E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti, qëllon me pistoletë ish-shokun e burgut



Vetëm fati duket se e ka mbajtur në jetë një 40-vjeçar nga Lezha teksa është qëlluar nga një i njohuri i tij me pistoletë në mes të qytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës, kur Edmond Gjoka, 37-vjeç, ka qëlluar me pistoletë Tonin Prekën, 40 vjeç, i cili aktualisht ndodhet i plagosur rëndë në spitalin e Lezhës. E lajmëruar nga dëshmitarë në vend, policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke bërë të mundur ndalimin e autorit të plagosjes, i cili në fakt, është munduar t’u shpëtojë prangave. Ky i fundit është marrë më pas në pyetje, por nuk ka pranuar të flasë. Megjithatë, nga burime të policisë së Lezhës për këtë ngjarje, mësohet se dyshimet e para janë për një mosmarrëveshje të vjetër mes dy protagonistëve. Kjo, pasi sipas hetimeve të para të ekspertëve të policisë ka të bëjë me faktin se pak kohë më parë, Edmond Gjoka është arrestuar nga policia e këtij qyteti për trafik qeniesh njerëzore së bashku me mikun e tij, Prekën. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy vjet më parë, ku të dy kanë bashkëpunuar për të trafikuar në Kosovë një 12-vjeçare nga Mirdita me inicialet F. L. Në atë kohë, nëna e vajzës i ka denoncuar në polici dhe si pasojë të dy trafikantët kanë rënë në duart e policisë. Pas vuajtjes së dënimit, Edmond Gjoka ka dalë nga qelia dhe i ka kërkuar shokut të tij të fejohet me kushërirën e tij, ashtu siç ishte parashikuar para se personat të futeshin në burg, por ky i fundit si duket, nuk ka pranuar dhe më pas ngjarja ka marrë përmasa të tjera.

Arrestimi i parë i Gjokës

Dy vjet më parë, 12-vjeçarja F. L. ka treguar para policisë se si të rinjtë e rrëmbyen atë. Sipas saj, në afërsi të shkollës kanë ardhur Edmond Gjoka së bashku me Anton Prengën dhe Englantina Gjokën (kushërira e Edmondit)”, - thotë 12-vjeçarja. Ajo ka pohuar se me Eglantinën kishte njohje, pasi jetonin në një fshat dhe jemi fqinj. Ndërsa Gjokën dhe Prengën i ka takuar rastësisht në një ditëlindje, dy ditë më parë, ku Eglantina i ka prezantuar Prengën si të fejuarin e saj. “Kam qëndruar për rreth një orë në ditëlindje, ndërsa Eglantina së bashku me Edmondin dhe Antonin kërkuan të pinin kafe me mua”, - thotë vajza. Ajo u kishte thënë se nuk mund të pinin kafe, por një ditë tjetër. Kjo duket se ka shërbyer edhe si kurth për minorenen, pasi një ditë tjetër, paradite, e kanë ftuar për të pirë kafe në afërsi të shkollës. F. L. e ka pranuar ftesën, por sapo ajo ka hipur në makinën tip “Nisan” të Edmond Gjokës, Antoni së bashku me Englantinën nuk e kanë lënë më të zbriste 12-vjeçaren, për ta nisur atë në drejtim të fshatit Konaj, në komunën e Fanit në Mirditë. Edhe përse vajza ka kërkuar ndihmë, makina është larguar me shpejtësi, duke u zhdukur shumë shpejt nga fshati ku edhe banonte nxënësja e klasës së gjashtë. Thirrjet për ndihmë të vajzës janë dëgjuar nga banorët e fshatit, të cilët kanë lajmëruar nënën e saj, Frangën, e cila ka lajmëruar policinë. Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se Anton Prenga dhe Edmond Gjoka kishin punuar së bashku në Greqi. Ndërkohë që sipas policisë, mendohet se dy të rinjtë kanë qenë edhe në burg së bashku, për akuzën e vjedhjes me dhunë. Pas arrestimit, mësohet se të dy në atë kohë e kanë pranuar se do t’i trafikonin vajzat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›