E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza botërore bankare dhe shqiptarët

Kriza më e thellë bankare në botë pas kataklizmës së viteve 1929-‘33 ndodhi këtë javë në SHBA. Falimentoi një nga katër bankat më të mëdha investuese (dhe kredidhënëse) të këtij vendi, banka 158-vjeçare “Lehman Brothers”. Si rezultat, bursa amerikane shkoi tatëpjetë, ndërsa rrezikoi falimentimin edhe shoqëria më e madhe amerikane e sigurimeve AIG dhe banka tjetër gjigande “Merril Lynch”. Për të parën u desh ndërhyrja e shtetit amerikan me një investim 85 miliardë dollarë (ose blerjen e 80 për qind të kapitalit të kompanisë). Të dytën e “shpëtoi” Banka e Amerikës, që ia bleu të gjitha aksionet. Lind pyetja: kush e shkaktoi këtë krizë? Shkaqet janë të shumta, por më kryesoret kanë të bëjnë me rënien e tregut të investimeve në SHBA (sidomos të investimeve për shtëpi) dhe me përqindjen e jashtëzakonshme të kredive të këqija - të pakthyera - që bankat amerikane (flitet për 300 miliardë dollarë) kanë grumbulluar. Ekonomia e dytë më e goditur është ajo angleze, për vetë hapjen e madhe të këtij vendi. Banka Qendrore Evropiane që mbron interesat e vendeve të Bashkimit Evropian, hodhi në treg në dy ndërhyrje të saj rreth 70 miliardë euro, për të lehtësuar barrën e bankave evropianoperëndimore dhe për të ndaluar panikun e investuesve. Nga përtej oqeanit, Presidenti Bush doli në mbrojtje të ekonomisë amerikane, ndërsa sekretari amerikan i Thesarit (ministri i Financave i SHBA-së) Henry Paulson po shikon mundësinë e aprovimit urgjent nga Kongresi të një ligji ku shteti amerikan të mund të ndërhyjë drejtpërsëdrejti tek bankat me probleme (mbase dhe duke i blerë ato), për të mos lënë që problemi të kapë zinxhir të gjithë sistemin financiar dhe të shkaktojë krizë. Pyetja e dytë që lind është: “Mirë që Amerika dhe Bashkimi Evropian po marrin masat e tyre, po ne në Shqipëri, a do të prekemi nga kjo krizë?”. Ndërsa pyetja edhe më shqeto që bëhet nga qytetari i thjeshtë vjen në formën: “More, mos po na falimenton ndonjë bankë edhe këtu?!”. Për këtë të fundit, përgjigjja është e menjëhershme dhe e fortë: Jo! Nuk ka rrezik të afërt për falimentim të ndonjë prej 23 bankave tregtare që veprojnë në Shqipëri. Ndërsa për pyetjen tjetër, edhe pse ekonomia shqiptare nuk është shumë e përfaqësuar në tregun e kapitaleve dhe si e tillë, nuk preket drejtpërsëdrejti, sërish shqetësimet për kreditë e këqija (ato që nuk kthehen më në bankë) janë të pranishme edhe tek ne. Ka rreth një vit që është futur në sistemin tonë bankar mekanizmi i Regjistrit të Kredive (një lloj pasaporte financiare për të treguar cila firmë është e mbytur në kredi dhe cila është e shëndetshme), por ai nuk merret shumë parasysh nga bankat tona. Të futura në një garë të ethshme për të shitur kredi, ndodh fenomeni i shitjes së klientit të keq bankës tjetër. Me fjalë të tjera, banka që ka hall një klient të keq i sugjeron atij vetë të kërkojë një kredi tek një bankë tjetër, për të shlyer borxhin që kjo kompani i ka kësaj banke. Kështu sistemi ynë bankar hyn në një rreth vicioz dhe me disa klientë (disa syresh kompani të mëdha) ai tashmë ka hyrë. Ky fenomen duhet të kufizohet sa më shumë, ndryshe do të qëndrojë si minë me sahat në sigurinë financiare të vendit. Ndoshta Banka e Shqipërisë duhet të tregohet më e ashpër ndaj këtij fenomeni dhe të denoncojë me raste konkrete këto lloj “shitje klienti”. Po ashtu, bankat duhet të deklarojnë edhe ato kredi që kanë “të dhëna” (pra, prirje) për t’u bërë të këqija (për shembull, kur një klient vonon për arsye që nuk varen më prej tij pagesën e këstit të parë apo të dytë). Bankat zakonisht nuk i zbulojnë këto “të palara”, me shpresë se klienti përmirësohet në të ardhmen në pagesat e tij. Por pikërisht këto fshehje kanë sjellë rrënime dhe kriza financiare në vende të tjera dhe mund të ndodhin edhe tek ne. Një pasojë tjetër e krizës do të jetë ndrojtja dhe stepja e bankave të mëdha tregtare ndërkombëtare për t’i dhënë kredi Shqipërisë. Edhe pse kredia ndaj një shteti zakonisht nuk hyn në kreditë e këqija, sërish disa banka që deri sot mund të kenë qenë të interesuara t’i japin kredi vendit tonë ose mund të tërhiqen, ose të presin kohë më të mira për tregun ndërkombëtar të kredive. Kriza bankare në SHBA patjetër që do ta dobësojë dollarin dhe kësisoj, prirja në rritje që ai kishte pasur këto muajt e fundit mund të ndalet. Këtë duhet ta kenë mirë parasysh kompanitë që eksportojnë apo importojnë mallra me vende që aplikojnë si monedhë shkëmbyese dollarin. Ndërsa euro, me gjithë prirjet stanjacioniste (me mungesë rritjeje) të ekonomive kryesore të BE-së, do të ngelet stabël dhe si zor të bjerë dukshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›