E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekspertiza, ish-gruaja e Pepës është vetëvrarë

13/05/2005  Mjekët arrijnë në përfundim se Lumturia nuk është vrarë

Gruaja është vetëvrarë. Vrima e plumbit është e ngushtë, është qëlluar nga afër, që përforcon versionin e vetëvrasjes. Nga këqyrja e hyrjes-daljes së plumbit në kokë, asgjë nuk të çon te vrasja. Goditja është mbi vesh dhe del në anën tjetër, në afërsi të tëmthit. Ky është konkluzioni i ekspertëve mjeko-ligjorë që kanë ribërë aktin e ekspertimit pas zhvarrosjes së Lumturi Pepës, ish-gruas së Agim Pepës. Burime zyrtare mga mjekësia-ligjore kanë dhënë dje përfundimin e dyshimit për një vrasje të para gjashtë viteve.

Gjashtë vjet

Pas gjashtë vjetësh, trupi i bashkëshortes së Agim Pepës, i cili është dënuar me burg të përjetshëm, është zhvarrosur. Nxjerrja nga varri e kufomës së 25-vjeçares Lumturi Pepa, që thuhet se është vetëvrarë me një plumb pistolete të tipit TT në vitin 1999, është bërë me urdhër të shefit të akuzës, Theodhori Sollaku. Gjithçka ka ardhur pasi babai i viktimës, Pal Ndreu nga Perlati i rrethit të Mirditës, ka kërkuar nga Prokuroria që të bëhet zhvarrimi i vajzës së tij. Sepse, ai dyshonte se e bija nuk ishte vetëvrarë, por ishte ekzekutuar nga bashkëshorti i saj, Agim Pepa. Sollaku ka ka pranuar kërkesën e Ndreut.

Kërkesa

Pal Ndreu ka kërkuar që të ribëhet ekspertiza për vetëvrasjen e vajzës së tij Lumturisë, ish-bashkëshorte e Agim Pepës. Babai i viktimës ka shpjeguar në prokurori, se dyshimi i tij mbështetet në faktin se pas vdekjes së të bijës, e cilësuar si vetëvrasje, edhe nga prokurorët e Mirditës, ai kishte kërkuar që kufoma të këqyrej nga ekspertë mjeko-ligjorë, por kërkesa e tij nuk ishte pranuar nga babai dhe të afërmit e tjerë të Agim Pepës.

Hetimi

Ndonëse ekspertët kanë dhënë versionin e tyre duke e konstatuar vetëvrasje, Prokuroria vazhdon hetimin. Do të merret në pyetje dhe Agim Pepa, ish-bashkëshorti, mbi të cilin bien dyshimet e familjarëve të Lumturies.

Agim Pepa në vrasjen e Gani Malushit

Ka qenë ora 10.45 minuta e 6 gushtit të vitit 2003, kur përballë makinës së komisarit të policisë së Krujës, Gani Malushi, vjen një person. Ky i fundit nxjerr nga një çantë një automatik dhe qëllon në drejtim të makinës, që sa po nisej. Plumbat e parë kanë zënë shoferin Gjovalin Ndreu, që ka mbetur i vdekur në vend. Predhat nuk kanë kursyer as komisarin, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Atentatori është larguar në mënyrë të rrufeshme nga vendi i ngjarjes, duke rrëmbyer në fillim një makinë dhe më pas edhe 4 të tjera. Pas një ore, policia deklaroi se vrasësi i komisarit dhe shoferit të tij ishte Agim Pepa nga Mirdita. Ai kishte qëndruar disa orë në një lokal përballë Drejtorisë së Policisë për të pritur makinën e Malushit, për të cilën kishte informacion se do vinte atë ditë në drejtori. Në fakt, kështu ka ndodhur. Pepa ka parë nga larg "Mitsubishi Pajero"-n e komisariatit të Krujës dhe i ka dalë përpara, duke qëlluar menjëherë në drejtim të tij dhe duke lënë të vdekur Malushin dhe shoferin e tij, Ndreu.

Akuza të familjes Sela dy vjet më parë

Agim Pepa është denoncuar më 31 maj nga Dhurata Sela, ndërsa më 2 qershor nga Emanuela Bardhoku. Të dy denoncimet kanë bërë që për Pepën të ketë një urdhërarresti nga Prokuroria e Mirditës, më 4 qershor 2001, që është ekzekutuar më 27 qershor të këtij viti. Prokuroria ka sqaruar se Dhurata e ka tërhequr denoncimin për vrasësin e Malushit. Ndërsa, Emanuela rëndonte më tepër të shoqin, Pjetrin, vëllanë e Agimit. Gjykata, në bazë të kallëzimeve ka dënuar me 6 vjet burg Pjetrin dhe me 2 vjet Agimin. Pas vrasjes së komisar Gani Malushit, dosjet ku lakohen si të pandehur vëllezërit Pepa janë tërhequr nga Prokuroria e Përgjithshme, ku do të verifikohet se si është bërë kryerja e veprimeve ligjore. Nga ana tjetër, veprimet e gjyqtarëve po i kontrollon Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që deri tani ka saktësuar se nuk ka shkelje. Aksionet e policisë për kapjen e autorit të vrasjes së Malushit dhe Ndreut, deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

Denoncime

Më 31 maj 2001, Agim Pepa denoncohet nga motrat Sela

Më 2 qershor 2001 denoncohet nga Emanuela Bardhoku

Më 4 qershor 2001, Prokuroria firmos arrestin për Agim Pepën

Më 27 qershor 2001, arrestohet Agim Pepa

Në 2001-shin dënohet me dy vjet burg

Po në vitin 2001 del nga burgu

Më 6 gusht 2003 vret Gani Malushin dhe Gjovalin Ndreun

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›