E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Zjarri në magazinën e mobilerive nga shkëndija elektrike

 

TIRANE – Zjarri që shkatërroi magazinat dhe fabrikën e prodhimit të mobiljeve “Ardeno” në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Specialistët e zjarrfikëseve kanë arritur dje në konkluzionet e para të hetimit për këtë ngjarje, duke pohuar se origjina e zjarrit ka qenë impianti i energjisë elektrike që ndodhej në katin e parë të objektit. Ndërkaq pronari i fabrikës dhe magazinave të mobiljeve bëri me dije dje se dëmi që i është shkaktuar nga zjarri kap vlerën e 10 milionë eurove, për shkak se flakët kanë djegur jo vetëm karrige dhe tavolinat e prodhuara por edhe pajisjet e përpunimit të drurit, si dhe kanë rrafshuar edhe godinat ku zhvillohej ky aktivitet. Ndërkaq specialistët e sektorit të zjarrfikësve dhe policisë së Tiranës kanë kryer verifikimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, me qëllim përcaktimin e shkakut të zjarrit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se shkaku ka qenë një shkëndijë në qarkun elektrik tek impianti i shpërndarjes, që ndodhej në katin e parë të godinës së kompanisë së mobiljeve që ndodhet në autostradë. Pronari i kompanisë “Ardeno”, Tonin Alia është shprehur dje për “News 24” se nuk kishte siguruar prej një viti biznesin, duke përfshirë këtu mallin e prodhuar si dhe pajisjet e prodhimit. Sipas të dhënave të policisë, mësohet se në kompaninë “Ardeno” punonin rreth 40-50 persona. Zjarri që dogji godinën e kompanisë së mobiljeve ndodhej fare pranë disa pikave të furnizimit me gaz, “Sofi Gaz” dhe “Petrol Gaz”. Zjarrfikësit menjëherë sapo shkuan në vendin e ngjarjes u përqendruan në largimin e flakëve prej depozitave të gazit, të cilat paraqisnin rrezik për shpërthim në rast kontakti me flakët që pushtuan godinën 3-katëshe të “Ardeno”. Ky ishte zjarri i dytë që dëmtoi rëndë një tjetër biznes të vendosur në zonën e autostradës, pasi pak ditë më parë, flakët e zjarrit dëmtuan magazinat e kompanisë “Henry”. Edhe në këtë rast, policia dhe specialistët e sektorit të zjarrfikësve pohuan se shkak për ngjarjen ka qenë një shkëndijë elektrike. Në rast se përfundimisht policia arrin në konkluzionin se në të dy rastet shkak i ngjarjes ka qenë shkëndija elektrike, pasi po hetohet ende në pista të tjera, atëherë ekspertët mund të vlerësojnë ndonjë problem të rrjetit të furnizimit me energji elektrike dhe intensitetin e tij gjatë orëve të natës në këtë zonë. Zjarri në mobilerinë “Ardeno” është konstatuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të premten.
    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›