëndrimi i djeshëm i ambasadorëve, nuk do të ishin të nevojshëm nëse procesi zgjedhor do të kishte funksionuar sipas standardeve në të gjithë hallkat e tij, standarde që LSI i ka kërkuar me forcë gjatë katër viteve të fundit”, deklaroi Haxhinasto. Sipas kreut të KDK-së së LSI-së e vetmja mënyrë që shmang dhe nuk përsërit defektet, në proceset e ardhshme zgjedhor është përgatitja e një Kodi të Ri Zgjedhor, i cili prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme. “Prandaj, me qëllim që këto defekte të mos përsëriten përsëri në proceset e ardhshme zgjedhore, është e domosdoshme që një nga objektivat kryesore të legjislaturës së re është përgatitja e një Kodi Zgjedhor që prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme dhe sipas standardeve që na kualifikojnë si vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Haxhinasto.
23 Korrik 2009