E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi skimmer, gracka që grabiti bankomatet shqiptare

Zbardhen procedura dhe aparaturat e përdorura

Habjon Hasani
Aventura dyvjeçare e 17 hakersave shqiptarë që mundën të vidhnin miliarda lekë në banka mban emrin Skimmer. Është pikërisht kjo aparaturë që ka përçudnuar shumë banka në botë, pasi efikasiteti dhe shpejtësia e funksionimit janë të paimagjinueshme. Po çfarë është një skimmer? Përgjigjja më e parë është se skimmer është një “kriminel” jofrymor, por elektronik. I përshkruar me fjalë të thjeshta, skimmeri është një skedë e hollë elektronike, një mikroqark, i cili bën rolin e përkthyesit. Bën pikërisht këtë gjë: përkthen “bisedat” që bëhen mes kartës së klientit të bankës dhe kompjuterit të sistemit operativ bankar. Natyrisht që skimmeri mund ta kryejë përkthimin vetëm në rastet kur gjendet në “odën” ku kryhet bisedimi, pra në bankomatet e bankave. Kjo është dhe arsyeja që pas shpikjes së kësaj skede nga dy studentë rusë bankat nuk gjetën më qetësi. Kur dy studentët shpikën në laboratorët e vjetruar të Moskës, në vitin 1999, skimmerin, u deshën tre vjet derisa një shok i tyre t’u kujtonte se fuqia e këtij mikroçipi i tejkalonte dhe muret e larta të sigurisë të gjigantëve bankarë. Kjo ide i joshi djemtë që e shpikën, e menjëherë skimmeri “u paketua” dhe u vendos në një mbajtëse plastike, identike me foletë e vendosjes së kartave të bankomateve.
Gracka
Pasi skimmeri vendoset në folenë e tij identike me foletë e bankomateve, formohet sistemi skimmer. Më tej i gjithi, si sistem, merret dhe mbivendoset mbi foletë e bankomateve. Në këtë moment skimmeri kthehet në “rrënuesin” e çdonjërit që do të ketë fatin e keq të shkojë e të fusë kartën në këto bankomate të dubluara. Porsa vendoset karta, sistemi skimmer funksionon njësoj si kompjuteri robot i bankës, vetëm se banka zor se mund t’i marrë vesh “bisedat” që kanë filluar të bëjnë kartat e klientëve të saj pasi janë vendosur. Porsa karta magnetike e klientit vendoset, ajo ka prirjen ta çlirojë të gjithë informacionin, pasi kopertura e sistemit skimmer është në vetvete një lexues identik si ai i bankomatit. Këto biseda nuk janë gjë tjetër veçse të dhënat më të hollësishme të sigurisë dhe të identitetit të pronarit të kësaj karte, e mbi të gjitha të numrit të tij të llogarisë. Këtë “bisedë” mikroqarku i fshehur skimmer e dëgjon dhe e mban mend të gjithën, madje është aq mikroqark i aftë, sa është në gjendje të “përkthejë” deri në 15 “biseda” të ndryshme, e të regjistrojë të gjitha të dhënat në lidhje me to.
Regjistri
Pasi i gjithë sistemi skimmer ka mbledhur informacione nga kartat e klientëve, ai çmontohet dhe pronari i saj është plotësisht gati për të vjelë informacionin që gjendet në mikroqarkun e tij pirat. Për këtë mjafton vetëm një kompjuter, një fishë lidhëse dhe një kompakt disk. Pasi lidhet me anë të fishës me kompjuterin, sistemi skimmer është i gatshëm të riprodhojë të gjitha bisedat e regjistruara e t’i hedhë në kompjuter. Pasi merren këto të dhëna, mënyra më e mirë për t’i konservuar nuk është kompjuteri (pasi mund të kodohen sërish, megjithëse kjo gjë ndodh shumë rrallë), por janë kompakt disqet, të cilat e ruajnë informacionin në mënyrën më të mirë të mundshme. Marrja e informacionit, i cili zakonisht është i plotë dhe i paraqitur me të gjitha detajet e mundshme, bën që përdoruesi të futet në internet online dhe me të dhënat të hapë llogaritë e viktimave të tij. Nga ky moment ai jo vetëm që mund të blejë më shumë nga ç’kishte mundësi më parë, por mund edhe të kalojë në llogari të tjera bankare shuma të mëdha parash (në rast se klienti është i pasur) në llogari që i kontrollon vetë. Si mund t’ia nisësh kësaj pune? Palos 200 euro, nëse je fillestar, pasi ofertat më të mira në internet këtë çmim ofrojnë.

BOX
Skimmeri “tërboi” Europën, e pamundur ta diktosh

Kur në mbarë Europën u qindrafishuan denoncimet për zbrazjen e llogarive bankare, pakkush po e kuptonte se çfarë po ndodhte. Madje policitë e shumë shteteve europiane po kuptonin më pak se gjithë të tjerët lidhur me atë që po ndodhte. Megjithatë, shërbimi sekret i bankave ishte me këmbë në tokë dhe nuk zgjati shumë dhe loja u kuptua. Deri sot bankat kanë adoptuar disa lajmërues elektronikë që mund të lokalizojnë hyrjen e hakersave me sistemin skimmer, por në pjesën dërrmuese të rasteve ky model ka dështuar. Kështu që autoritetet në Europë nisën t’i njoftonin klientët se si të dallonin një sistem skimmer të montuar në bankomat. Thuhet se në Austri po çelnin edhe disa kurse private për këtë punë. Megjithatë, deri sot rezulton se sistemi më i mirë për lokalizimin ngelen telekamerat, pasi ato mund të jenë të vetmet që mund të kapin hakersin teksa monton skimmerin e tij në bankomat duke klonuar të dhënat.

BOX
Hakersat, organizata ruse “RNB” po trondit botën
Në rrjetin e internetit po luhet një lojë si ajo e maces me miun, që në çastin kur gjuetarët e teknologjisë së uebit i janë qepur pas një grupi kriminelësh virtualë të njohur si "Rrjeti i Biznesit Rus", ose RBN. Ndjekja në shkallë të gjerë nisi pak muaj më parë, kur RBN, - një rrjet kriminal rus që mendohet se fshihet pas pjesës më të madhe të vjedhjeve që kryhen përmes internetit, - hoqi dorë nga kompjuterët e instaluar në qytetin e Shën Pjetërburgut, për t‘u pajisur me servera super të fuqishëm në Kinë. Por përpjekjet e bëra rreth dhjetë ditë më parë nga "Rrjeti i Biznesit Rus" për t‘u fshehur pas një kompanie italiane të krijuar pikërisht për këtë qëllim, dështuan. Vetëm një ditë pas zhvendosjes në shtëpinë e re, sitet e kontrolluara nga kjo organizatë, - e cila është e specializuar në vjedhjet e identitetit, anashkalimin e shërbimeve, vjedhjen e të dhënave personale (fishing) dhe pornografinë me të mitur, -u zhdukën si me magji nga interneti. Kjo mos do të thotë se RBN është zhdukur nga skena një herë e përgjithmonë? Dhe sa e rëndësishme është që rrjeti kriminel të zhduket? Sipas ekspertëve të "Team Cymru", një grup hetuesish të specializuar në krimet e internetit, ky rrjet rus është përgjegjës për 60% të krimeve që kryejnë keqbërësit kibernetikë në Europë. Ajo që ka ndodhur së fundi është që RBN, kundër dëshirës së anëtarëve të saj, nisi të tërhiqte vëmendjen e mediave amerikane, si edhe të disa specialistëve nga ky vend. Siç duket kjo është edhe arsyeja për të cilën u zhdukën papritmas nga qarkullimi. "Dritaret e tyre IP (të cilat bllokojnë hapjen e adresave), nuk ndeshen më në Rusi, por shohim të tjera nëpër gjithë vendet e botës, të cilat mendojnë se u përkasin përpjekjeve të tyre për të gjetur një vend tjetër ku të instalojnë ‘shërbimet‘", - tregon Pol Ferguson, i kompanisë së sigurisë së kompjuterëve, "Trend Micro".

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›