E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj: “Duan ‘Vllazninë’ e Dinamos”



Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, nuk e ka fshehur kënaqësinë për performancën e skuadrës së tij në barazimin 0-0 me Dinamo, takim që ishte i vlefshëm për javën e katërt të Superligës, e që vinte menjëherë pas humbjes befasuese me Kastriotin (1-0).

MAKSIMUMI
Fushaj pati një mbledhje pune me skuadrën e stafin teknik ku kërkoi maksimumin nga ekipi. “Dua të luani si ndaj Dinamos e jo si në 3 ndeshjet e para. I keni mundësitë, përbërjen dhe gjithçka tjetër. Dua angazhim maksimal për ndeshjen e radhës me Teutën”, - tha bosi kuqeblu, që gjatë presidencës së tij ka fituar vetëm një Kupë të Shqipërisë me Vllazninë, por që ka pasur një sukses ndërkombëtar, të paktën me kalimin në turin e dytë të kompeticioneve evropiane për herë të katërt rresht.

PREMIOT
Presidenti i klubit më të vjetër në Shqipëri, Vllaznisë (9 tituj kampion, 6 kupa), Valter Fushaj, diskutoi në parim me lojtarët edhe për premiot financiare që duhet të përfitojnë ata gjatë këtij sezoni në rast suksesi. Fushaj propozoi dy alternativa: e para, shpërblim financiar pas çdo ndeshje, ose për titullin kampion ose fitimin e Kupës së Shqipërisë, duke ua lënë në dorë futbollistëve të zgjedhin opsionin më të mirë sipas tyre.

TEUTA
Në javën e 5-të të Superligës, formacioni shkodran i drejtuar Vllaznia pas katër javësh ka grumbulluar vetëm 4 pikë nga 12 të mundshmet, 1 fitore (me Apoloninë), 1 barazim (me Dinamon) dhe dy humbje (me Besën e Kastriotin. Teuta nga ana e saj vjen në përballjen me shkodranët pas shkatërrimit 3-0 të Flamurtarit, që solli edhe shkarkimin e Eqerem Memushit nga bankina vlonjate e zëvendësimin e këtij të fundit. Vllaznia dështoi dy herë sezonin e kaluar me Teutën, duke humbur 4-0 në fazën e dytë, pas kësaj Agim Canaj dha dorëheqjen nga veriorët, si dhe 1-0 në fazën e tretë në drejtimin e malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç. Vllaznia fitoi vetëm takimin e fazës së parë, 2-1 të luajtur në “Loro Boriçi”.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›