Fahrudin Hoxha: “Nuk behet fjale absolutisht per carje digash”
Flet për situatën në kaskadën e Drinit, babai i digave shqiptare, Prof. dr. Farudin Hoxha
Dilema e krijuar ditët e fundit nga përmbytjet në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës prej vërshimit të ujërave të HEC-eve në kaskadën e Drinit, ka marrë dje përgjigjen e duhur. Pas mendimeve dhe sugjerimeve të bëra këto ditë nga shumë specialistë të energjetikës dhe hidrologjisë, ka ardhur dhe mendimi i vyer i atij që konsiderohet si “babai” i digave shqiptare, Prof. dr. Farudin Hoxhës. Pikërisht dje, profesori i shquar dhe njëkohësisht edhe kryetar i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Digave të Mëdha, ka thyer heshtjen duke dhënë këshillat dhe rekomandimet e tij për situatën delikate të krijuar. Ai u ka bërë thirrje dhe apel banorëve të zonave të rrezikuara që të pranojnë urdhrin për evakuimin dhe braktisjen e zonave në përmbytje. Po ashtu, profesor Hoxha u ka tërhequr vëmendjen edhe qeveritarëve dhe politikanëve që t’u hapin rrugën specialistëve të fushës që të merren me menaxhimin e situatës kritike. Prof. Hoxha ka theksuar edhe njëherë në intervistën e tij dhënë për mediat se, duhet t’i qëndrohet rigorozisht zbatimit të rregullores së kaskadës së Drinit, duke e ndjekur dhe aplikuar atë me përpikëri, me qëllim që situatë të mos dalë jashtë kontrollit. Edhe një herë prof. Hoxha ka siguruar opinionin shqiptar se digat e kaskadës së Drinit janë tepër të sigurta dhe ato do të funksionojnë më së miri për shumë vite.
Si e vlerësoni situatën aktuale në kaskadën e lumit Drin?
Kjo është intervista më e rëndë që unë kam dhënë në jetën time. Situata është nga më të rëndat që unë njoh deri më sot në Shqipëri. Prurjet janë të jashtëzakonshme, por unë, si një nga projektuesit e kësaj kaskade, kam besim të plotë që veprat e parashikuara jo vetëm që do t’u rezistojnë këtyre plotave kaq të madha që po vijnë në Drin, por edhe mënyra e shkarkimit të tyre në anën e poshtme, do të bëhet në mënyrën teknikisht më të mirë dhe më të zgjuar dhe me humbjet më të pakta. Unë në këtë rast do të bashkohesha me thirrjen e të gjithë shqiptarëve, që banorët e atyre zonave t’i binden urdhrit për t’u larguar nga vendbanimet, pasi e tashmja dihet, por e ardhmja pa dyshim që nuk parashikohet. Ka një perceptim për këtë, që është shumë i zymtë. Por që asgjë të mos ngjasë, banorët duhet të largohen!
A ka pasur devijime nga rregullorja?
Ndonjë devijim të vogël edhe mund të ketë pasur, nuk e përjashtoj këtë. Ndofta do të duhej që disa shkarkime duhet të bëheshin edhe ca kohë më përpara, por ndikimi i tyre nuk është kaq katastrofik. Këto prurje kaq të jashtëzakonshme dhe kaq të mëdha do të duhet që tani të kalohen, në asnjë mënyrë tjetër, përveç se në bazë të rregullores që ka kaskada e Drinit për shkarkimin e prurjeve të mëdha. Kam dëgjuar kohët e fundit, por që mund të jenë edhe thashetheme, se ndërhyrjet e njerëzve të pushtetshëm të politikës, të Ekzekutivit, që japin urdhra për të ndaluar apo shtuar kaskadën, janë gabimi më i madh. Këtë gjë duhet t’ua lëmë në dorë vetëm specialistëve të kësaj kaskade që të merren me të, pasi më mirë se sa ata këtë punë askush nuk mund ta bëjë.
Si po menaxhohet aktualisht situata?
Korporata Elektroenergjetike që është dhe organi përgjegjës që merret me menaxhimin e kësaj pune, po mundohet që ta administrojë sa më mirë këtë situatë. Sot ishte dhe mbledhja e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, pikërisht për situatën në kaskadën e Drinit, ku u diskutuan dhe zgjidhjet që duhet të ndiqeshin. Nga deklarata që doli nga kjo mbledhje dhe që unë dua ta citoj, flitej pikërisht që: Lërini ndërhyrjet në kaskadën e Drinit. Lërjani dhe besojuani këtë punë specialistëve dhe njerëzve që merren me këtë punë, pasi më mirë se sa ata këtë nuk mund ta bëjë askush. Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm duke ndjekur dhe zbatuar në mënyrën më rigoroze të mundshme atë rregullore, e cila nuk është bërë në mënyrë spontane, por është një studim i tërë, i shumë specialistëve, të shumë specialiteteve, e cila bën të mundur kalimin e plotave të mënyrë të sigurt, në madhësinë e tyre të parashikuar në projekt, dhe me humbjet më minimale të mundshme. Lutja ime do të ishte që të mos ndërhyhej në një problem kaq të rëndë dhe në këto ditë kaq të vështira. Lëreni këtë punë në dorën e specialistëve.
A rrezikohet çarja e digave nga sasia e madhe e ujit?
Absolutisht që nuk bëhet fjalë për çarje digash. Çarja mund të ndodhë vetëm në rast se kalon uji mbi të. Në rast se respektohet dhe ndiqet me rigorozitet rregullorja që përmenda më sipër, të jeni të sigurt se nuk ndodh gjë. Mos ndërhyni dhe hiqni dorë nga ndikimet! Këtë punë e ka në dorë KESH-i dhe prandaj lëruani specialistëve të tij ta menaxhojnë.
A funksionojnë normalisht dhe a janë të sigurta portat shkarkuese të digës së Fierzës?
Portat shkarkuese të digës së Fierzës janë të sigurta dhe funksionojnë shumë mirë, me përjashtim të njërës. Kjo është porta e tunelit nunër 3. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i lutem Zotit që të mos vijë radha që të përdoret dhe ajo. Nuk e di se si funksionon aktualisht ajo, por edhe po nuk funksionoi, përsëri ka një rrugëzgjidhje. Ajo mund të hapet në mënyrë të sforcuar.
8 Janar 2010