E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton në Romë programin e ri të PS-së



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar turin e tij “Dialog me Shqipërinë” në kryeqytetin e Italisë, Romë. Lideri i selisë rozë ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar në selinë e fondacionit “Italianieuropei”, ku gjithashtu ishin të pranishëm dy ish-kryeministrat italianë, Masimo D’Alema dhe Xhuliano Amato.
Rama ka qenë i shoqëruar në këtë prezantim nga ekipi i Programit të Ri në Partinë Socialiste. Kreu i selisë rozë ka prezantuar përpara dy ish-kryeministrave italianë një grupi të gjerë ekspertësh të angazhuar prej tyre faktet dhe idetë e mbledhura gjatë “Dialogut me Shqipërinë”. Sipas njoftimit për shtyp nga Partia Socialiste, në këtë takim u hodh hapi i parë i krijimit të një pune të përbashkët për të ndërtuar një program krejt të ndryshëm nga programet e 17 vjetëve të fundit, duke shkruar jo një libër premtimesh, po një guidë të qeverisjes së re në çdo sektor. “Më tej u ballafaquan mendime dhe eksperienca të ndryshme e u ngritën sipas fushave pesë grupe të përbashkëta ekspertësh. Në fund të muajit shtator këto grupe do të paraqesin rekomandimet konkrete për të gjitha problemet e ngritura në këtë takim të parë, ku vend të veçantë patën bujqësia, arsimi, shëndetësia e mjedisi”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Socialiste.
Roma ishte stacioni i radhës i turit europian të kryetarit të PS-së për prezantimin e “Dialog me Shqipërinë” dhe Programit të ri të Partisë Socialiste. Pak kohë më parë, Rama bëri këtë prezantim edhe në Bruksel, ku pati disa takime të rëndësishme me deputetë dhe drejtues të parlamentit europian. Rama mori mbështetje e asistencë për Programin e Ri të PS-së edhe gjatë takimeve që ka zhvilluar në Greqi, gjatë pjesëmarrjes së punimeve të Kongresit të Internacionales Socialiste.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›