E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Kërkesa e Shqipërisë, jo në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel



TRIESTE – Italia ka kritikuar ashpër politikat e Brukselit në lidhje me Shqipërinë dhe standardet e dyfishta në saj në lidhje me procesin e zgjerimit dhe liberalizimit të vizave.
"Mirëpresim Islandën në Evropë, por Shqipëria nuk mund të presë më", deklaroi dje në Trieste ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, duke komentuar mosbarazinë në trajtimin e proceseve për pranimin e kandidaturave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. "Kërkesa e Islandës do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian. Është diçka pozitive dhe jemi dakord që Islanda të jetë pjesë e familjes evropiane. Por kërkesa e hershme e Shqipërisë nuk duhet të mbetet mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. Fratini ka theksuar se duhet të sigurojmë Shqipërinë që brenda verës do të aprovohet kërkesa e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka kërkuar mbledhjen e një samiti me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të vendosur në lidhje me hyrjen në BE të vendeve të Ballkanit. "Dhjetë vjet pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka ardhur momenti që këto qeveri të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Propozoj një konferencë mes të gjitha vendeve të rajonit për të favorizuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve si Serbia, Mali i Zi, Bosnja apo Shqipëria", - ka deklaruar Fratini.
Ai i bëri thirrje Brukselit që të mos fshihen pas formaliteteve, por duhet tu përcaktohet koha e saktë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e integruar e BE-së.
Italia është ndër vendet anëtare të BE-së që ka lobuar në mënyrë të vazhdueshme për të integruar sa më shpejt rajonin në familjen europiane. Roma zyrtare bashkë me Slloveninë paraqitën disa muaj më parë kërkesën për heqjen e vizave me vendet e rajonit. Po ashtu, Italia ka propozuar mbajtjen e një samiti për Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar.

A.Gjoka

Heqja e vizave për Shqipërinë, shpresa deri në mesin e vitit 2010

Shqyrtohet mundësia e përfshirjes në “listën e bardhë”, të BE-së
Vizat hiqen vetëm nëse vendi ynë realizon kushtet e udhërrëfyesit

Turi i dy ditëve të fundit i Komisionarit për Zgjerimin të Bashkimit Europian Oli Ren ka sjellë lajme të mira vetëm për vendet fqinje ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë e izoluar dhe me pak shpresa për integrim të shpejt në BE. Gjithsesi zyrtarët e lartë të Brukselit kanë lënë një shteg të hapur për një rishikim në një kohë sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Gazeta e njohur britanike, “Financial Times” citon zotin Ren se "në qoftë se plotësohen të gjitha kushtet, Komisioni mund të bëjë një propozim të ri, i cili do të përfshijë ato vende nga mesi i vitit 2010". Një tjetër propozim vjen edhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare me qendër në Bruksel. Nisma Europiane për Stabilitet vazhdon ti qëndrojë idesë se dy vendet e ndëshkuara kësaj radhe, Shqipëria dhe Bosnja, duhet të përfshihen formalisht në “Listën e Bardhë” që në janar të vitit 2010, dhe përfitimi prej saj nga shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë do të jetë vetëm atëherë kur qeveritë e këtyre dy vendeve të realizojnë standardet e kërkuara nga udhërrëfyesi i vizave. Një propozim i tillë ka gjetur mbështetjen edhe të zyrtarëve të lartë në Bruksel apo shteteve anëtare të BE-së.
Liberalizimi
Në bazë të rekomandimeve të miratuara nga Komisioni Evropian, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë, dhe Mali të Zi do të udhëtojnë në shumicën e vendeve të Evropës që nga fillimi i vitit të ardhshëm, pa pasur nevojë për viza. Vendimi është marrë para pak ditësh ndërsa gjatë dy ditëve të fundit, ka qenë komisionari, Oli Ren që e ka përcjellë një mesazh të tillë në tri kryeqytetet e rajonit. Vendimi i marrë nga Komisioni pritet të aprovohet nga vendet anëtare të BE-së, si dhe nga Parlamenti Evropian deri në fund të vitit, në mënyrë qe t’u jepet fund pritjeve të gjata në radhë për të marrë viza në ambasadat perëndimore në Beograd, Shkup dhe Podgoricë.
"Heqja e vizave ishte pritur me shpresa të mëdha në Ballkanin Perëndimor”, thotë Komisionari për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësisë, zoti Zhak Baro. Por, ky lajm i mirë për tri ish-republikat jugosllave, me rreth 10 milionë banorë, mund t’i rrisë pabarazitë rajonale.
Të ndëshkuarit
Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova, tash për tash janë lënë prapa. “Kosova nuk i plotëson kushtet për shkak të shqetësimeve të sigurisë " ka thënë Oli Ren, Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian. Sipas tij Kosova nën rezolutën 1244, nuk është pjesë e dialogut aktual për liberalizimin e vizave. “Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina thjesht dështuan të lëvizin shpejtë në dhënien e pasaportave biometrike, në mënyrë që edhe këto vende t’i bashkohen ‘listës së bardhë Shengen’, nga 1 Janari i vitit të ardhshëm”, - shkruante dje gazeta e njohur britanike “Financial Times”.
"Në qoftë se plotësohen të gjitha kushtet, Komisioni mund të bëjë një propozim të ri, i cili do të përfshijë ato vende nga mesi i vitit 2010," tha Oli Ren. Së bashku me pasaportat biometrike dhe menaxhimin e kufijve, negociatat për liberalizimin e vizave u përqendruan edhe në respektimin për të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zona Shengen përfshin 22 vende të BE-së së bashku me Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën. Pesë anëtarët e BE-së, Britania, Irlanda, Rumania, Bullgaria dhe Qipro nuk janë të përfshira. Diplomatët thonë se skema për liberalizim ka mbështetje të gjerë në mesin e 27 anëtareve të BE-së, të cilat formalisht do ta miratojnë marrëveshjen në muajin tetor, megjithë rezervat fillestare të Holandës për Serbinë dhe të Greqisë në lidhje me mospajtimin për emër me Maqedoninë.
Përjashtimi
Komisionari Oli Ren po viziton vendet e rajonit, por kësaj radhe ka përjashtuar mundësinë për të vizituar Tiranën zyrtare. Gjatë dy ditëve të fundit ai ka qenë në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa pritet të vizitojë edhe Bosnjën dhe Shkupin. Kësaj radhe, ashtu si edhe shefi për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, zoti Havier Solana, edhe Ren shmang një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku duket se shkak mbetet mos-shpallja e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, rreth 1 muaj pas përfundimit të procesit të votimit.
Box 1
ESI propozon Shqipërinë në Listën e Bardhë, standardet heqin vizat

Shqipëria duhet të përfshihet simbolikisht në Listën e Bardhë për ta inkurajuar në realizimin e reformave, por vizat do të hiqen vetëm pasi të plotësojë kushtet. Ky është mendimi i shprehur nga drejtuesi i Nismës Europiane për Stabilitet, Gerald Kanus, i cili ka publikuar disa javë më parë një artikull në “Euobserver”, pikërisht në ditën që krerët e diplomacive të 27 vendeve po diskutonin për liberalizimin e vizave. Sipas Knaus, liberalizimi i procesit do të bëhet vetëm pas një vlerësimi të dytë për reformat në Shqipëri, i parashikuar për t’u realizuar në vitin 2010. Drejtuesi i ESI-t sugjeronte që takimi i kryediplomatëve të BE-së më 15-16 qershorit në Luksemburg duhet të dërgojë një sinjal të qartë se procesi i liberalizimit të vizave është një prioritet jo vetëm për rajonin, por edhe për BE-në. Kanus përmend edhe Kosovën, e cila nuk është përfshirë në këtë proces dhe kërkon nga shefat e diplomacisë së BE-së që të reflektojnë në këtë drejtim.

Mali i Zi hapa para Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE

Autoritetet malazeze kanë marrë dje pyetësorin që do t’iu krijojë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Dokumenti iu ëshët dorëzuar krerëve të lartë të Podgoricës nga Komisionari për Zgjerimin Oli Ren. Ai i ka dorëzuar ministrit të Jashtëm Milan Rocen, dokumentin me 2000 pyetje për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Malit të Zi.
“Statusi i kandidatit për anëtarësim në BE nga Mali i Zi varet nga dhënia e përgjigjeve për 2000 çështjet e parashtruara nga Komisioni Europian”, - tha dje zoti Ren. Ndërkaq, kryediplomati malazez tha se përgjigjet do të jepen brenda një periudhe katër mujore. “Unë besoj se do ta kalojmë testin me sukses”, - tha Ministri i Jashtëm i Malit të Zi. Podgorica zyrtare ka aplikuar në Janar të vitit 2009 për statusin e vendit kandidat, ndërsa Shqipëria, në fundin e muajit prill, vetëm pak javë para zgjedhjeve. Kryeministri Berisha e parashtroi kërkesën zyrtarisht tek presidenca çeke e BE-së, ndërsa vendimi pritet të merret përgjatë presidencës suedeze, në tetor të këtij viti. Shenjat tregojnë se Shqipëria po mbetet pas Malit të Zi në procesin e integrimit, ndonëse ajo e ka nisur këtë rrugë gati një dekadë më parë.

Qeveria modifikon afatet e planit për zbatimin e MSA-së

Qeveria shqiptare ka ndryshuar afatet kohore të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi i cili modifikon titullin e planit; nga periudha “2008-2014”, e cila zëvendësohet me “2009-2014”. Sipas vendimit të djeshëm, qeveria bëri “Miratimin e Planit Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, 2009-2014, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.” Deri më tani reformat institucionale që përfshin procesi i integrimit janë realizuar në bazë të një programi 6-vjeçar, i cili tashmë është reduktuar në një plan 5-vjeçar. Ky modifikim u bë me propozimin e Ministrisë së Integrimit.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›