E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin përpara gjyqit anëtarët e Bandës së Pojanit

Korçë Seancë e veçantë për 17-vjeçarin që akuzohet për vrasjen e një të moshuari

Dy nga autorët e vrasjes së 73-vjeçarit Nexhat Gega, pronarit të një magazine në fshatin Pojan, janë lënë në burg pa afat. Ky ka qenë vendimi që kanë dhënë togat e zeza për 25-vjeçarin Blerim Berberi dhe shokun e tij, Nerton Feta, të dy nga fshati Pojan. Për shkak të moshës së mitur autori i tretë i kësaj ngjarjeje pritet të dalë për masë sigurie një ditë pas dy shokëve të tij, me të cilët për arsye grabitje kanë vrarë në datën 25 mars shtetasin Nexhat Gega. Gjykata e Korçës ka lënë në burg dy të rinjtë, të cilët krahas vrasjes së 73-vjeçarit akuzohen edhe për një sërë grabitjesh me armë dhe maska në fshatrat e Pojanit dhe në Qafën e Zvezdës. Në seancën e djeshme, që ishte për masën e sigurisë, dy të pandehurit Blerim Berberi, 25 vjeç dhe Nerton Feta, 24 vjeç, janë njohur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Dy të rinjtë akuzohen për “grabitje me armë dhe maska të kryer në bashkëpunim, “vjedhje me dhunë, thyerje në bashkëpunim”, “grabitje me armë dhe maska e mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një shtetasi”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “armëmbajtje pa leje”. Prokurori Edmond Shytko, duke i vlerësuar si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kërkoi për dy të rinjtë masën e sigurisë arrest në burg pa afat deri në zhvillimin e procesit të rregullt gjyqësor ndaj tyre. Ndërsa për minorenin M. Ropi, seanca për vlerësimin e masës së sigurisë do të zhvillohet ditën e martë. Ropi është kthyer në kufi nga policia greke, pasi ishte larguar drejt shtetit fqinj si klandestin pas kryerjes së krimit. Mes provave të tjera në celularin e 17-vjeçarit policia ka gjetur foto të një arme automatike dhe një tjetër ku minoreni kishte dalë duke mbajtur armën. Ai u shoqërua si i dyshuar për vrasje, ndërkohë që nga një kontroll i ushtruar në banesën 24-vjeçarit Nerton Feta, u zbulua e fshehur pikërisht kjo armë. Nga ekspertiza rezultoi se me këtë armë jo vetëm ishte vrarë i moshuari Nexhat Gega, por me atë ishte qëlluar edhe ndaj një taksisti nga fshati Zëmblak gjatë tentativës për ta grabitur, pasi të rinjtë i kishin zënë pritë me armë dhe maska gjatë natës në Qafën e Zvezdës. Prokurori i çështjes u shpreh së ekzistonin prova të mjaftueshme, mes të tjerave dhe gjurmët e gishtërinjve apo përgjimi në izolim këto ditë i të pandehurve, të cilat nuk lënë dyshime se këta tre të rinj janë autorët e një sërë aktesh kriminale të kryera në fshatrat e Komunës Pojan. Dy avokatët e caktuar për mbrojtjen e dy të rinjve kërkuan masa më të buta sigurie për klientët e tyre, por kjo nuk u mor parasysh nga gjykata. Sipas të dhënave të hetimeve ka qenë 17-vjeçari që ka qëlluar me armë në drejtim të viktimës dhe Blerim Berberi e ka qëlluar në kokë, ndërkohë që i arrestuari tjetër Nerton Feta është arrestuar në flagrancë, pasi iu gjet e fshehur në banesë arma e krimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›