Eksperti italian i digave: “Situata mund të ishte administruar më mirë”
“Situata është kritike, por jo e pakapërcyeshme. Ajo mund të ishte administruar shumë më mirë po të kishin funksionuar më mirë rrjeti i kanaleve kulluese dhe argjinaturat mbrojtëse”. Kështu është shprehur dje komisari i Komitetit të Sigurisë së Digave në Itali dhe njëkohësisht këshilltar special i kryeministrit italian, Berluskoni, për mbrojtjen e digave, Roberto Guercio, pas takimit me zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti. Duke e njohur mirë ndërtimin e digave në Shqipëri, si dhe regjimin e lumenjve shqiptarë, eksperti italian Guercio ka thënë se situata mund të ishte shumë herë më e lehtë nëse masat për shkarkimin e digave do të ishin marrë me kohë, por edhe nëse do të ishin në funksionim të plotë sistemi i kanaleve ndihmëse dhe argjinaturat mbrojtëse, të cilat kanë funksionuar dikur në Shqipëri. Në përfundim të takimit mes ministrit të Energjetikes Prifti, ministrit të Jashtëm Meta dhe këshilltarit të kryeministrit Berluskoni për mbrojtjen e digave Guercio, është arritur në konkluzionin se nuk ekziston asnjë rrezik për stabilitetin e digave. Sipas Guercio-s, “gjendja është problematike, por jo alarmante dhe Italia është në krah të Shqipërisë në këtë situatë kritike, por jo dramatike”. Ai shtoi më tej se e njeh situatën në Shqipëri, digat dhe specifikat e tyre, si dhe kompetencën e inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë, duke u shprehur i bindur se kjo situatë është plotësisht e kapërcyeshme. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka deklaruar se asnjë rrezik nuk do t’i vijë vendit nga digat dhe është kërkuar mbështetje logjistike me aparatura satelitore dhe ekspertë si këshilltarë. Për ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, mbështetja e Italisë është për t’u vlerësuar dhe tregon partneritet të mirë. Guercio dhe ambasadori italian, Saba D’Elia, ofruan mbështetjen dhe asistencën e tyre dhe të shtetit italian në përballimin e kësaj situate, qoftë në aspektin e sigurisë së digave, qoftë në aspektin e emergjencave civile. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar vendin tonë jo vetëm në përballimin e këtij momenti të vështirë, por dhe në trajtimin e çështjes së sigurisë së digave në një hark kohor më afatgjatë
8 Janar 2010