“Procedurat Tatimore”, rrëzohet neni i trashëgimit të borxheve
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë bëri dje disa ndryshime në projektligjin “Për procedurat tatimore”, aq shumë të kundërshtuar nga komuniteti i biznesit. Opozita dhe maxhoranca ranë dakord për të hedhur poshtë një koncept të ri të futur në këtë draft nga Ministria e Financave. Bëhej fjalë për nenin 5, që parashikon kalimin e borxheve të pronarit të një biznesi tek djali apo nipi i tij, edhe në rastin kur ai (pronari) nuk jetonte më. Deputetët e komisionit kanë vendosur që borxhet të kalojnë tek partneri në biznes dhe jo tek njerëzit me afërsi gjaku. Në rast kur biznesi është pa partner, atëherë kompania të shpallë falimentimin dhe më pas të kalohet në sekuestrimin dhe shitjen e aseteve, me qëllim shlyerjen e borxheve. Pas miratimit në parim të draftit, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka nisur shqyrtimin nen për nen të projektligjit. Biznesi ka bërë vërejtje të shumta për këtë draft, i mbështetur edhe nga opozita. Por nuk dihet nëse ato do të merren parasysh nga deputetët e maxhorancës, të cilët kanë edhe shumicën në komision. Në një seancë dëgjimore, të zhvilluar javën që shkoi në Komision, biznesi kundërshtoi projektligjin, duke e quajtur të padrejtë vendimin për parapagimin e gjobave në masën 15 për qind. Sipas projektligjit, biznesi do të vazhdojë të parapaguajë gjobat në masën 15 për qind, ndërkohë që më pas mund ta apelojë vendimin e tatimorëve në gjykatë. Ndërsa ekspertë të financave thanë se parapagimi i gjobës prej 15 për qind, është i domosdoshëm në kushtet e ndërhyrjes kategorike të gjykatës, tek e cila ngelin një masë e akteve administrative. Sipas tyre, apelimi në gjykatë i kushton mjaft administratës tatimore, pasi këtu prej vitesh kanë ngrirë një pjesë e mirë e apelimeve.
8 Prill 2008