E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji antimafie kalon në qeveri, risitë për sekuestrimet e aseteve kriminale



Pastrimi i parave dhe korrupsioni i shfaqur në mënyra të ndryshme janë veprat penale që do i shtohen grupit të veprave penale të parashikuara për projektligjin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve të aseteve kriminale. Gjithashtu, një tjetër risi në këtë projektligji për sekuestrot dhe konfiskimet e aseteve të ardhura nga veprimtaria e paligjshme dhe kriminale do të jetë që barrën e provës për të sqaruar burimin e të ardhurave dhe shpenzimeve ta ketë personi i dyshuar apo dhe një individ jo nën hetim, dhe jo organi i akuzës apo policia. Këto janë vetëm disa nga risitë e projektligjit të kaluar dje në mbledhjen e qeverisë “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9284, datë 30.09.2004 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar””, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që së shpejti do të kalojë në Kuvend. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme gjatë procesit të përgatitjes së raportimeve për procesin e liberalizimit të vizave, identifikoi nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor që normon procedurat e sekuestrimit dhe të konfiskimit të aseteve të paligjshme të krijuara nga krimi i organizuar si mjet efikas për goditjen dhe parandalimin e tij. Pikërisht këtu e ka bazën kjo nismë e Ministrisë së Drejtësisë, e cila u materializua me draftimin e projektligjit “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.9284, datë 30.09.2004 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar””. Për draftimin e këtij projektligji, sipas burimeve, asistuan me dhënien e sugjerimeve që në hapat e parë ekspertët e Misionit EURALIUS II, OPDAT, PAMECA, si dhe përfaqësues nga organi i Prokurorisë, Gjykatës për Krime të Rënda, Policia e Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nxori një vendim unifikues për sekuestrot, çka solli heqjen e sekuestros për mjaft prona të dyshuara se kishin burim aktivitetin e paligjshëm kriminal, çka solli edhe një përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe punës hetimore të prokurorëve, të cilëve u binte barra e provës për të zbuluar burimin e të ardhurave të të pandehurve. Sipas ekspertëve të misionit vëzhgues të vendeve anëtare të BE-së, për dialogun e liberalizimit të vizave rezulton se vendimi nr. 1, datë 25.01.2007, i Gjykatës së Lartë, kufizon në mënyrë të konsiderueshme zbatimin dhe efektivitetin e ligjit nr. 9284, datë 30.09.2004, pasi ndalon sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha aseteve, fondeve apo pasurive të tjera të blera ose të fituara nga personat e dënuar përpara se ndaj tij të hapej çështja penale. Sipas ekspertëve, ky vendim pengon luftën efektive kundër grupeve të krimit të organizuar, pasi masat e sekuestrimit dhe konfiskimit përbëjnë një aspekt themelor dhe vendimtar në këtë drejtim. Në këto lloj kushtesh, ekspertët sugjerojnë që ligji nr. 9284, 30.09.2004, duhet forcuar duke shtuar krime të reja dhe falë ngritjes së një sistemi efektiv për të identifikuar asetet e paligjshme, si dhe të gjendet një zgjidhje tjetër ligjore ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2007.

Risitë e projektligjit

Projektligji ndryshon dhe përmirëson rregullat, me qëllim ndarjen e saktë të procesit civil të sekuestrimit/konfiskimit të pasurive të paligjshme nga procesi penal, duke vënë theksin që procedura zhvillohet kundër pasurisë dhe jo kundër personit. Në ndryshim nga ligji nr. 9284, 30.09.2004, projektligji saktëson se masat parandaluese zbatohen ndaj pasurisë së personit të dyshuar dhe jo ndaj personit. Kjo ndarje synon të lehtësojë kuptimin dhe zbatimin e ligjit në praktikë, nëpërmjet përdorimit të procedurës civile për goditjen e këtyre pasurive. Procedura civile e drejtuar kundër pasurisë ka avantazhin e barrës së provës që kalon tek personi që zotëron këto pasuri dhe niveli i të provuarit është dukshëm më i ulët sesa në procedurën penale. Në këtë projektligj rezulton se është shtuar rrethi i veprave penale që përfshijnë edhe standardin e pajustifikuar të jetesës si bazë për fillimin e procedurave verifikuese të këtij ligji. Në vijim është shtuar neni 3/1, që rithekson se procedura verifikuese vepron ndaj pasurisë dhe zgjeron fushën e veprimtarisë së ligjit, duke e shtrirë edhe tek trashëgimtarët e zotëruesit të pasurive të paligjshme nën një afat të caktuar. Gjithashtu, është reformuar në këtë nen çështja e unifikuar nga Gjykata e Lartë, duke zgjidhur sekuestrimin/konfiskimin e pasurive të paligjshme edhe përpara përfshirjes së personit në veprimtari të paligjshme. Në nenin 4 të projektligjit, përveç veprimtarive ekonomike, të cilat janë objekt i hetimeve, janë përfshirë edhe veprimtaritë tregtare. Në nenin 5 të ligjit janë bërë disa ndryshime, duke shtuar dy paragrafë të rinj. Paragrafi i parë parashikon detyrimin e Policisë Gjyqësore, që të referojë pa vonesë te prokurori rastet mbi pasuritë që duhen verifikuar, duke reflektuar në këtë mënyrë një shqetësim të ngritur nga organi i prokurorisë. Paragrafi i dytë i shtuar parashikon se kompetenca për verifikimin paraprak mund të ushtrohet edhe nga institucione të tjera të ngarkuara me ligj të veçantë. Në këtë mënyrë, projektligji lë të hapur për të ardhmen mundësinë e reformimit të institucioneve shtetërore që mund të verifikojnë veçanërisht standardin e pajustifikuar të jetesës. Në përputhje me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë është përcaktuar edhe përbërja e trupit gjykues që do të shqyrtojë këto çështje dhe konkretisht Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda do të gjykojë me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar dhe në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda me trup gjykues të përbërë me tre gjyqtarë. Në paragrafin e tretë është përcaktuar se këto gjykime do të bëhen sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato janë të pajtueshme me natyrën e këtij procedimi gjyqësor. Barra e provës, e cila është një ndër elementët thelbësorë të këtij procedimi, bie mbi personin, pasuria e të cilit i nënshtrohet këtij procedimi, për të vërtetuar origjinën e ligjshme të pasurive që ka fituar. Njëkohësisht, projektligji përmban rregullin se ky lloj procedimi do të bëhet sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile. Në nenin 12, përveç Policisë Tatimore, është parashikuar që pronari i pasurisë apo personi që ka në përdorim ose administrim pasurinë të njoftojë dhe AAPSK-në për aktet e zotërimit, blerjes ose pagesave të kryera, të pagesave të marra, detyrave profesionale, të administrimit ose kujdestarisë, si dhe akte ose kontrata të tjera, sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar nga gjykata në varësi të pasurisë dhe të të ardhurave të personit, por jo për një vlerë më të vogël se 2 milionë lekë. Ky është një sugjerim i sjellë nga vetë agjencia nisur nga përvoja që ata kanë pasur deri tashmë.

Masë parandaluese sekuestrimi, në rast dyshimi

Në projektligj është parashikuar se gjykata me kërkesë të prokurorit mund të vendosë masën parandaluese të sekuestrimit edhe kur në bazë të të dhënave të mjaftueshme rezulton dukshëm se personi i dyshuar ka një standard të pajustifikuar jetese. Në këtë shtesë është konsideruar fakti se shpesh këta persona ndonëse në dukje duket se kanë disa pasuri, të cilat mund t’i kenë deklaruar, në realitet kanë një mënyrë jetese me kosto të shtrenjtë, e cila nuk justifikon standardin e jetesës që bëjnë në raport me këto pasuri që zotërojnë në aparencë (si p.sh. shpenzime luksi të tilla si blerje makinash të shtrenjta, apartamente, vila, rroba dhe sende të tjera të çmueshme etj.). Ndërsa në nenin 14 është shtuar një paragraf, që lejon kryerjen e njoftimeve dhe marrjen e provave në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike ndërkombëtare. Rregullat e zbatueshme do të jenë në varësi të karakterit të procedurës, civile ose penale. Në nenin 15 është shtuar një paragraf, paragrafi i dytë, i cili lejon vazhdimin e procedurës kur personi, pasuria e të cilit është objekt i këtij ligji, nuk gjendet. Për zgjidhjen e kësaj situate është marrë modeli i Kodit të Procedurës Penale, nëpërmjet nxjerrjes së vendimit të mosgjetjes dhe vazhdimin e procedimin në prani të një mbrojtësi, të zgjedhur ose të caktuar. Në nenin 16 është shtuar paragrafi i tretë, sipas të cilit do të jenë objekt verifikim edhe pasuritë e kaluara tek të tretët nëpërmjet veprimeve juridike fiktive ose të simuluara, duke konstatuar njëkohësisht edhe pavlefshmërinë absolute të tyre. Ky rregull mungonte në ligj dhe synon të godasë pasuritë që fshihen nëpërmjet këtyre veprimeve. Në nenin 22 shtohet paragrafi i katërt, sipas të cilit gjykata vendos kryesisht ose me kërkesë të palëve, kalimin e të drejtave reale mbi pasuritë e sekuestruara, të cilat mund të dëmtohen, iu bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose që mund të dalin jashtë përdorimit.

Kërkesa për sekuestro vazhdon efektin edhe pas pushimit të çështjes

Mbas nenit 25 të ligjit shtohet një nen i ri 25/1 “Pranimi i kërkesës për konfiskim”, në të cilin parashikohen rastet kur gjykata vendos pranimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë së personit të dyshuar ndaj të cilit pushon procedimi penal. Pavarësisht faktit se procedimi penal ndaj personit mund të pushojë apo nuk realizohet dënimi i tij në një procedim penal, për shkak të ekzistencës së disa kushteve të parashikuara në këtë nen, kjo nuk duhet të konsiderohet si pengesë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së tij sipas parashikimeve të këtij ligji. Konkretisht shkaqet e pushimit të procedimit penal përfshijnë pamjaftueshmërinë e provave, vdekjen e të dyshuarit, pengesat ligjore për marrjen e të dyshuarit si i pandehur apo për dënimin e tij. Siç duket qartë, projektligji lejon konfiskimin në rastet e dyshimta të të provuarit të faktit penal, sepse konfiskimi i pasurive nuk vendoset nëse gjykata/prokuroria vendosin përfundimin e procedimit penal nën hipotezën se provohet që i dyshuari të mos e ketë kryer veprën penale. Projektligji përmirëson edhe destinimin e të ardhurave të fituara nga zbatimi i ligjit me të cilat krijohet fondi i posaçëm. Të ardhurat e këtij fondi në masën 50% do të destinohet për përmirësimin e drejtësisë penale, përmirësimin e hetimeve paraprake dhe programet e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe për rehabilitimin e të dëmtuarve të prekur nga krimi i organizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›