E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet rreziku, dyfishohen dëmet nga shkarkimet në Drin

Albert Gjoka

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit të paktën janë dyfishuar dëmet në rrethin e Shkodrës si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet. Një fakt i tillë konfirmohet nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave. Nëse mbrëmjen e së mërkurës u raportuan 870 banesa të përmbytura, mbrëmë bilanci kapërceu dyfishimin, duke arritur mbi 2080 shtëpi, të cilat të mbuluara nga uji që ka arritur në një lartësi mbi 60 centimetra. Ushtria nisi mbrëmë plane të tjera evakuimi, pasi banorët kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga banesat e tyre. Burimet zyrtare raportojnë për dyfishimin e sipërfaqeve të përmbytura, si dhe për një shtim të konsiderueshëm të numrit të personave të zhvendosur. Kreu i Emergjencave, Alfred Olli, u shpreh se mbrëmë niveli i ujit mbajti të njëjtën kuotë që ishte gjatë orëve të pasdites. Po ashtu, rruga e re që lidh qytetin më të madh verior me akset e tjera rrugore të vendit është bllokuar, gjë që i ka detyruar autoritetet e Ushtrisë dhe Policisë që të rivënë në punë rrugën e vjetër. Gjatë orëve të vona të natës janë shtuar në mënyrë drastike forcat e policisë, të cilat kanë arritur mbi 400 dhe forcat e ushtrisë.

Bilanci
Dita e djeshme ka rritur në mënyrë të ndjeshme bilancin e pasojave në zonat e përmbytura në Shkodër. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, vetëm gjatë ditës së djeshme u përmbytën në Shkodër më shumë se 1200 shtëpi. Situata më problematike është në komunën e Dajçit, e cila deri në orën 17 kishte të paktën 1187 banesa nën ujë. Edhe në bashkinë Shkodër mbrëmë pati një rritje të konsiderueshme të zonave të përmbytura. 320 banesa në lagjen e Bahçallëkut dhe zonat e tjera ishin të pabanueshme. Sipas statistikave, dje u regjistruan probleme edhe në komunën Guri i Zi dhe Ana e Malit. Shumë banorë kanë refuzuar që të largohen nga banesat, por mbrëmë ata janë përballur me rrezikun dhe kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për t’u larguar, teksa kanë parë se po rritej niveli i ujit. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë evakuuar 3407 persona, numër ky që është rritur deri në orët e vona. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ndodhej mbrëmë në zonat e përmbytura, tha se “strukturat e Ushtrisë dhe të Emergjencave Civile janë të përgatitura për të evakuuar popullatën me çdo kusht”. Sipas tij, janë 30 mjete lundruese dhe qindra forca ushtarake, të cilat janë gati për të ndërhyrë në rast kërkimi ndihme nga banorët që ndodhen në banesat e rrethuara nga uji.
Grupi Ndërministror, i kryesuar nga ministri i Brendshëm, raportoi një rritje të sipërfaqeve të përmbytura. Të dhënat zyrtare flasin për 9150 hektarë tokë të përmbytur, ndërsa dy ditë më parë kjo shifër ishte rreth 4150 ha. Komuna Dajç ka sipërfaqen më të madhe, me 2000 hektarë. Në të njëjtën situatë është edhe Velipoja. Më pas vijnë komuna e Bërdicës, me 1700 ha dhe komuna Ana e Malit dhe komuna Bushat me rreth 1300 ha në secilën prej tyre.

Shkaqet
Shtimi i djeshëm i përmbytjeve lidhet me sasinë e shkarkimit të ujërave nga kaskada e Drinit. Statistikat zyrtare e tregojnë qartë këtë. Mbrëmjen e së mërkurës niveli i shkarkimeve nuk arrinte më shumë se 1950 metra kub për sekondë. Por mbrëmë sasia e ujit të derdhur nga diga fundore e Drinit, në Vaun e Dejës, ishte mbi 2300 metra kub për sekondë. Situata rëndohet edhe për shkak të rritjes së prurjeve edhe nga Buna, e cila ka përkeqësuar situatën, sidomos në qytetin e Shkodrës. Drejtori i OST-së, Stojku, e justifikoi mbrëmë rritjen e kuotave të shkarkimeve me faktin se duhej që të bëhej një gjë e tillë për të mbrojtur digat.

Masat
Gjatë ditës së djeshme është shtuar ndjeshëm prania e forcave policore dhe ushtarake në zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës. Të paktën 400 efektiva policie ndodhen në këto zona, si dhe 611 forca të Ushtrisë. Janë bërë kufizime të rrugëve me shirita për të ndaluar mjetet që të futen në zonat e rrezikshme. Mbrëmë është punuar për forcimin e argjinaturave të Dajçit dhe Velipojës. Edhe gjatë orëve të vona të ditës së djeshme është dhënë urdhër që të mos futet asnjë banor në lagjet ku ka rritje të nivelit të ujit. Gjatë ditës së djeshme janë përdorur edhe helikopterë, të cilët kanë nxjerrë 12 persona të rrezikuar në komunën e Dajçit.
Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave bëjnë të ditur se pas apelit që iu bë Qendrës Operacionale e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive e NATO-s, e cila dje këtë mesazh e ka komunikuar tek të gjitha vendeve anëtare, të cilat mund të ofrojnë ndihmë për Shqipërinë.

SITUATA ORË PAS ORE
E ENJTE
Ora 17:00
Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi

Ora 9.00
4786 ha 527 familje 870 shtëpi

TË MËRKURËN
Ora 19:00
4816 ha tokë 527 familje 870 shtëpi

NIVELI I SHKARKIMEVE
Vau i Dejës Ulëz Shkopet gjithsej

Ora 17:00(m3/sek.)
2465 364 380 3209 m3/sek.

Ora 13:00 (m3/sek.)
2365 364 380 3209 m3/sek.

Ora 09:00 (m3/sek.)
1970 200 200 2370 m3/sek.

SITUATA NË QARKUN E SHKODRËS

Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
1 Bashkia Shkodër 230 ha 83 320
2 Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
3 Komuna Ana Malit 1170 ha 200 170
4 Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
5 Komuna Bërdicë 1700 ha 350 65
6 Komuna Guri Zi 250 ha 689 200
7 Komuna Bushat 1300 ha 50 80
8 Komuna Qendër, M.Madhe 500 ha 10 8
Gjithsej 9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi

Shkatërrohet rruga, bllokohen 7 fshatra në Malësinë e Kurbinit

KURBIN - Pasojat e reshjeve dhe shkarkimeve masive nga HEC-et e lumit Mat kanë izoluar shtatë fshatra në Malësinë e Kurbinit. Ky problem ekziston që prej datës kur filluan reshjet, më datë 29 dhjetor. Një masiv i madh gurësh ka zënë rrugën që ndan fshatin Skurajt me Gallatën, duke bllokuar rrugën që lidhë zonat malore me qytetin. Sipas Tom Lalës nga fshati Gallatë i rrethit të Kurbinit, "rrëshqitja e menjëhershme e malit, ka bërë të pamundur qarkullimin në këtë aks. Komuna e Milotit e ka të pamundur që të zgjidhë situatën për shkak të mungesës së mjeteve. Sipas kryetarit të komunës Milot, Vlash Gega " komuna është e mirinfirmuar për situatën e krijuar, por nuk ka fonde të nevojshme për të ndërhyrë dhe përballuar situatën. Bashkia nuk ka as fonde dhe as mjete për të pastruar rrugën, ndërsa janë njoftuar strukturat e qeverisë për të ndërhyrë në zhbllokimin e rrugës.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›