Shërbimi urban, bashkia përgatit kontratën e re
Bashkia e Tiranës po përgatit një kontratë të re me operatorët e shërbimit urban. Aty do të ndërfuten përveç sanksioneve dhe forma të reja të shërbimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me Shoqatën e Transportit Qytetas dhe operatorët e shërbimit për të diskutuar në lidhje me problemet kryesore sot, mbi Planin të ri të Masave për Transportin Urban (2010-2015) në Tiranë, si dhe për të marrë angazhimin e operatorëve mbi zbatimin e këtij projekti.
Në kontratë do të përfshihet Sistemi IT i performancës së shërbimit (kontrolli në kohë reale me GPRS dhe kamera), ai dhe Sistemi i Pikëzimit të sjelljes/performancës së Operatorit: që mundëson humbjen graduale të së drejtës së kryerjes së shërbimit/licencës nëse konstatohen shkelje të përsëritura që bien humbjen e pikëve të parashikuara dhe si pasojë humbjen e së drejtës së mbajtjes së licencës.
Bashkia ka hartuar tashmë edhe paketën për “Përmirësimin e kushteve të komoditetit dhe të lëvizjes në Shërbimin e Transportit Publik”. Për rrjedhim, operatorët do të duhet të bëjnë investime të reja në mjetet e transportit dhe në drejtim të rritjes së cilësisë së menaxhimit të shërbimit. Kryebashkiaku Rama i njohu operatorët e shërbimit urban edhe me një projekt-ide për të vendosur sistemin e biletave elektronike, ose sistemin elektronik të kontrollit të biletës në autobus. “Autobusët tuaj në përgjithësi e kanë sistemin si infrastrukturë të instaluar, tha Rama, duke shtuar se ai është një sistem që nuk funksionon këtu”. Rama i njohu operatorët e shërbimit urban edhe me një plan të ri masash, bazuar në masterplanin e transportit për zhvillim të qëndrueshëm. “Në këtë plan të ri masash ne duam të trajtojmë disa problematika që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me nevojën për të rritur standardin e shërbimit, për të rritur komoditetin e qytetarit në këtë shërbim”, tha Rama. Sipas tij, kemi nevojë edhe të përmirësojmë frekuencën, në kuptimin e një sistematizimi të frekuencës së orareve dhe të shmangies së vonesave të trafikut; kemi nevojë të përmirësojmë kushtet e shërbimit dhe të sigurisë në bord, kemi nevojë të rrisim akoma më shumë aksesin për këtë shërbim, pra të dekurajojmë mjetin privat për lëvizje brenda qytetit, duke inkurajuar transportin publik, por ama me një ofertë më cilësore dhe kemi nevojë që me një politikë të re të kostos, në raport me standardin, të shikojmë domosdoshmërisht rritjen e investimeve në këto mjete. Rama në takim theksoi edhe një tjetër projekt i bashkisë. “Ne duhet të fusim korsitë e dedikuara mes vitit 2010 dhe 2011, në 23 rrugë të tjera të kryeqytetit, me të cilin mund të përshkohet më lehtë një segment që me transportin privat bëhet me më shumë vështirësi, për shkak të trafikut”, tha ai. Më tej kryebashkiaku përmendi edhe ngritjen e Qendrës së Kontrollit të Trafikut dhe të Menaxhimit të Trafikut me një sistem të ri IT–je.
Bashkia kryeqytetase ka hartuar Masterplanin e Transportit, për një Zhvillim të Qëndrueshëm për qytetin e Tiranës. Sipas kësaj analize rezulton se rreth 75% e qytetarëve të intervistuar lëvizin sot rregullisht nga ora 6.00-9.00. Po t’i referohemi të dhënave, rezulton nga ana tjetër se: 36% e qytetarëve përdorin mjetin bus (pra transportin publik). 28% janë këmbësorë dhe vetëm 21% përdorin mjete private.