Prokuroria; Mbyllen hetimet, arkivohet si rast vetëvrasjeje çështja e Gani Kamberit
Çështja e Gani Kamberit pushohet nga Prokuroria e Tiranës, duke mbyllur hetimet dhe klasifikuar atë si akt-vetëvrasës. Pas përfundimeve të ekspertizës së dytë të kryer nga ekspertët mjeko-ligjorë dhe deklarimit se Gani Kamberi është vetëvrarë, sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, organit të akuzës nuk i ka mbetur gjë për të bërë, duke vendosur pushimin e hetimeve dhe mbylljen e kësaj dosjeje. U vra apo vetëvra Gani Kamberi? Ky dyshim u bë objekt mediatik për disa kohë, por edhe një përplasje midis organit të akuzës dhe policisë, sepse kjo e fundit këmbëngulte për vetëvrasje, ndërsa Prokuroria dyshonte për vrasje. Dyshohej për vrasje dhe për shkak se familjarët e Kamberit kishin kërkuar shpesh rihapje të hetimeve me dyshimin për një vrasje të mundshme, madje duke aluduar për persona konkretë apo dhe episode që kishin të bënin me mbivendosjet e pronave dhe denoncimin nga viktima të këtyre aferave korruptive. Kjo bëri që ekspertët mjeko-ligjorë të zhvarrosnin viktimën dhe të ribënin një ekspertim të dytë, me qëllim nxjerrjen e një rezultati definitiv mbi ngjarjen, përcaktimin e shkakut real të vdekjes. Pasi kanë ribërë ekspertizën, me kërkesë të tyre për zhvarrim të kufomës, ekspertët dolën në përfundim se Gani Kamberi është vetëvrarë, duke konfirmuar versionin e dhënë më parë nga policia. Një përfundim i tillë solli edhe mbylljen e çështjes nga ana e Prokurorisë së Tiranës, duke arkivuar dosjen si vetëvrasje.