E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çmallje gri me Durrësin

13/05/2005  Pas një vizite pesëditore në qytetin e Durrësit, konkluzioni i përgjithshëm është ky: qyteti shqiptar bregdetar më i madh është shembulli më i mirë për të vërtetuar se shteti e ka humbur garën me individin.

Në këto pesë ditë, falë investimeve të siguruara nga stafi i organizues i festivalit ndërkombëtar të poezisë, “Poeteka”, ashtu si edhe rreth pesëdhjetë poetë të tjerë, pata rastin të vizitoja shumë vende të ndryshme të qytetit, restorante, hotele, galeri arti, muzeume, vendbanime të lashta dhe vazhdimisht, duke kaluar nga pika X në pikën Y, të gjitha rrugët që i lidhnin këto pika. Në të gjitha rastet, ajo çka i përket privatit e lë gjithçka tjetër në baltë për nga cilësia.

Hotelet, restorantet – krijuar nga njeriu, dhe deti – dhuruar nga Zoti – janë tre përsosmëritë e kësaj mrekullie të natyrës, të cilën indiferenca ose mungesa e vizionit bashkiak i kanë lënë si ishuj jetimë në fantazinë e turistëve. Hapësira që mbush largësinë midis këtyre tre pikave është ose aq e varfër dhe e shëmtuar sa edhe para viteve ‘90-të, ose aq primitive sa edhe në kohët më primitive. Edhe aty ku dora e tranzicionit ka ndërhyrë fuqishëm, artitektura synon qiejt më tepër për ta fyer syrin.

Komoditeti, shërbimi, peizazhi, rehatia dhe gjithçka tjetër që mund të ofrojë një hotel është në po ato lartësi që mund ta ofrojë çdo hotel i nivelit mesatar e lartë në çdo cep të globit. Edhe restorantet me shumëllojshmërinë e menusë (ku frutat e detit ishin krenaria e gjithçkaje), me shërbimin e kujdeshëm dhe të frytshëm, me oraret e zgjatura derisa largohet edhe i dehuri i fundit, me arendimin në përputhje me historinë, gjeografinë e qytetit dhe mentalitetin e provarëve, mund të presnin me turistë të të gjitha niveleve që mund të ofrojë diferencimi i shumëllojshëm i shoqërisë njerëzore. Sipërfaqet e bollshme të restoranteve buzë detit flasin për largpamësinë e pronarëve, që i kishin bërë ndërtimet duke patur në mendje fluksin e turistëve, që do të derdhet drejt brigjeve lindore të Adriatikut, ndoshta pas ndonjë dekade tjetër.

Por, mrekullia kaq është. Në qoftë se del jashtë hoteleve dhe restoranteve, apo mjaft të shikosh nga dritarja, dhe çmallesh me Durrësin e viteve tetëdhjetë, me asfaltin me gunga, me trotuaret e prishura, me dyqanet që s’e fshehin dot artitekturën e shëmtuar të komunizmit. Kioskat e gazetave janë po aq të shëmtuara sa edhe kioskat më të shëmtuara të qyteteve tona më të harruara nga investimet: copa llamarinash të ndryshkura. Ndërsa nëse nis një shëtitje buzë detit, duhet të matesh mirë se sado e bukur të jetë pamja që ofron deti, vendi ku hedh këmbët është shumë i aftë të të prishë humorin.

Rruga buzë detit dhe trotuaret e saj i përkasin një epoke dhe një komuniteti njerëzor të një epoke tjetër: kohës kur makinat tip “Zis” dhe traktorët me zinxhira ishin fjala më e fundit e teknikës dhe kur gropat edhe gjysmë metër nuk ishin problem. Gjelbërimi mes pallatave jo vetëm që mungon, por nuk do të realizohet kurrë, sepse s’janë lënë as hapësirat e nevojshme për një gjë të tillë; pallatet janë ngjitur siç ngjishen pas njëri-tjetrit tifozët e Teutës në stadium. Sheshin përpara Torrës Veneciane vazhdojnë ta sundojnë dy skulptura të vendosura aty qysh prej kohës kur komunizmi ishte në zenithin e tij dhe e shkruante historinë siç i donte qejfi, me mentalitetin e armikut të jashtëm në mendje. Ndërsa hapësira e gjelbër rreth bustit të Mujo Ulqinakut, që në planimetrinë e qytetit mund të quhet lulishte, ishte me tërfil si kullotat e malit të Tomorit, gjelbërimi i të cilit, sado i bukur qoftë, zhduket me valën e parë të vapës së qershorit.

Ndërsa për ndërtimet e tjera, kryesisht pallatet shumëkatëshe të banimit, mund të shprehen fare mirë me fjalët e bashkëshortes së poetit rumun Mircea Dinescu: “Ju po ndërtoni, më tha gjatë një bisede, atë që do ta prishin pasardhësit tuaj pas pesëmbëdhjetë vjetësh.” Me këtë donte thoshte se ato godina të larta që ndërtoheshin aq pranë plazhit, pa kurrfarë rrregulli, pa e patur fare parasysh ekzistencën e një shoqërie të tërë, që e ka të përbashkët detin dhe bukurinë e tij, do të vinte një ditë që do të prisheshin dhe ndërtesat e reja e t’i përshtatetishin logjikës së një amfiteatri – shkallët më pranë skenës (detit) të ishin më të ulëta që të shikonin të gjithë pjesëmarrsit. Ose, e thënë ndryshe, ajo kishte në mendje diçka të përafërt që ndodhi me ndërtimet që i kishin zënë frymën Lanës.

Amfiteatri dhe forumi mesjetar, dy monumente kulture të lëna jashtë vëmendjes, janë braktisur rejt nga lavdia dhe autoriteti që kanë panë patur edhe në kohë më mizore, në peridhën që u ndërtuan. Anglezët, për shembull, do të paguanin qimet e kokës që romakët t’u kishin ndërtuar një amfiteatër të tillë vetëm që pasardhësit e sotëm të kishin mundësi të tregonin se si kthehet në bukuri një dëshmi historike, qoftë edhe si rezultat i një tentative pushtimi. Diku afër Roçesterit, qytet në jugperëndim të Anglisë, ishte një vendbanim romak, për të cilin një shoqja ime më foli me entuziazëm. Nuk më gënjente, por kur e vizituam, duke patur parasysh Apoloninë, Butrintin apo Amfiteatrin e Durrësit, vendbanimi romak i Roçesterit ishte si një qelizë bazë përballë elefenatit. Aq gurë dhe mozaik sa ata i kishin rrethuar për merak në vendbanimet e lashta shqiptare i gjen në gjysmë metri katror, ndërsa pjesa më e madhe e venbanimit ishte thjesht livadh. Megjithatë, ata ruanin me një fanatizëm për t’u patur zili. Ndërsa në amfiteatrin e Durrësit nuk vazhdojnë punimet, vetëm se aty ka nja dy shtëpi banimi që janë ndërtuar vetëm për të shëmtuar atë pasuri kombëtare dhe vazhdojnë të jenë aty, siç i tha një shoqes time gazetare një poet durrsak, vetëm sepse banorët kanë miq në bashki.

Dhe këtu fillon gjithë problemi i problemeve që ka Durrësi. E vetmja lulishte e mirëmbajtur për merak – me lule që mund t’i gjesh edhe në Vjenë, edhe në Paris, edhe në Londër – hijeshon peizazhin që rrok syri nga dritaret e Bashkisë, për t’u krijuar përshtypjen pushtetarëve se këtë fytyrë ka pamja e gjithë qytetit, ndërkohë që ndodh e kundërta. Edhe aty punohet si gjithkund tjetër në Shqipërinë e sotme: të bëjmë pak investime dhe shumë zhurmë që investimet e bëra të marrin përmasa përtej imagjinatës; sidomos në prag fushatash. Po të ishte parësor funksioni dhe përfitimi i shoqërisë, investimet në Durrës duhet të kishin filluar në plazh, aty ku do të vinin turistët që do të sillnin të ardhurat për t’u invstuar në pjesën tjetër të qytetit. Segmenti rrugor Ura e Dajlanit-Qendër është një investim serioz, por që është nisur në mënyrën alla Edi Rama: prish gjithçka, asfalt, trotuare e ndërtesa, mos e çaj kokën për rehatinë e përditshme të qytetarëve, konsideroi ata sa qenie që nuk janë të pranishëm aty rrotull, shkakto sa më tepër rrëmujë e pluhur, dhe, më e keqja e të këqijave, ktheje Durrësin në një bukuroshe që të fton në shtrat me kominoshet që sapo ka shkarkuar një vapor me miell apo çimento, pikërisht në prag të sezonit turistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›