E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për “Prokurorinë” iu shpërndahet të gjithë prokurorëve

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të shpërndajë nëpër gjithë prokuroritë në vend projektligjin “Për Prokurorinë”, i mbërritur pak kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë, lidhur me disa ndryshime të parashikuara në të. I kontestuar në distancë nga Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, tashmë iu është dhënë mundësia secilit prej prokurorëve ta shohin, studiojnë dhe më pas të paraqesin objeksionet e tyre lidhur me këtë projektligj. Këto objeksione do t’i paraqiten Kryeprokurores Ina Rama, e cila më pas do t’ia përcjellë ato ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndoshta dhe me ndryshime të propozuara nga vetë grupi i interesit, që në këtë rast janë prokurorët që do preken nga ky projektligj. Ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj për prokurorinë kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit për prokurorët, shtimin e dy anëtarëve të Ministrisë së Drejtësisë në Këshillin e Prokurorisë, heqja e të drejtës së votës së përfaqësuesit të Presidencës në Këshillin e Prokurorisë, pezullimi nga puna i prokurorëve në rast fillimi të procedimit penal ndaj tyre, shkarkimi i tyre kur regjistrohet procedim penal për ta, si dhe transferimi në detyrë vetëm me pëlqimin e tyre. Këto janë risitë që sjell projekt-drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë për prokurorët, të cilëve tashmë u është dhënë mundësia të njihen më konkretisht me të, si dhe të hedhin në letër vërejtjet apo propozimet e tyre për ndryshimet që ofrohen në projektligj.

Reagimi

Ndryshimet nuk do të prekin vetëm imunitetin, por edhe karrierën e prokurorit, varësinë e Shkallës së Parë me atë të Apelit dhe Prokurorinë e Përgjithshme etj. Disa ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, reagoi ashpër në media të ndryshme lidhur me heqjen e imunitetit të tyre. Hajdari parashtroi të gjitha arsyet për të cilat një prokurori nuk duhet t'i hiqet imuniteti. Kështu, ai ka evidentuar se nëse prokurorëve u hiqet imuniteti, atëherë ata ishin të ekspozuar për t'u denoncuar nga njerëzit që kanë hetuar ose shpënë në gjykim prej tyre. Sipas Hajdarit, ndryshimet dhe prekja e imunitetit të prokurorëve ka hequr të vetmen kompetencë të Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me vartësit e tij, kompetencë që sipas tij, tregon pavarësi. Me ligjin e vjetër të prokurorisë, nëse një prokuror kapej në flagrancë me shkelje, i takonte Prokurorit të Përgjithshëm ta shkarkonte nga detyra dhe më pas të urdhëronte arrestimin e tij. Ndërsa me ndryshimin e ligjit mbi prokurorinë, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Prokurorëve, humb kompetenca e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas arsyetimit të kreut të Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, me heqjen e imunitetit, prokurorit i bie të arrestohet nga vartësit e tij, oficeri i Policisë Gjyqësore, i cili merr urdhra nga prokurori se çfarë duhet të hetojë. Nëse prokurorët për vite me radhë kanë hetuar dhe dënuar një numër të madh personash për veprimtari kriminale, ata mund të paditen pa asnjë argument nga të hetuarit. Në këtë rast, sipas Hajdarit, prokurori mund edhe të arrestohet pa ndonjë motiv, duke mos u shqyrtuar provat nga ana e prokurorisë, njësoj sikur të ishte një qytetar i thjeshtë.

Të rejat e projektligjit

* Hiqet imuniteti i prokurorëve

* Ministria e Drejtësisë ka dy anëtarë me të drejtë vote në Këshillin e Prokurorisë

* Hiqet e drejta e votës për përfaqësuesin e Presidencës në Këshillin e Prokurorisë

* Ulet paga e Prokurorit të Përgjithshëm

* Kryeprokurori shkarkohet me njoftimin e akuzës

* Prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit pezullohen me fillimin e procedimit penal

* Prokurorët shkarkohen pas regjistrimit të procedimit penal

* Transferimi i Prokurorëve në detyrë bëhet vetëm me marrjen e pëlqimit prej tyre

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›