E Diel, 1 Nëntor 2026

“Urdhri i Mjekut” kërkon më shumë kompetenca për inspektime në klinika



Emanuela Sako

Institucioni i Urdhrit të Mjekut ka hartuar një paketë propozimesh për më shumë kompetenca dhe bashkëpunim në terren, të cilat i janë dorëzuar Ministres së Shëndetësisë. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se ndryshimet në Sistemin Shëndetësor dhe verifikimi i shkeljeve nëpër spitale duhet të verifikohen dhe minimizohen. Njëkohësisht duhet të ndërhyhet për plotësimin e spitaleve me aparatura të reja dhe funksionale, duke shmangur të vjetrat dhe ato aparatura që kanë dalë jashtë funksionit. Por për të bërë këto hapa dhe për kryerjen e reformimit të sistemit shëndetësor në vend, duhet të kryhet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve Shëndetësore. Të njëjtat burime, sqarojnë se situata e vështirë nëpër spitale, duhet të ndryshojë nëpërmjet ushtrimit të vazhdueshëm të kontrolleve në terren.
Kontrollet
Ankesat e qytetarëve lidhur me shërbimin, mitmarrjen, mungesat etj, nuk kanë të sosur dhe për këtë arsye ndërhyrja e Ministrisë duhet të jetë e menjëhershme. Kështu, në paketën e propozimeve që ka parashtruar “Urdhri i Mjekut”, parashikohet, që këta të fundit të ushtrojnë kontrolle për cilësinë e shërbimeve apo verifikimin e kushteve në klinikat shtetërore apo private nëpër spitale. E njëjta situatë u krijua dhe një vit më parë, kur specialistët e “Urdhrit të Mjekut” bënë verifikimet në terren për kushtet e disa klinikave, të cilat u paralajmëruan për kushtet e këqija që u krijonin pacientëve, por Ministria e Shëndetësisë nuk mori asnjë masë ndaj këtyre rasteve. Këtë herë duket se Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, do të kryejë bashkëpunime me të gjitha autoritetet Shëndetësore për zbatimin e reformave dhe kapërcimin e krizës që ka përfshirë Sistemin Shëndetësor në të gjithë vendin.
Projekti
Projekti që kërkon të zbatojë Urdhri i Mjekut, ka të bëjë me zbatimin e rregulloreve nga të dyja palët; nga zbatimi i rregullave për pacientët dhe nga zbatimi i rregulloreve nga mjekët. Në këtë mënyrë do të shmangen dhe abuzimet nga ana e mjekëve dhe përmirësimi i imazhit që është krijuar për bluzat e bardha. Për këtë arsye, në zyrën e “Urdhrit të Mjekut” priten të gjitha ankesat e pacientëve dhe merren në konsideratë shqyrtimi i çështjes së tyre. Deri në periudhën e muajit gusht, pacientët kanë ankimuar rreth 20 ankesa për mjekët pranë këtij institucioni. Mjekët janë vënë nën shënjestrën e pacientëve, ku këta të fundit i akuzojnë se nuk i kanë kuruar siç duhet dhe për më tepër u kanë lënë pasoja në gjendjen e tyre shëndetësore.

Rama prezanton Planin Rregullues në njësitë 1, 2 dhe 3

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje, Planin rregullues të Tiranës në njësitë 1, 2 dhe 3. Ai është fokusuar kryesisht në rikualifikimin e Parkut të Liqenit, i cili do të transformohet në një zonë me një mjedis e rrugë të shtruara, me ndriçim, apo me një numër shumë të madh pemësh të reja. Parku i Liqenit do të spastrohet nga ndërtimet e paligjshme të ndërtuara vitet e fundit. Ndërsa në fazën e dytë do të kryhen ndërhyrjet për risistemimin e pasqyrës ujore të parkut, e cila do të ribëhet nga e para, me një infrastrukturë të modernizuar, me plazhin urban që do të bëhet te diga e Liqenit. Një fytyrë të re do të marrë edhe territori në veri të Sanatoriumit, që parashikohet të jetë një zonë rezidenciale me ndërtesa 3- katëshe. Ndërsa zona tek Kombinati i Autotraktorëve që në pjesën më të madhe është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, synon krijimin e një lagjeje model, me të gjitha lehtësirat publike të nevojshme. Projekti i bashkisë synon krijimin e një lagjeje rezidenciale, me kualitet të lartë, ku të gjejnë hapësirë dhe rezidencat e ambasadave apo fondacioneve të huaja që punojnë në Tiranë. Njëkohësisht në zonat që përfshihen në këto njësi, do të bëhet shtimi i pjesëve të gjelbra dhe do të krijohen parqe të vogla në ambientet mes pallateve. Në të njëjtën kohë do të bëhet edhe shtimi i rrugëve mes blloqeve të banimit për të krijuar lehtësi lëvizjeje mes lagjeve.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›