E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Fushata penalizuese sjell diktaturë në parti

 

Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, reagoi dje pas përpjekjeve për të shkarkuar kryetarin e PS-së Lushnjë nga njerëz të kreut socialist Edi Rama. “Duhet ndalur sa më parë dhe në mënyrë publike fushata penalizuese ndaj personave që janë kritikë apo kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Ky fenomen përjashtimesh dhe nxitje përplasjesh është ngjarja më rëndë që po ndodh në historikun e Partisë Socialiste”, u shpreh Malaj. Dy ditë më parë, disa anëtarë të Asamblesë së PS-së Lushnjë, të drejtuar nga njerëz të kreut socialist, kërkuan dorëheqjen e kreut lokal, Leonard Gogu, sepse kishte kërkuar dorëheqjen e Ramës pas humbjes së zgjedhjeve. Sipas tij, kjo sjellje dhe ky presion ndaj njerëzve që shprehin një mendim të lirë mund ta çojë partinë në diktaturë. “Ky presion dhe ky denigrim mbytës është cenim i rëndë i të drejtave elementare të çdo individi. Aty ku cenohen liritë elementare të të shprehurit aty liritë politike kufizohen apo nuk ekzistojnë. “Disiplina partiake” dhe “solidariteti partiak” janë alibi të dëmshme dhe të pamjaftueshme për ta fshehur mentalitetin jo demokratike, që kur tolerohet rrezikon të sjellë diktaturë në rritje”, u shpreh Malaj. Sipas tij, n.q.s. ky konflikt rritet ai natyrshëm ashpërsohet, një ashpërsim i ballafaqimit publik midis mbështetësve dhe të pakënaqurve brenda vetë Partisë Socialiste, rrezikon të krijojë një ambient të vështirë politik. Ky ambient i rënduar është kosto shtesë edhe për çdo lider të Partisë Socialiste. Kjo vetëm e dëmton Patinë Socialiste dhe e vonon rifitimin e kredibilitetit publik të saj. “Sfida reale e liderit të ardhshëm të Partisë Socialiste do të jetë pikërisht rikthimi i besimit dhe përkushtimit brenda forcës politike si parakusht për kredibilitetin publik dhe mbështetjen publike në rritje që i nevojiten Partisë Socialiste në çdo sfidë të ardhshme”, u shpreh Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›