E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza; Ben Qimja, autor i vrasjes së Pirro Koçiut

Mbërriti përgjigjja zyrtare e Laboratorit Shkencor të Londrës, paraqiten rezultatet para togave të zeza të Apelit. Ndryshohet masa për Arben Isufajn, gjurmët e gishtave në armën e krimit i përkasin këtij shtetasi

Mbërrin nga Britania e Madhe akti i ekspertizës me përgjigjen zyrtare për gjurmët e gishtit në armën që vrau biznesmenin Pirro Koçiu. Gjurmët në armë janë të shtetasit Arben Isufaj. Ky ka qenë rezultati zyrtar i Laboratorit Shkencor Kriminalistik, i cili lë pas hekurave dhe zbulon me prova të forta pas tetë vitesh autorin e vrasjes së Koçiut, i cili është biznesmeni nga Fieri, Arben Isufaj, i njohur si “i forti” i Fierit dhe me pseudonimin “Ben Qimja”. Rezultati është paraqitur para togave të zeza të Gjykatës së Apelit, të cilat dje ndryshuan masën nga “burg me afat 45 ditë” në “arrest me burg”. Tashmë me këtë provë, duket se akuza ka arritur të ketë provën kyçe për zbardhjen e krimit të 6 viteve më parë, pasi gjatë hetimeve nuk ka rezultuar të kishte prova ndaj tij dhe shtetasit Erion Danaj, të akuzuar si ekzekutorët e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ishte provuar shkencërisht se Fatlum Kadia ishte personi që futi në kurth viktimën Koçiu. Kjo çështje është hetuar dhe gjykuar e ndarë, ndërkohë që për të pandehurin Kadia, prokurori kërkoi dënimin me 21 vjet burg për “vrasje me paramendim në bashkëpunim, me qëllim hakmarrjen”. Kjo është edhe akuza me të cilën do të përballet i pandehuri Arben Isufaj, i cili nga ekspertiza rezulton të jetë autori i vrasjes. Prokuroria e Tiranës ka rihapur dosjen e ekzekutimit të Pirro Koçiut në muajin shkurt të këtij viti, pas interesimit të familjarëve të tij. Këta të fundit kishin paraqitur një provë në organin e akuzës, të cilën e kishin siguruar vetë. Bëhej fjalë për aktin e ekspertimit të pistoletës që është vrarë Koçiu. Pistoleta është marrë në Angli dhe i është nënshtruar privatisht një akti të ekspertimit. Në pistoletë rezultuan shenja gishtash të Arben Isufajt, çka hodhën dyshimin se një nga bashkëpunëtorët ishte edhe i ashtuquajturi “Ben Qimja”. Prova është paraqitur në organin e akuzës dhe në bazë të saj ka filluar procedimi penal.

Arrestimi

I njohuri me pseudonimin “Ben Qimja” akuzohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, ngjarje e ndodhur më datë 12 gusht të vitit 2002 në rrugën "Him Kolli" në Tiranë. Pas hetimeve të njëpasnjëshme, i arrestuari është evidentuar dhe më pas është arrestuar gjatë një operacioni special të uniformave blu në zonën e kopshtit botanik në Tiranë. Policia kishte dështuar dy herë në përpjekjet e saj për të vënë në pranga biznesmenin nga qyteti i Fierit. Arben Isufaj, i shpallur në kërkim që në shkurt të vitit 2006, pasi dyshohet për vepra të ndryshme penale, herën e fundit ka arritur të çajë rrethimin e policisë në Fier. Dështimi i operacionit të madh, me përfshirjen e forcave të Rendit dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë, u bë publik 24 orë pasi Ahmet dhe Arben Isufaj, xhaxha e nip, duke përdorur edhe armët, arritën t‘u shpëtonin prangave. Policia njoftoi se gjatë operacionit të fundit, në maj të vitit 2007, në vendin e quajtur Sheq i Madh, Fier, u organizua operacioni policor për kapjen dhe ndalimin e Ahmet Isufajt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›