E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza mjeko-ligjore, marinari italian vdiq nga heroina



VLORË - Tekniku italian i anijeve, Francesko D'Ambroscio, që ndërroi jetë një ditë më parë në spitalin e Vlorës, kishte përdorur lëndë narkotike të llojit heroinë si dhe kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli. Ky është konkluzioni i mjekëve ligjorë të spitalit të Vlorës, i bërë publik ditën e hënë. 35-vjeçari Francesko D'Ambroscio ndërroi jetë gjatë natës duke u gdhirë dita e diel, në spitalin e qytetit të Vlorës, ku ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore së bashku me dy bashkatdhetarë të tij, Emilio Xhuliano dhe Vito Nitti, edhe këta teknikë anijesh, që kishin ardhur së bashku në Vlorë për të riparuar një peshkarexhë. Nga hetimet e deritanishme të policisë së Vlorës rezulton se pasditen e së shtunës tre shtetasit italianë kishin konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli në lokale të ndryshme të qytetit bregdetar, ndërkohë që në mbrëmje kishin përdorur edhe lëndë narkotike të llojit heroinë.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›