E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi në Shëngjin, bukuria që rrënohet nga qeverisjet



Albert Gjoka

Nëse planifikon të kalosh një fundjavë ose pushimet e verës në gjirin e bukur të Shëngjinit, do të ndjesh dhe provosh njëherësh dy gjëra të kundërta; bukurinë dhe neverinë; do të shijosh resurset turistike që i ka falur natyra apo që janë ndërtuar me mundin dhe djersën e privatëve; ndërsa fare pranë freskisë dhe luksit ndodhen kazanët plot me plehra, mushkonjat bezdisëse, era kutërbuese e naftës apo benzinës dhe mbeturinat e hedhura kuturu të industrisë së peshkut. Sakrifica dhe investimet e qytetarëve përgjatë bregut të mrekullueshëm janë sfiduar në mënyrë të turpshme nga qeverisja vendore por edhe ajo qendrore. Depozitat në hyrje dhe në zemër të qytezës po i marrin frymën industrisë turistike, e cila mund të sillte të ardhura të konsiderueshme për të gjithë banorët e Shëngjinit dhe siguronte të ardhmen e tyre.
Sezoni nis i varfër..
Deri më 15 korrik thuajse të gjitha dhomat e hoteleve ishin bosh, ndërsa çadrat në bregdet hapeshin tek-tuk sa për të thënë se në breg dikush gjallonte. Pranvera e stërzgjatur, me plot reshje dhe fushata e ndezur e zgjedhjeve i grabitën sezonit plot 45 ditë; ndërkaq, kanë mbetur thuajse edhe po aq ditë që pronarët e komplekseve turistike apo edhe banorët e zonës të nxjerrin bukën për 10 muajt e tjerë të vitit. “Pjesa më e madhe e apartamenteve që kam në dispozicion të pushuesve janë bosh”, - thotë njëri prej pronarëve të një kompleksi në hyrje të Shëngjinit. Ndërsa menaxheri i një hoteli të ofronte dhoma edhe me 15 euro deri një javë më parë. “Ky sezon ka nisur keq”, - thotë Zef Pemati, - menaxheri i një kompleksi turistik. Pronari i një tjetër hoteli që ndodhet në zonën përtej Portit të ofronte një dhomë me vetëm 25 euro nata deri para dy ditësh, paçka se hoteli ngjitur e kishte çmimin thuajse dyfish më të lartë.
Një menaxher thotë se kaosi i çmimeve ka ardhur për shkak të kërkesave të ulëta që kishte deri më 15 korrik. Këto ditë bregdeti i Shëngjinit është mbushur plot me pushues të zonave veriore, Tiranës apo të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia. Më së shumti janë kosovarë. “Shëngjini tani është shumë afër, por presim që të ketë pastërti dhe çmime konkurruese me vendet e rajonit”, - thotë një pushuese nga Mitrovica. “Pritëm në hyrje të tunelit të Kalimashit rreth 30 minuta, por ia vlente, sepse kemi ardhur për më pak se 3 orë në bregdet”, - shton ajo. Frani nga Prishtina, emigrant në Zvicër, nuk ia përtonte, dhe ngrihej vetë, që në orët e para të mëngjesit, për të pastruar rërën dhe bregun nga papastërtitë e shumta. “Bukuritë turistike që iu ka falur natyra po i shkatërroni me dorën tuaj”, - tha kryefamiljari nga Prishtina, i cili kishte ardhur bashkë me gruan dhe dy vajzat për të kaluar 15 ditë në një hotel ku paguante çdo natë 35 euro. Ai thotë se vitin tjetër nuk vjen në Shqipëri nëse nuk përmirësohen kushtet e higjienës në zonat bregdetare.
Në fundjavë, Shëngjini mbushet plot edhe me pushues që kanë apartamentet e tyre në bregdet apo banorë të kryeqytetit që duan thjeshtë të shijnë ajrin e pastër, detin apo peshkun e restoranteve të kësaj zone. Të dielën që lamë pas, popullsia e Shëngjinit ishte trefishuar për shkak të fluksit të madh të turistëve, ndërsa dora e qeverisjes vendore nuk ndihej askund.
Weekend-i i komunës
Pronari i një hoteli në hyrje të Shëngjinit ndihej i shqetësuar pasi prej tri ditësh askush nuk hiqte plehrat nga kazanët që ndodheshin fare pranë pronës së tij. Ai thotë se ka biseduar në telefon me kryetarin e komunës dhe ai i është përgjigjur se nuk mund të bënte asgjë, pasi administrata dhe firma e bënte pushim përgjatë fundjavës. “E vetmja zgjidhje është që të paguaj vetë për ti hequr, pasi klientët e mijë po ndihen gjithnjë e më të bezdisur nga era e keqe që vjen prej kazanëve të plehrave”, - ankohej ai teksa thotë se këtë vit ka investuar mbi 200 mijë euro për të rikonstruktuar hotelin dhe mjediset përreth, për të blerë çadrat dhe për të ndriçuar mjediset e jashtme, për t’i gjelbëruar dhe për të ndërtuar pistën verore.
Mungesa e qeverisjes vendore ndihet akoma më shumë teksa merr mundimin të bësh një shëtitje nëpër qytezë. Trotuaret janë arnuar tek-tuk me pllaka, ndërsa në pjesën tjetër gjithçka e pushton balta, pluhuri dhe gërmadhat e objekteve të prishura nga policia ndërtimore, të cilat dukeshin si rrënoja lufte. Thuajse të gjitha rrugicat që të nxirrnin në breg ishin të pa asfaltuara. Shëtitorja e qytezës mbaron tek Porti dhe do të duhej të ecje në një rrugë gjithë gropa dhe pa asfalt për të shkuar tek zona e quajtur “Rana e hedhme”, në të cilën shteti nuk ka investuar asnjë kacidhe, përkundër faktit që privati ka investuar miliona eurove në hotele, pista, infrastrukturë dhe objekte të tjera në funksion të industrisë turistike.
Pasi provoje ndjesinë e keqe, teksa ecje në këmbë nëpër rrugët e Shëngjinit, nuk mund të pyesje më nëse ka një kinema, apo nëse komuna ka një plan aktivitetesh për të argëtuar miqtë e shumtë që po vijnë gjatë kësaj vere.
Demagogjia e qeverisë
Premtimi për 24 orë ujë dhe drita në Shëngjin ishte vetëm një mashtrim, i cili tingëllon i vërtetë vetëm në Tiranë. Dritat fikeshin dhe ndizeshin shpeshherë dhe zgjidhje e vetme ishte gjeneratori apo panelet diellore, të cilat duken sheshit mbi tarracat e hoteleve përgjatë bregut. Uji ka erë squfuri, apo shije kripe për shkak të puseve që kanë hapur pronarët e banesave. E bashkë me to, çdo turist nuk mund të harrojë edhe mushkonjën e Knallës, e cila ishte rritur dhe shëndoshur shumë me gjakun e pushuesve pasi prej më shumë se 10 vjetësh shteti nuk ka bërë asgjë për dezinfektimin e zonës. “Para disa vjetësh, aeroplanët e vegjël të shtetit spërkasnin arat, kënetën dhe zonën e bregut për ta pastruar zonën nga insektet”, - thotë një grua që shet çdo ditë gazeta dhe libra përgjatë bregut, nëpër çadrat e pushuesve. Pesimizmi i kishte pushtuar sytë dhe asaj nuk i intereson më asgjë; Madje as zgjedhjet dhe fituesi i tyre. “Askush nuk ma heq çantën e rëndë me libra dhe gazeta”, - thotë nëna e tre fëmijëve, të cilët duan para për tu ushqyer dhe shkolluar.
Por, goditja më e rëndë për turizmin vjen nga industria e karburanteve. Tankerat kanë pushtuar qytezën bregdetare. Që pa hyrë në qytet, në mes të Knallës dhe në zemër të Shëngjinit janë ngritur, madje edhe kohët e fundit, me dhjetëra depozita plot me karburant, të cilat tashmë shërbejnë si imazhi më negativ për të promovuar industrinë turistike në këtë zonë. Teksa pyetëm një sipërmarrës nëse do të hiqen këto depozita sipas ligjit, ai thotë se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe për shumë vjet. “Shëngjini është porti i Kosovës dhe depozitat nuk do të hiqen lehtë”, - sqaron ai. Përmes këtij porti drejt Kosovës do të shkojë edhe naftë, prandaj këto tankera nuk do të zhvendosen drejt Porto Romanos”, - sqaron ai. Në orët e vona të mbrëmjes, era e detit dhe e pishave përqark zëvendësohej nga era e naftës apo gazit që rridhte nga pontilet e Portit apo depozitat që ndodhen përreth. Përveç depozitave informale, një tjetër monument anti-ligjor në Shëngjin është edhe katrahura urbanistike në bregun e detit. Me dhjetëra pallate shumëkatëshe janë ndërtuar pa shije dhe plan në rërën e bregut, të cilat kanë vetëm lejen e pushtetit. Ndërsa pyet thuajse të gjithë banorët e zonës, ata të thonë emra deputetësh dhe ministrash që kanë në pronësi objektet e betonta që kanë shkatërruar gjithë bregdetin.
Nëse do të harrosh dorën shkatërruese të shtetit në këtë resort turistik që na ka falur “padrejtësisht” natyra, nuk mund të harrosh as praninë e madhe të xhet-skive dhe jahteve të vegjël që lundronin fare pranë bregut, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Ndërsa në Durrës, Velipojë apo Vlorë policia bregdetare bënte operacione për të ndaluar motorët e ujit, në Shëngjin shkelej hapur edhe Moratoriumi anti-skaf. Objekte lundruese lëviznin fare pranë bregut në mes të ditës, ndonëse ligjërisht ishte e ndaluar.
Përtej reklamës
Teksa lë Shëngjinin, mendja të mbetet tek billdborderat e hoteleve dhe komplekseve turistike që janë vendosur përgjatë rrugës deri në Lezhë dhe gjatë autostradës deri në Tiranë, të cilat yshtin vazhdimisht kalimtarët e shumtë për të kaluar qoftë edhe një natë në dhomat luksoze. Aty gjithçka duket e bukur dhe relaksuese. Në të vërtetë ato janë të tillë. Sipërmarrësit kanë shpenzuar me miliona euro në këto objekte, të cilat llamburijnë në mes të shëmtisë. I vetmi mëkat i tyre është se ata kanë investuar në industrinë e turizmit, kur qeverisja qendrore dhe vendore po punojnë çdo ditë për ta shkatërruar atë. Këta pronarë po punojnë që ta ruajnë dhe ta shtojnë bukurinë e natyrës, ndërsa pushteti për ta ndotur atë.
Teksa lë Shëngjinin, mendja nuk të vete për tu kthyer sërish; dhe kjo ndodh jo për shkak të asaj që na ka dhuruar natyra apo që ka bërë dora e guximshme e sipërmarrësit, por për shkak të rrënimit të vazhdueshëm të bukurisë prej qeveritarëve që po paguhen prej nesh për të rrënuar të ardhmen tonë. Shëngjini është një bukuri e tillë e shëmtuar.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›