Rama prezanton Planin Rregullues në njësitë 1, 2 dhe 3
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje, Planin rregullues të Tiranës në njësitë 1, 2 dhe 3. Ai është fokusuar kryesisht në rikualifikimin e Parkut të Liqenit, i cili do të transformohet në një zonë me një mjedis e rrugë të shtruara, me ndriçim, apo me një numër shumë të madh pemësh të reja. Parku i Liqenit do të spastrohet nga ndërtimet e paligjshme të ndërtuara vitet e fundit. Ndërsa në fazën e dytë do të kryhen ndërhyrjet për risistemimin e pasqyrës ujore të parkut, e cila do të ribëhet nga e para, me një infrastrukturë të modernizuar, me plazhin urban që do të bëhet te diga e Liqenit. Një fytyrë të re do të marrë edhe territori në veri të Sanatoriumit, që parashikohet të jetë një zonë rezidenciale me ndërtesa 3- katëshe. Ndërsa zona tek Kombinati i Autotraktorëve që në pjesën më të madhe është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, synon krijimin e një lagjeje model, me të gjitha lehtësirat publike të nevojshme. Projekti i bashkisë synon krijimin e një lagjeje rezidenciale, me kualitet të lartë, ku të gjejnë hapësirë dhe rezidencat e ambasadave apo fondacioneve të huaja që punojnë në Tiranë. Njëkohësisht në zonat që përfshihen në këto njësi, do të bëhet shtimi i pjesëve të gjelbra dhe do të krijohen parqe të vogla në ambientet mes pallateve. Në të njëjtën kohë do të bëhet edhe shtimi i rrugëve mes blloqeve të banimit për të krijuar lehtësi lëvizjeje mes lagjeve.