E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet gjyqi për 21 Janarin, avokatët: Aktet e ekspertimit të pavlefshme

Ka startuar ditën e djeshme seanca e parë gjyqësore ndaj të pandehurve të akuzuar për vrasjet përpara Kryeministrisë në 21 janar të vitit të shkuar. Gjyqi për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon u hap në praninë e të gjitha palëve por nuk zgjati më tepër se 10 minuta, kjo për shkak se prokurorët kërkuan më tepër kohë për t’u shprehur për kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës. Pasi ka bërë njohjen e palëve në proces dhe verifikimin e tyre, kryetari i seancës ka nisur, një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore. Vetë organi i akuzës, nuk ka patur asnjë kërkesë përpara se të nisë shqyrtimi gjyqësor i kësaj ngjarjeje, ndërsa dy avokatët e të pandehurve Agim Llupo dhe Ndrea Prendi kanë kërkuar të shpallen të pavlefshme, dy akte ekspertimi të trupave të Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, me pretendimin, se ato jane kryer një ditë më parë.
Pretendimet
Dy avokatet e të pandehurve Agim Llupo dhe Ndrea Prendi kanë kërkuar të shpallen të pavlefshme, dy akte ekspertimi të trupave të Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj se vetë Prokuroria të merrte vendim për kryerjen e tyre. Dy aktet që mbrojtja kërkon pavlefshmërinë janë tepër të rëndësishme për procesin gjyqësor. Prokurorët për ta verifikuar pretendimin e mbrojtjes kërkuan kohë, për të dhënë shpjegimet e tyre lidhur me këtë pretendim. Gjykata vendosi t’u japë atyre 15 ditë kohë deri në 4 qershor, kur do të jetë seanca e radhës.
Gjyqi
Ky është njëri prej proceseve gjyqësore që gjykata ka nisur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 21 janar, ku i pandehur është ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e demonstruesit Faik Myrtaj, Agim Llupo, për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, si edhe Margarit Kume, që akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Se shpejti po kjo gjykatë do të nisë edhe procesin gjyqësor ndaj specialistit të IT-së në Kryeministri Armando Kasaj, i cili akuzohet se ka kopjuar dhe më pas ka ndërhyrë duke fshirë serverin e kompjuterit, ku ndodheshin pamjet filmike të kamerave të godinës së kryeministrisë, të cilat kishin xhiruar ngjarjen e asaj dite.

Punëtori i karburantit shmang
grabitjen me armë pas përleshjes
Shkodër/Adoleshenti i armatosur sulmon në grabitje karburantin i maskuar me skafandrin e motorit, por dështon pas përleshjes me punëtorin e turnit të tretë dhe për të shpëtuar nga shitësi i është dashur të qëllojë një herë me pistoletë në ajër për ta trembur. Nga sulmi për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar, kurse i dyshuari u kap pas disa orësh ndjekjeje. Policia e Shkodrës njoftoi se orët e vona të së martës identifikoi, lokalizoi dhe ndaloi si të dyshuar për krimin 19-vjeçarin Mhill Kol Gjergji, i dënuar dhe më parë për veprën penale të vjedhjes. Dëshmia e punonjësve të karburantit të sulmuar kanë çuar në identifikimin e shpejtë të të riut dhe kapjen e tij. Burime zyrtare nga komisariati thanë se rreth orës 03:30 të dy ditëve më parë, Gjergji akuzohet se nën kërcënimin e një arme zjarri tip pistoletë dhe i maskuar me skafandër motori, ka tentuar të vjedhë shitësin e pikës së karburantit, në lagjen Ahmet Haxhia të qytetit. I riu ka shfrytëzuar orarin e vonë dhe mungesën e lëvizjeve të njerëzve dhe policisë, për të hyrë i armatosur, me qëllim grabitjen.

Hidhet nga kati i katërt, vdes 41-vjeçarja
Një 41-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i një pallati. Laurela Gerbi, ka ndërruar jetë menjëherë pa mundur të mbërrijë në spital. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Qemal Stafa” në kryeqytet. Sipas informacioneve jozyrtare, mësohet se Gerbi vuante nga probleme mendore. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan 41-vjeçaren drejt vetëvrasjes. Sipas dëshmive të para të marra nga familjarët ata kanë deklaruar se ishin të pakta ato raste që e linin te vetme në shtëpi 41 vjeçaren pasi ajo ishte e diagnostifikuar me probleme mendore dhe shpesh e ruanin edhe kur dilte në ambient të hapur. Ditën e djeshme ajo kishte dalë në ballkon duke përfituar nga një moment kur të afërmit ishin në punë.

Korrenti vret në punë, pronarin
e riparimit të elektro-shtëpiakeve
Elbasan/Një pronar dyqani që riparonte pajisje të defektuara elektro-shtëpiake, ka vdekur mëngjesin e djeshëm pasi gjatë procesit të punës me një mikrovalë, ka rënë në rrymë elektrike. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 5 Maji në Elbasan, ndërsa policia bëri me dije se viktima është Bilal Dalipi, 62 vjeç, banues në këtë lagje. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor, që pasi kreu veprimet e para procedurale dhe hetimore, konstatoi se Bilal Dalipi, kishte marrë me qira një dyqan për riparimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, dhe u godit nga elektriciteti në momentin që ishte duke riparuar një mikrovalë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e dokumentimin e plotë te kësaj ngjarje aksidentale, ndërsa mendohet edhe për një pakujdesi të viktimës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›