Krimet e Rënda dhanë burgim të përjetshëm
13/05/2005 Trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda, drejtuar nga kryetari Sandër Simoni, deklaroi dje fajtor Agim Pepën (Shurbin) për vrasjen e Gani Malushit dhe të Gjovalin Ndreut, në datën 6 gusht 2003, duke dhënë ndaj tij dënimin përfundimtar, burgim të përjetshëm. Gjykata tha se vrasja nuk provohet të jetë kryer në bashkëpunim, duke ia ngarkuar të gjitha përgjegjësitë Agim Pepës dhe lënë jashtë saj persona që janë përfolur pas krimit. Ndërsa për Nikolin Prengën, dënimi ishte 2 vjet e 6 muaj burg, për akuzën e fshehjes së provave që përdoren për zbulimin e së vërtetës. Gjykata nuk i ndryshoi asnjë presje kërkesës për dënimin e Pepës, bërë nga prokurori i çështjes. Burgim i përjetshëm për vrasjen me dashje për cilësi të veçanta të viktimës, 25 vjet për vrasjen e Gjovalin Ndreut dhe 7 vjet për mbajtjen e armës pa leje. Këtë masë dënimi të kërkuar nga Prokuroria, la në fuqi edhe Gjykata e Krimeve të Rënda. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri e ka vrarë Gani Malushin me dashje, ndërsa Gjovalin Ndreun me paramendim dhe për gjakmarrje. Këtë e vërteton mbajtja e armës për një kohë të gjatë me vete, ndjekja disa herë para datës 6 gusht dhe survejimi që nga mëngjesi deri në orën 10.00 e ditës kur u krye vrasja.