Kapet për vjedhje i dënuari për mashtrim
TIRANE – Policia referoi dje materiale shtesë në Prokurori ndaj të arrestuarit Pëllumb Zylali (i njohur si Jorgo Pano), pasi ai rezultoi se është person i dënuar për mashtrim ndërsa kërkohej edhe për veprën penale të vjedhjes. “Pas arrestimit të 43-vjeçarit, lindur në Roskovec, Fier dhe banues në fshatin Kuman Fier, specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, dërguan materiale shtesë në ngarkim të tij, sepse bazuar në vendimin e datës 16 janar 2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është vendosur për të dënimi 6 vjet heqje lirie, për veprën penale të “mashtrimit”, parashikuar në nenin 143 të Kodit Penal. Po ashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg”, sepse ky person akuzohet për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”, thanë burimet zyrtare nga policia.