E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli organizon konferencë për rolin e gruas në politikë



Në përpjekje për ndërgjegjësimin e shoqërisë për rritjen e rolit të gruas, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, bashkë me ambasadoren e Francës, Mariz Dujon, kanë organizuar në Tiranë konferencën për rolin e grave në politike. Topalli shprehu opinionin se shkuarja drejt përfaqësimit të barabartë të grave në nivelet e vendimmarrjes është çështje e së drejtës demokracisë, për të cilën nuk duhet ndalur asnjëherë së luftuari. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se falë angazhimit dhe ligjeve të miratuara, Shqipëria është një vend ku shifrat janë në favor të gruas. Megjithatë, ajo tha se duhen bërë përpjekje të tjera, veçanërisht tani kur Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian. Sipas kryetares se Kuvendit, liberalizimi i vizave nuk do të jetë vetëm një datë historike për shqiptarët, por edhe një dimension i ri për familjet shqiptare, veçanërisht për gratë.

Berisha: “Procesi i integrimit do të vazhdojë edhe pas marrjes së vizave”

Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin, kryeministri Berisha ritheksoi se procesi i integrimit do të vazhdojë edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave. Duke theksuar se ky proces është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet edhe pas heqjes së vizave, kryeministri u shpreh se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet bëhen më të mëdha. “Ky proces ka qenë një proces transformues dhe unë dua t’ju përgëzoj ju dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj për mënyrën serioze me të cilën ju e keni trajtuar dhe e trajtoni këtë çështje. Dhe ky seriozitet e përkushtim ka pasur dhe ka rezultatet e veta. Ky është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet dhe pas heqjes së vizave, sepse mendoj se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet tona bëhen më të mëdha. Do t’ju jap vetëm një shembull. Në objektivat e dorëzuara nga Udhërrëfyesi nuk ka pasur çështje të riintegrimit të të kthyerve dhe kjo çështje vjen tani për shkak të eksperiencës së hidhur, jo të mirë, që u krijua me azilkërkuesit. Pa asnjë bazë, shkojnë dhe kërkojnë azil politik, nga vende që kanë zhvilluar zgjedhje të lira, që kanë një sistem demokratik, që kanë bërë hapa drejt integrimit. Natyrisht, azilet politike nuk mund të jepen dhe kjo është jashtëzakonisht normale, por prapë trajtimi njerëzor mbetet dhe ai që largohet kërkon një garanci që kur të kthehet, të ketë një lloj perspektive, që të mos mendojë të shkojë përsëri, apo të mos mendojë se meqë kthehet mbetet tërësisht i braktisur. Kjo strategji është jashtëzakonisht e rëndësishme”, - është shprehur Berisha.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›