Durrës; Padi penale biznesmenit italian, mashtroi bankën me 15 mijë euro
Seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës filloi procedimin penal në mungesë në ngarkim të shtetasit italian Viti Leonardo Ludovico, 48 vjeç, lindur në Bari, Itali dhe banues në Susa Via Motello 12/2/1 Torino, Itali, administrator i shoqërisë “LVL Import Eksport” me seli në Kuçovë. Procedimi penal në ngarkim të tij filloi për arsye se ky shtetas nëpërmjet përdorimit të një dokumenti të falsifikuar të bankës “Intesa Sanpaolo” me qendër në Avigliana, Itali, ka mashtruar drejtorin e “Intesa Sanpaolo Bank” dega Durrës në Shqipëri, më datë 02.02.2009, duke i marrë një shumë prej 15.000 eurosh. Sipas këtij, dokumenti nga llogaria e tij në Itali kishte xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri një shumë prej 45.0000 eurosh. Është sekuestruar në cilësinë e provës si dokumenti i lëshuar nga banka në Itali, ashtu dhe gjithë dokumentacioni i tërheqjes së lekëve nga ky shtetas në bankën “Intesa Sanpaolo” në Durrës. Po punohet për kapjen e shtetasit Viti Leonardo Ludovico. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale, për të cilën filloi procedimi, konkretisht për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186 të Kodit Penal.