E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 46-vjeçarit, trafikonte klandestinë

Autori i Lajmit: red.

Një grup qytetarësh nga zona të ndryshme të vendit janë nisur për të rrugëtuar drejt Greqisë, por janë kapur në metrat e fundit para tokës greke, pasi u zbuluan nga policia e Gjirokastrës. Specialistët e Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër bënë të ditur dje se është bërë arrestimi në flagrancë i 46-vjeçarit Behar Gjojdeshi, lindur dhe banues në fshatin Petovë të komunës Mbrostar në Fier. Sipas të njëjtave burime, mësohet se zbulimi i grupit klandestin është bërë në orët e para të ditës së sotme në vendin e quajtur kthesa e fshatit Glinë, të rrethit Gjirokastër. Në vendngjarje, janë kapur në flagrancë 13 shtetas, ku 12 ishin nga rrethi i Korçës, dhe një nga Fieri, ndërsa po tentonin për të kaluar kufirin ilegalisht për në Greqi. Uniformat blu bëjnë të ditur se klandestinët janë shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore nga ana e specialistëve të Sektorit antitrafik, u bë e mundur të identifikohej dhe të arrestohej në flagrancë Gjojdeshi. Sipas dëshmive të klandestinëve hallexhinj, që detyroheshin të paguanin dhe të iknin ilegalisht në Greqi, në pamundësi për të fituar një vizë, Gjojdeshi ishte organizatori i këtij trafiku klandestinësh dhe në këmbim të “punës” do të përfitonte një shumë prej 800 eurosh për person.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›