Sondazhi, qytetarët votojnë për partitë
Sipas sondazhit të ZMQ-së, pak rëndësi kanë kandidatët. Arsyeja se pse nuk votojnë, është se nuk përfaqësohen. 53% nuk besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme
TIRANË- Edhe pse 82% e qytetarëve nuk kanë asnjë dijeni për sistemin e ri elektoral, qytetarët e dinë fort mirë se, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për ta nuk kanë rëndësi kandidatët, por partitë, kryetari dhe programi.
Sondazhi i fundit i publikuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, që i përket muajit prill, del në këtë përfundim pas anketimit të 1200 qytetarëve, të cilët janë përzgjedhur në mënyrë rastësore.
Sipas këtij sondazhi, arsyeja kryesore, që i bën njerëzit të votojnë janë, së pari, tradita, më pas partia, kryetari i partisë, programi, ndërsa në një përqindje shumë të vogël, kandidatët.
Po aq interesante, por edhe të pashpjegueshme janë edhe arsyet se pse njerëzit nuk votojnë. Shumica e tyre mendojnë se nuk përfaqësohen, ndërsa për ironi të fatit, arsyet për të cilat nuk votojnë janë po aq sa edhe arsyet për të cilat votojnë.
Pra, një arsye tjetër se pse qytetarët nuk votojnë, lidhet me partitë dhe kryetarin e partisë dhe vetëm shumë pak me listën e kandidatëve. Në sondazhin e ZMQ-së thuhet se 54% e të intervistuarve kanë vendosur se për kë do të votojnë, ndërsa ajo më e çuditshmja është përqindja e madhe e të pavendosurve, plot 46%.
Megjithatë, nga 1200 të intervistuar, 78% e tyre shprehen se do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo që vihet re gjatë publikimit të sondazhit është edhe fakti se 53% e të intervistuarve besojnë se zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme.
Dhe kur pyeten se ku do të jenë problemet më të mëdha, shumica e tyre përgjigjen gjatë votimit dhe numërimit. Një tjetër problem i evidentuar nga të intervistuarit në bazë të pyetjeve të drejtuara, është edhe përdorimi i fondeve publike për fushatën zgjedhore. 69% mendojnë se po, ndërsa vetëm një pjesë e vogël në përqindje mendon të kundërtën.
Sipas sondazhit të realizuar, prioritet i qytetarëve vazhdon të mbetet papunësia, korrupsioni, varfëria, shëndetësia, pronat, arsimi, infrastruktura, vizat, uji dhe dritat dhe në fund turizmi.
Metodologjia e përdorur për këtë sondazh ka qenë ajo e intervistimit të drejtpërdrejtë dhe e fokusgrupeve, gjatë dy javëve të fundit të muajit prill. Sipas sondazhit, 61% e të intervistuarve kanë aplikuar për kartë identiteti, 30% janë shprehur se do të aplikojnë, ndërsa vetëm 3% nuk e dinë.
Keni aplikuar për kartën identiteti?
61% kanë aplikuar
30% thonë që do të aplikojnë
6% nuk do të aplikojnë
3% nuk e dinë
Do të votoni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
78% po
11% jo
11% nuk e dinë
Arsyeja që i bën njerëzit të votojnë janë:
tradita, partia, kryetari i partisë, programi i partisë, ndërsa lista e kandidatëve shumë më pak
Arsyeja që i bën njerëzit të mos votojnë janë:
Se nuk përfaqësohen
Kryetarët e partisë
Partitë
Arsyet personale
Lista e kandidatëve
E njihni deputetin e zonës suaj?
58% po
42% jo
E njohin qytetarët sistemin e ri zgjedhor?
82% nuk e njohin
18% e njohin
E keni vendosur se për këtë do të votoni?
54% e kanë vendosur
46% nuk e kanë vendosur
Prioritetet e qytetarëve
Papunësia
Korrupsioni
Varfëria
Shëndetësia
Pronat
Arsimi
Infrastruktura
Vizat
Ujë-dritat
Turizmi
Mendoni se po përdoren fondet publike për fushatën zgjedhore?
69% po
23% nuk e di
7% jo
Besueshmëria në zgjedhje?
53% besojnë
22% nuk e besojnë
25% nuk e dinë
Nëse po, ku mendoni se do të ketë probleme?
Gjatë numërimit
Gjatë votimit
Certifikatat
Gjatë transportimit